Blihet 20 mln euro energji, krizë edhe tetori

Korporata Elektroenergjitike ka blerë 8.5 milionë kilovat/orë energji për muajin tetor

Kufizimet e energjisë do të vazhdojnë të jenë të pandryshuara, në skenarin më të mirë të KESH

Energjia e blerë për muajin tetor nuk mund që të ulë kufizimet, në skenarin më të mirë të KESH. Kjo është situata që paraqitet për muajin tetor, në një kohë që, për fat të mirë, temperaturat për këtë muaj parashikohen të larta dhe përdorimi i energjisë elektrike për ngrohje aktualisht është i panevojshëm. Sasia e blerë për muajin tetor është 8.5 milionë kilovat/orë, 1 milionë kilovat/orë më shumë se muaji tetor. Shuma totale e paguar nga KESH shkon në 19.9 milionë euro, duke përfshirë edhe një sasi të kontraktuar më parë.

Energjia e blerë në muajin tetor ka një vlerë prej rreth 20 milionë euro, ndërsa kompanitë që ofrojnë këtë sasi energjie kanë qenë të pranishme edhe më parë në tregun vendës. Spikat kompania zvicerane "EFT", e cila ka ofruar edhe sasinë më të madhe të energjisë për këtë periudhë. Kompanitë e tjera që kanë ofruar energji për muajin tetor janë, "EGL" në Zvicër, "Gen-1" në Slloveni, "Rudnap" në Serbi. Sasia e energjisë së blerë për këtë periudhë shkon në 8.5 milionë kilovat/orë në ditë. Çmimet e energjisë edhe për këtë muaj mbeten të larta, ku pjesa dërrmuese e energjisë së ofruar nga këto kompani ka një çmim mbi 80 euro/MWh. Me këtë blerje të realizuar për muajin tetor, duke shtuar edhe blerjet e dy muajve të mëparshëm, KESH ka harxhuar të gjitha fondet që qeveria i ka dhënë në formë subvencioni.

***

Energjia e blerë gjatë muajit tetor, sipas dokumenteve të paraqitura nga ana e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, është siguruar në rreth 78% të saj nga kompania "EFT", në Zvicër. KESH ka blerë nga kjo kompani një sasi energjie me një vlerë prej 12.52 milionë euro, nga 16 milionë euro që është sasia e energjisë së blerë në total për muajin tetor, vetëm gjatë tenderit të fundit. Por, megjithëse KESH po harxhon miliona euro, mungesa e tepruar e reshjeve duket se do të vazhdojë që të rëndojë krizën e energjisë, në një kohë që kapacitet importuese janë të kufizuara. Tashmë askush nuk mund të kundërshtojë faktin se kriza energjetike që ka mbërthyer vendin, po godet çdo ditë e më shumë ekonominë. Kostot financiare për biznesin dhe për rritjen ekonomike, kapin vlera prej miliardash çdo ditë. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, një situatë e tillë, nëse i kalon të gjitha parashikimet, pritet që të ketë pasoja të ndjeshme në rritjen ekonomike dhe në të gjithë parametrat e tjera makro-ekonomikë. Edhe në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kriza energjetike u vlerësua si një nga problemet më të mëdha të ekonomisë shqiptare. Zgjidhja e saj, sipas FMN, mund të realizohet nëpërmjet menaxhimit më efikas të KESH dhe njëkohësisht rritjes së çmimeve të energjisë, që sipas FMN mbeten ende të ulëta.

***

Sipas raportit të fundit të INSTAT, burimet e energjisë elektrike në gjashtëmujorin e parë të vitit 2007 janë ulur ndejshëm, me rreth 16.3 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2006. Vlera e tyre, sipas raportit, arriti sasinë 3,067 GWh. Pas një periudhe të stërzgjatur krize, prodhimi total i energjisë elektrike në vend u ul me 48.9 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2006. Sasia totale e prodhuar në gjashtëmujorin e parë 2007 është 1,622 GWh dhe zë 52.9 për qind të burimeve gjithsej të energjisë. Rënia e konsiderueshme në prodhimin e hidrocentraleve, me 50.3 për qind, ka dhënë ndikimin kryesor në rënien e prodhimit total të energjisë. Prodhimi i energjisë nga hidrocentralet, në këtë gjashtëmujor, zuri 95.3 për qind të prodhimit total në vend. Energjia elektrike e prodhuar nga TEC-et u rrit me 19.7 për qind krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2006. Rritje, sipas INSTAT ka pasur dhe prodhimi i impianteve private e me koncesion me 4.3 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Importi (përfshirë këmbimet) i energjisë elektrike është rritur me 197.2 për qind, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2006. Sasia e importuar (përfshirë këmbimet), është 1,445 GWh. Ajo përbën 47.1 për qind të sasisë së burimeve gjithsej në gjashtëmujorin e parë 2007, nga 13.3 për qind që përbënte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2006. Humbjet në total, në rrjet, janë ulur me 13.3 për qind në krahasim me gjashtëmujorin e parë të vitit 2006. (shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors