Urdhra sekuestrimi për "Albtelekom"-in


Prokuroria e Përgjithshme firmos për marrjen e dokumenteve të tenderit, të konkurrentëve dhe kontratës nga institucionet

Dëshmitë publike të politikanëve e specialistëve, pjesë e dosjes së hetimit

TIRANË- Dëshmitë publike të specialistëve apo politikanëve për shitjen e "Albtelekom" tek kompania turke "Çalik" do të jenë të parat që do të verifikohen nga grupi hetimor. Drejtoria e Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Përgjithshme ka firmosur së fundmi një urdhër, sipas së cilit hetimi për "Albtelekom"-in do të fillojë nga gjithçka është bërë publike nëpërmjet denoncimeve në media, dëshmi këto që pritet të administrohen në dosjen hetimore.

Sipas burimeve nga organi qendror i akuzës, të gjitha denoncimet e bëra në media nga drejtues partish, ministra, deputetë e specialistëve të fushave të ndryshme, në lidhje me shkeljet e hasura në tender dhe më pas shitjen e kompanisë telefonike, Albtelekom do të depozitohen në dosje dhe më pas do të verifikohen për vërtetësinë e tyre. "Në rast se këto denoncime rezultojnë të vërteta gjatë fazës hetimore, personat denoncues do të merren në pyetje në cilësinë e kallëzuesit për t'iu bashkuar dosjes hetimore që ka filluar kryesisht pak ditë më parë",-pohojnë të njëjtat burime për "Shekullin".

***

Me fillimin e hetimeve ndaj shitjes së Albtelekomit, janë lëshuar edhe urdhrat e sekuestrimit të të gjitha dokumenteve të përpiluara nga Ministria e Financave në lidhje me tenderin dhe më pas nënshkrimin e kontratës së shitjes tek kompania turke "Çalik". "Janë lëshuar urdhrat e sekuestrimit të të gjitha dokumenteve të proceduara para dhe gjatë hapjes së tenderit, të gjitha ofertat e vitit 2005 dhe ato të këtij vitit 2007, vendimet e Këshillit të Ministrave të qeverisë së Fatos Nanos dhe të Sali Berishës në lidhje me kontratën dhe më pas pezullimin e kësaj kontrate. Do të sekuestrohet raporti i auditit që ka bërë firma "Deloitte & Touche", e cila ka renditur një sërë shkeljesh dhe ka sugjeruar rizhvillimin e tenderit për shitje dhe sekuestrimin e kontratës, së bashku me të gjitha dokumentet përcjellëse të shitjes"-,-thuhet nga burime hetimore. Mësohet se organi i akuzës, fillimisht po heton dosjen pa autor, por nuk përjashton mundësinë që pas sekuestrimit të të gjitha dokumenteve, të saktësojë edhe personat përgjegjës të përfshirë në skandalin e shitjes së Albtelekomit, të cilët do të merren në pyetje dhe më pas do të drejtohet gishti tek personat që mund të merren nën hetim apo procedim për këtë çështje.

***

Ndërkohë sqarohet se grupi hetimor ka bërë gati edhe listën e dëshmitarëve të parë në lidhje me çështjen, ku fillimisht do të merren në pyetje personat që kanë përgatitur shitjen, dokumentacionin e tenderit, anëtarët e komisionit vlerësuese së tenderimit dhe anëtarët e përzgjedhjes së kompanisë fituese. Të fundit duket se e kanë radhën firmëtarët e kontratës. "Do të rishikohen edhe deklaratat e kryeministrit Sali Berisha, para dhe pas ardhjes në pushtet në lidhje me shitjen e kompanisë Albtelekom, kontratë të cilën me ardhjen në pushtet e pezulloi me një vendim të Këshillit të Ministrave, duke e cilësuar shitjen si të parregullt dhe në shkelje të ligjit. Ndërkohë, dy vjet më pas, qeveria Berisha, edhe pse raporti i auditit të kompanisë çeke, "Deloitte & Touche" gjeti shumë shkelje dhe parregullsi, e shiti kompaninë Albtelekom tek kompania turke "Çalik" me të njëjtin çmim që kishte tentuar ta shiste Nano, edhe pse iu desh të skualifikonte një ofertë 200 mln euro më të lartë, atë të kompanisë "Axos".

AXOS

Oferta e skualifikuar, 200 mln euro më shumë se "Çalik"

TIRANË- Në ofertën e paraqitur, kompania "Axos" kishte shprehur qëllimin për ta zhvilluar "Albtelekomin" në qendër të shërbimeve të telekomunikacionit rajonal. Albtelekomi parashikohej të ofronte shërbime konkurruese të telefonisë fikse dhe mobile (GSM dhe ËiMax) për 50 % të popullatës deri në vitin 2012. Përveç 200 milionë eurove shtesë, krahasuar me ofertën fituese të "Çalik", marrëveshja do të përfshinte përhapjen e shpërndarjes së teledensitetit (telefonisë fikse për 100 banorë) nga niveli 8 % që është sot në 25 % brenda 5 vitesh, si dhe ndërtimin e një rrjeti WiMax, duke qenë se licenca për këtë teknologji do të përfshihej në transaksion. Gjithashtu, në ofertë parashikohet reduktimi i listës së pritjes për t'u pajisur me numra të rinj, si dhe ulja e tarifave dhe ngarkesës së roamingut ndërkombëtar, sipas standardeve të BE-së. Rritja vjetore e biznesit parashikohej në 15 %, ndërsa konkurrenca në treg do të pësonte një rritje të ndjeshme. Nga ana tjetër, firma zotohej se do të ishte në gjendje të lidhte në rrjetin e saj të telefonisë fikse rreth 120 mijë konsumatorë në vit. F.V (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors