Policët, dhunë mbi ish- krerët e komunës

Ish kryetari, Kanan Shakaj, aktualisht kreu i PSD-së, në Vlorë dhe ish nënkryetarja Shpresa Halili, janë dhunuar fizikisht

Policia shoqëron efektivët Festim Malaj dhe Neshat Lazaj, të denoncuar për dhunën e ushtruar

Novoselë

VLORË- Ish- kryetari i Novoselës në Vlorë, aktualisht kryetar i Partisë Social -Demokrate dhe ish- nënkryetarja e komunës janë dhunuar dje nga dy efektivët e policisë së komunës. Të dëmtuarit, Kanan Shakaj dhe Shpresa Halili janë dërguar me urgjencë në spital, ndërkohë efektivët e denoncuar, Festim Malaj dhe Neshat Lazaj, janë shoqëruar në komisariat.

Ngjarja

Ka qenë ora 14.00 e ditës së djeshme, kur Shakaj dhe Halili i janë drejtuar komunës për të tërhequr prej saj disa dokumente, që do t'i ndihmonin në një ballafaqim që kishin në prefekturë. Mësohet se të dy, kërkonin të merrnin disa dokumente te inspektorët e auditit të brendshëm, pasi kanë kërkuar të verifikojnë në lidhje me disa shkelje të fondeve në investime, për të cilat akuzohen. Investime që janë realizuar në kohën kur ata kanë qenë në krye të komunës. Sipas tyre, me këto dokumente ata kanë dashur të ballafaqoheshin në prefekturë. Pasi të dy ish-funksionarët e komunës janë paraqitur në komunë, kanë parkuar makinën në territorin e brendshëm të godinës. Këtu kanë nisur dhe debatet e para. Sipas dëshmisë së të lënduarve, menjëherë janë paraqitur 2 punonjës të policisë komunare, që kanë kërkuar të nxirrnin makinën jashtë, pasi nuk lejohej. Si pretendon Shakaj, ai pas kësaj ka nxjerrë makinën e tij jashtë territorit të komunës dhe ka vazhduar më pas inspektimin me punonjësit e Auditit të Prefekturës Vlorë në objektet, ku mendohej nga Auditi se ishin bërë shkelje në ndërtimin dhe tenderimin e saj.

Përplasja

Sipas tyre, ata kanë qenë te ujësjellësi dhe pasi kanë mbaruar punë janë rikthyer së bashku me punonjësit e auditit për në qendrën e komunës së Novoselës. Shakaj dhe Halili kanë hyrë më pas në territorin e godinës së komunës, për tu ngjitur në zyrat e kësaj komune dhe për të verifikuar dokumentacionet. Sipas gruas, e para është ngjitur ajo dhe kur ka hyrë në ambientet e katit të dytë, është ndaluar nga efektivët e më pas qëlluar nga ta. Halili ka identifikuar Festim Malajn nga Bishani i Novoselës si dhe nga policin tjetër, Neshat Lazajn nga Trevllazëri, të dy me detyrën e efektivëve të policisë së komunës. Sipas deklarimeve që japin dy të dëmtuarit, të dy këta policë kanë ofenduar në fillim ish- nënkryetaren Shpresa dhe pasi e kanësharë dhe ofenduar kanë nisur ta dhunojnë fizikisht, duke e goditur me grushte në fyturë dhe shpinë. Ndërkohë zhurma është dëgjuar nga Shakaj, i cili është ngjitur shpejt e duke parë se ç'po bëhej, ka ndërhyrë. Por në këtë moment, të dy policët i janë kthyer edhe atij po me dhunë. "Dhuna ndaj meje nisi menjëherë pas një telefonate që bëri njëri nga policët",- thotë Shakaj, duke akuzuar kreun aktual të komunës për këtë. Pasoja e dhunës ka qenë e dukshme, ndërkohë që ai ka mbetur përtokë pa ndjenja. (Shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors