Alarmi, nafta drejt 145 lek/litër

Grosistët: Rritje e re e çmimeve me 5 deri në 8 lekë për litër, pas rekordeve të çmimit në bursë

Aktualisht, një litër naftë Eurodiesel në treg shitet me 135 lekë litri, ndërsa benzina me 145 lekë litri. Por rritja që pritet të realizohet nga ana e grosistëve në ditët në vazhdim, me 5-8 lekë për litër naftë, nuk është e para.

Vetëm pak javë më parë, pas rritjes së akcizës me 4 lekë litri, reflektimi i saj në çmim qe i menjëhershëm.

Rritja galopante e çmimeve ka përfshirë të gjitha tregjet e vendit, ndërsa pritet një rritje e re e çmimit të naftës me 5 deri në 8 lekë për litër. Rritja e re e çmimeve të karburanteve do të jetë në ditët në vazhdim pasi, sipas grosistëve, furnizimi me naftë tashmë po realizohet me një çmim që shkon në mbi 80 dollarë për fuçi. Aktualisht, një litër naftë Eurodiesel në treg shitet me 135 lekë litri, ndërsa benzina me 145 lekë litri. Por rritja që pritet të realizohet nga ana e grosistëve në ditët në vazhdim, me 5-8 lekë për litër naftë, nuk është e para. Vetëm pak javë më parë, pas rritjes së akcizës me 4 lekë litri, reflektimi i saj në çmim qe i menjëhershëm. E gjithë rritja e akcizës po paguhet aktualisht nga konsumatorët, duke reflektuar edhe një rritje të re në çmimet e mallrave që ndikohen nga ky faktor prodhimi.



Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Viktor Nushi, ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vazhdim pritet një rritje e re e çmimit të naftës me 5-8 lekë për litër. “Rritja e çmimit të naftës në treg është e natyrshme, pasi e gjithë nafta e importuar tashmë është me një çmim rekord”,- ka bërë të ditur Nushi. Çmimet e naftës gjatë ditës së djeshme kanë shënuar 81 dollarë për fuçi, duke pësuar një rënie të lehtë në krahasim me fundin e javës së kaluar. Por sërish çmimi i arit të zi mbetet tepër i lartë, duke shënuar rekorde të reja. Javën e kaluar çmimi i naftës arriti në rekord, me 83.9 dollarë për litër. Por në rritjen e mëtejshme të çmimit të naftës, që në harkun kohor të një muaji shkon në 10-13 lekë për litër, ka ndikuar edhe vendimi i qeverisë për rritjen e akcizës. Sipas grosistëve, qeveria në këtë moment, kur tregjet janë në një koniunkturë pozitive, duhej që të merrte një vendim tjetër për të mbrojtur konsumatorët.

Por qeveria, vetëm pak javë më parë rriti me 4 lekë për litër akcizën e naftës dhe benzinës, duke iniciuar një rritje të re të çmimeve për këto produkte. Me anë të kësaj rritjeje, në një treg që është i ngurtë në uljen e çmimeve, ky vendim përkthehet në rritje të çmimit për konsumatorët. Rritja e çmimit për naftën dhe benzinën shkon në 12% vetëm nga ky vendim. Por marrja e këtij vendimi nga ana e qeverisë, pritet të sjellë një rritje të ndjeshme të të ardhurave në buxhet. Për vitin 2006 importet e karburanteve shënuan 232 milionë dollarë, ose një rritje prej 40%. Në relacionin e Ministrisë së Financave, nuk është dhënë asnjë shifër përsa i përket rritjes së të ardhurave nga kjo rritje e akcizave. Qeveria është duke shfrytëzuar me rritjen e akcizave, prirjen e qytetarëve për të mos ndryshuar konsumin e këtyre produkteve me rritjen e çmimit.

Çmime stratosferë dhe cilësi tepër e dobët. Këto janë problemet e konsumatorëve shqiptarë me karburantet. Në këtë mënyrë, tregu i karburanteve në vendin tonë vazhdon të mbetet abuziv. “Që prej fillimit të muajit gusht, çmimet e karburanteve kanë pësuar rritje të ndjeshme, në një kohë kur në botë ndodh e kundërta”,- pohojnë ekspertët. Sipas tyre, Inspektorati i Kontrollit të Naftës dhe Gazit, çështjen e mospërputhjes së çmimeve të karburanteve në vend, me ato ndërkombëtare, e shpjegojnë si abuzim të tregtarëve. Por, krahas çmimit edhe cilësia lë shumë për të dëshiruar. Shoferët ankohen se karburanti që përdorin për makinat e tyre, po i shkatërron automjetet. Por çmimet e karburanteve në vend nuk lëvizin vetëm sipas bursave ndërkombëtare apo rritjes së taksave, por edhe nga vendi se ku ndodhet pika e furnizimit. Sa më afër qendrës të marrësh karburant për makinën tënde, aq më shtrenjtë do ta blesh atë, ndërkohë që periferia ta ofron me një çmim më të lirë. Ndërkohë, Ministria e Mjedisit shprehet se karburantet me cilësi të dobët, sidomos përdorimi i naftës D2 janë shkaktare të ndotjes së mjedisit.



Fullani: Inflacioni në gusht 2007 regjistroi vlerën 4.2%, rritje e pazakontë në raport me vitet e kaluara

“Çmenden” çmimet, pritet rritje e re interesash

Kriza energjetike, faktori kryesor në rritjen e çmimeve të prodhimit nga ana e biznesit

Kriza energjetike, e cila këtë vit është shfaqur më herët se zakonisht, sipas shumë vlerësimeve, do të zgjatet përtej asaj çka biznesi mund të parashikojë në planet e tij në fillim të çdo viti kalendarik.

Banka e Shqipërisë pritet që të rrisë përsëri interesat për lekun. Një konkluzion i tillë del nëse i referohemi deklaratave të bëra dje nga ana e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, gjatë një takimi rajonal në qytetin e Sarandës me përfaqësues të pushtetit lokal, sektorit bankar, komunitetit të biznesit të Sarandës, Gjirokastrës, Delvinës, Tepelenës, Përmetit, si dhe përfaqësues të Universitetit të Gjirokastrës. Rritja e çmimeve ka qenë një nga çështjet kryesore që kreu I BSH-së ka trajtuar gjatë këtij takimi. “Të dhënat e publikuara prej INSTAT, tregojnë se inflacioni vjetor në muajin gusht 2007 regjistroi vlerën 4.2 për qind, diçka mbi nivelin e sipërm të bandës objektiv 2-4 për qind. Muaji gusht shënoi një përqindje të lartë mujore, 2.1 për qind, një shifër krejt e pazakontë në raport me vitet e kaluara. Besoj se kemi qenë të kuptueshëm, kur në analizat tona kemi evidentuar se shkaqet janë të lidhura si me faktorë, të cilët nuk mund të parashikohen (goditjet e rastësishme) ashtu dhe me shkaqe të tjera, që kanë të bëjnë me kërkesën e ekonomisë për mallra dhe shërbime”,- ka sqaruar Fullani. Kreu i institucionit qendror monetar në vend ka deklaruar gjatë këtij takimi se kanë qenë të qarta deklaratat e Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë, për rrezikun e një ambienti inflacionist të pranishëm gjatë këtij viti në vend. Më tej, kreu I BSH-së ka listuar edhe faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë situatë. “Kriza energjetike, e cila këtë vit është shfaqur më herët se zakonisht, sipas shumë vlerësimeve, do të zgjatet përtej asaj çka biznesi mund të parashikojë në planet e tij në fillim të çdo viti kalendarik. Sigurisht që efekti i mungesës së energjisë është shumë kompleks: ai prek drejtpërdrejt kapacitetet prodhuese, krijon kosto shtesë (burimi alternativ i energjisë) mbi produktet përfundimtare, rrit pasigurinë në përgjithësi. Besoj se këto elemente janë të mjaftueshme për të krijuar paqartësi në tregje, duke u bërë një fillesë për të gjeneruar premisa inflacioniste në ekonomi”,- tha Fullani. Nga ana tjetër kreu i BSH-së ka deklaruar se rritje në çmime ka pasur edhe për shkaqe që lidhen me inflacionin e importuar. “Këtë vit, jemi përballur edhe me një problem tjetër, i cili ka të bëjë me një koniunkturë ndërkombëtare çmimesh të rritur, që ushtron ndikimin e vet në tregun tonë të mallrave dhe të shërbimeve. Karburantet dhe drithërat janë dy mallrat më të prekur nga kjo koniunkturë. Nevojat e ekonomisë sonë për këta dy artikuj janë në rritje, ndërkohë që burimet e brendshme janë të kufizuara, duke e bërë Shqipërinë të varur nga importi e për rrjedhim, nga çmimi në tregjet ndërkombëtare”,- ka sqaruar guvernatori Fullani. Nga ana tjetër, një nga faktorët e listuar si i rëndësishëm në rritjen e çmimeve, sipas Fullanit është edhe kërkesa në ekonomi, që vlerësohet se ka qenë e lartë në fund të vitit 2006 dhe në pjesën e parë të vitit 2007. “Ky fakt evidentohet në rritjen e madhe të kredisë për ekonominë, në zgjerimin e mëtejshëm të llogarisë korente, në shtimin e importeve të mallrave të tillë, si automjete, pajisje elektro-shtëpiake dhe makineri e pajisje. Përgjithësisht, rritja e kërkesës në një periudhë të caktuar do të thotë presione inflacioniste në ekonomi, prandaj kemi arsye që të shqetësohemi seriozisht për këtë problem”,- tha Fullani. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors