Gramoz Veliu dhe vartësit e tij kanë falsifikuar dokumentet e firmave debitore duke i lejuar atyre që të fitonin disa tendera
LUSHNJE- Arrestohen për abuzime me detyrën dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare kreu i Tatim- Taksave të Lushnjes dhe katër vartës të tij.
Ata e kishin kthyer qytetin e vogël myzeqar në një parajsë fiskale ku firma të ndryshme jo vetëm që nuk paguanin taksat por edhe përfitonin tendera në mënyrë krejt të kundraligjshme. Por e gjithë skema e tyre e mashtrimit është zbuluar pas denoncimit të një qytetari për dhënien e një licence për polici private në Divjakë. Hetimet e mëtejshme të prokurorisë zbuluan se kjo ishte vetëm maja e ajsbergut ndërsa tenderat e shumtë kishin bërë tepër të pasura disa firma por edhe vetë tatimorët e qytetit. Si policia ashtu edhe prokuroria kanë preferuar që të mbajnë të fshehtë emrat e firmave dhe tenderat ku ato kanë marrë pjesë pasi për momentin hetimi nuk ka përfunduar ende.
Abuzimet
Rreth dy muaj më parë, një qytetar është paraqitur në prokurorinë e Lushnjes ku ka denoncuar abuzimet që janë bërë me dhënien e licensës për një kompani policie private në Divjakë. Informacioni është marrë me përparësi nga prokuroria, e cila ka nisur ta verifikojë. Hetuesve nuk i është dashur shumë që të zbulojnë se dega e Tatim- Taksave të Lushnjes kishte ngritur një parajsë fiskale për disa firma në qytetin e vogël të Myzeqesë. Në këto kushte prokuroria ka kërkuar edhe ndihmën e Seksionit e Luftës Kundër Pastrimit të Parave dhe Krimeve Ekonomiko- Financiare në Drejtorinë e Policisë Qarkut Fier. Të dy këto organe kanë nisur hetimet e para dhe kanë zbuluar një sërë abuzimesh të kryera nga shtetasi Gramoz Veliu, 41 vjeç, me detyrë kryetar i Degës së Tatim-Taksave Lushnje, si dhe katër punonjësit e tij. "Prej rreth dy muajsh po zhvillohen hetime në lidhje me falsifikimin e dokumenteve të paraqitura në një tender të zhvilluar në rrethin e Lushnjes nga një firme private. Gjatë hetimeve të kryera në kuadër të këtij procedimi penal, u thellua me tepër hetimi nga ku rezultoi se Kryetari i Degës së Tatim- Taksave Lushnje dhe disa inspektorë të këtij institucioni, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës së tyre shtetërore iu kanë lëshuar vërtetime për tender disa firmave private, në të cilat paraqiten rrethana të pavërteta, të rreme",- thanë dje burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, pavërtetësia e këtyre dokumenteve (vërtetim për tender) qëndron në faktin se për të njëjtën periudhë kohore, në vitet 2006-2007, disa firma rezultojnë të mos kenë detyrime në Degën e Tatim Taksave Lushnje. Por në anën tjetër, kur ky institucion ka dërguar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatim- Taksave në Tiranë listën e borxhlinjve, këto subjekte rezultojnë debitore. "Po ashtu, pavërtetësi ka edhe në numrin e kontribuesve për çdo subjekt (firmë private), ku për të njëjtën periudhë kohore numri i kontribuueseve është i ndryshëm në vërtetime të ndryshme. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se disa nga subjektet që kanë marrë dhe përdorur vërtetime të Degës së Tatim- Taksave Lushnje, të falsifikuara, janë shpallur edhe fitues në tendera të ndryshëm",- thanë burimet e prokurorisë.
Arrestimet
Pasi kanë siguruar të gjitha të dhënat e nevojshme, prokuroria e Lushnjes dhe policia e Fierit kanë bërë gati operacionin për arrestimin e tyre. Uniformat blu kanë bërë gjithçka gati në qytetin e Lushnjes dhe kanë pritur një moment të volitshëm për të kryer arrestimet. Rreth orës 10.30 të mëngjesit të djeshëm, oficerët e policisë kanë zbarkuar në drejtorinë e Tatim- Taksave në Lushnje dhe i kanë hedhur prangat kreut të institucionit, Gramoz Veliu, e katër vartësve të tij. "Nga hetimet paraprake të kryera me metoda speciale të hetimit, rezulton se pesë punonjësit e tatim taksave, duke shpërdoruar detyrën u kanë lëshuar vërtetime për tendera disa firmave private në rrethin e Lushnjes, në të cilat paraqiteshin rrethana të rreme. Operacioni për arrestimin e tyre është koduar me emrin "Me duar të pastra" dhe ata nuk kishin mundësi të reagonin por janë dërguar menjëherë në ambientet e paraburgimit",- thanë dje burimet e policisë. Sokrat Ndreçka
TË ARRESTUARIT
Gramoz Veliu, 41 vjeç me detyrë Kryetar i Degës së Tatim-Taksave Lushnje
Xheladin Brakola, 40 vjeç, me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Vlerësimit dhe Mbledhjes në Degën e Tatim Taksave Lushnje
Rruzhdi Sina, 38 vjeç, me detyrë inspektor i mbledhjes në Degën e Tatim Taksave Lushnje
Naim Sina, 44 vjeç, me detyrë inspektor i Vlerësimit në Degën e Tatim Taksave Lushnje
Namik Taullahu, 54 vjeç, me detyrë inspektor i Vlerësimit më Degën e Tatim -Taksave Lushnje
HETIMET
Akuza, shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh
Burimet zyrtare të prokurorisë dhe policisë pohuan dje se ndaj pesë të arrestuarve rëndojnë akuzat e falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe shpërdorim detyre, të kryera në bashkëpunim. Dosja penale në ngarkim të tyre është hapur dy muaj më parë por kjo është mbajtur e fshehtë për arsye hetimi. "Në këto kushte dyshohet se kryetari i Degës së Tatim- Taksave Lushnje, Përgjegjësi i Zyrës së Regjistrimit si dhe tre inspektorë të këtij institucioni, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të kenë kryer veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës, të parashikuara nga nenet 186/2, 248 e 25 të Kodit Penal",- thanë burimet zyrtare. Sipas tyre, në këtë rast duhen falënderuar qytetarët për denoncimet e bëra të cilat kanë ndihmuar në zbulimin e të vërtetës. S.N
Policia ka kryer kontrolle e sekuestrime në zyrat dhe banesat e tyre. Hetim edhe pronarëve të firmave
Sekuestrohen dokumentet e pesë të arrestuarve
LUSHNJE- Menjëherë pas arrestimit të pesë zyrtarëve të Tatim- Taksave të Lushnjes, policia ka bërë edhe një kontroll të detajuar në çdo zyrë. Oficerët e policisë gjyqësore kanë "bastisur" të gjitha sirtarët e pesë zyrtarëve duke bërë edhe sekuestrimin e dokumenteve që gjendeshin në to. "Pas arrestimit janë bllokuar të gjitha materialet dhe dokumentacioni që administrohej nga këta nëpunës shteti në mjediset e degës së Tatim- Taksave",- thanë dje burimet zyrtare të policisë lokale. Sipas tyre, kontrolle paralel janë ushtruar edhe në banesat e të arrestuarve ku janë gjetur dhe sekuestruar disa dokumente të tjera. Dyshohet se materialet e gjetura në banesat e të arrestuarve mund të japin një ndihmë tepër të madhe për hetimin dhe zbardhjen e çështjes. Hetuesit janë treguar të rezervuar në lidhje me përmbajtjen e dokumenteve të sekuestruara si dhe në lidhje me emrat e firmave që kanë bashkëpunuar me zyrtarët e arrestuar për përfitimin e tenderave. Burime nga prokuroria lokale pohuan se edhe pronarët e këtyre firmave janë nën hetim dhe shumë shpejt kjo çështje mund të vazhdojë me arrestime të tjera. Ndërkohë hetuesit kanë nisur një verifikim të pasurisë së pesë zyrtarëve të arrestuar dhe nuk përjashtohet edhe mundësia e sekuestrimit të saj. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment