ELBASAN- Mashtrimet nëpërmjet kartave rimbushëse të telefonit vazhdojnë të shkaktojnë viktima pothuajse në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Rasti më i fundit ka ndodhur në qytetin e Elbasanit kur një person është mashtruar dhe ka paguar deri në 15 mijë lekë të reja karta telefonike duke i dërguar numrat me mesazh pikërisht personit që e ka mashtruar. Rasim Çoku, 58 vjeç, lindur e banues në lagjen Shën Koll të Elbasanit, ka mbërritur herët në polici pasi kishte shpenzuar të gjitha paratë që kishte në karta rimbushëse.
Ai ka kërkuar të bëjë një kallëzim penal në polici ku ka shpjeguar se është marrë në telefon nga një person, i cili i kishte thënë se ishte përfaqësues i një prej kompanive celulare në vend dhe se numri i tij ishte i përzgjedhur për të fituar çmimet e vëna në dispozicion. Por që të marrësh këto çmime me vlerë të madhe ti duhet të blesh një numër të caktuar kartash telefoni.
Këto karta duhet t’i gërvishësh dhe numrat që shfaqen duhet të mi dërgosh mua me sms”,- i ka thënë Çokut personi nga ana tjetër e receptorit. Ai ka bërë gjithçka që i është kërkuar dhe pasi ka blerë kartat e telefonit, i ka gërvishur ato dhe numrat ia ka dërguar sipas porosisë “njeriut të lotarisë”, Rasim Çoku ka blerë gjithsej 150 karta telefonike për katër ditë dhe më pas telefonuesi i ka thënë se duket të paraqitej me gjeneralitetet e tij dhe një dokument të vlefshëm identifikimi në bankë për të marrë çmimin e fituar.
Menjëherë 58- vjeçari ka shkuar në bankë që të tërhiqte çmimin por atje ka kuptuar se nuk ekzistonte asnjë çmim dhe gjithçka ishte një mashtrim. Aktualisht strukturat e komisariatit të policisë në Elbasan kanë nisur hetimet për të gjetur autorin e mashtrimit. Për të ekzistojnë vetëm disa telefonata dhe asnjë provë tjetër. Për këtë çështje ka nisur procedimi penal vjedhje me anë të mashtrimit, vepër penale parashikohet nga neni 143 i Kodit Penal.(Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment