Endacaku nga Skrapari i vë flakën vetes në Tiranë

TIRANË- Një 35-vjeçar i ka vënë flakën vetes në mënyrë demonstrative, dje në Parkun Rinia në qendër të Tiranës, për motive ende të paqarta. Arjan Dervishi, i veshur sportiv, me tuta dhe bluzë me krahë të shkurtra ka ndaluar në mes të parkut, pranë kryqëzimit kryesor të Tiranës dhe ka derdhur mbi trup një shishe me benzinë. Më pas i ka vënë flakën vetes. Pamja është ndjekur nga dhjetëra qytetarë të pranishëm në park, ndërsa disa prej tyre kanë tentuar të shuajnë flakët për t’i shpëtuar jetën 35-vjeçarit nga fshati Potom i Skraparit. Menjëherë pas kësaj, ai është shoqëruar për në spital por megjithë ndihmën e mjekëve, gjendja e tij vazhdon të jetë mjaft e rëndë. Mbetet ende i pazbardhur motivi, por duket se gjendja ekonomike dhe sociale e kanë shtyrë Dervishin drejt aktit makabër edhe pse nuk përjashtohen motive të tjera.

Djegia

Askush nuk duket të ketë pasur mundësinë të kuptonte arsyet se përse Arjan Derivishi, 35 vjeç, i ka vënë flakën vetes në mes të Tiranës. Dëshmitarët, të tmerruar nga ajo që ndodhi thonë se nuk kanë dëgjuar që ai të flasë apo të ankohet, para se t’i vinte flakën vetes. Ndërsa thonë se fillimisht kanë menduar që bëhej fjalë për një person që lypte në zonën përballë “Hotel Dajtit”, por emri dhe të dhënat e tjera të 35-vjeçarit dhe informacionet e policisë kanë rrëzuar këtë mundësi, por pa mundur të bëjnë të qarta arsyet e aktit. Nga të dhënat mësohet se ngjarja ka ndodhur aty rreth orës 18.00. I riu duket se është ndarë nga dy persona të tjerë të njohur të tij, pasi më parë kishte siguruar benzinën dhe ka ndaluar në qendër të parkut. Më pas ka kthyer shishen e benzinës mbi trup dhe i ka vënë flakën vetes. Pamjet filmike që kanë regjistruar veprimin, tregojnë se ai nuk lëvizte as pasi zjarri i kishte përfshirë të gjithë trupin, duke mos bërë asnjë tentativë për të shpëtuar veten.

Motivet

Burime nga policia thanë se nuk dihej ende se cilat ishin arsyet që kanë shtyrë atë t’i vërë flakën vetes edhe pse ata dyshonin për një gjendje të rëndë mendore, të shkaktuar nga problemet që kishte 35-vjeçari. Policia vetë ka mundur të bëjë vetëm identifikimin e personit në fjalë, ndërsa janë shoqëruar dy personat me të cilët ai ishte shoqëruar për herë të fundit, të cilët pas marrjes në pyetje pritet të zbardhin arsyet që mund të kenë shtyrë Dervishin të tentonte t’i jepte fund jetës në mënyrë makabre. Ndërkohë dyshohet se gjendja e tij psikike ka qenë mjaft e rënduar në momentin që ka kryer aktin. Edhe pse i djegur ai duket se është përpjekur të rezistojë edhe në momentin kur është shoqëruar në spital apo kur ka marrë mjekimin. Policia tha se kishte filluar menjëherë hetimet në lidhje me rastin, ndërkohë Arjan Dervishi është marrë në ruajtje edhe në sallën e reanimacionit të spitalit të diegieve për arsye se mendohet që ai mund të tentojë sërish vetëvrasjen.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors