Bllokohen 77 kg hashash, në pranga dy nga trafikantët


POGRADEC- Bllokohen 77 kilogramë hashash në Qafë Thanë, arrestohen dy prej trafikantëve. Operacioni i koduar me emrin “Rrufeja” do të kishte qenë edhe më i suksesshëm nëse një prej trafikantëve të lëndës narkotike nuk do t’i kishte shpëtuar policisë përpara syve duke ikur me vrap. Edhe pse policia e ka ndjekur nga pas me qen ai ka mundur të shpëtojë. Në prangat e policisë ranë vetëm Eugen Hysenaj dhe Dritan Çunaj, të dy nga Vlora, ndërsa i treti është shpallur në kërkim.

Ata kishin planifikuar që ta trafikonin lëndën narkotike në drejtim të Maqedonisë e më pas në Greqi por janë ndaluar nga policia e Pogradecit shumë pranë kufirit.

Pak kohë më parë, policia e Pogradecit kishte rënë në gjurmë të një rrjeti të trafikut të lëndëve narkotike që kalonte përmes Qafë Thanës. Të dhënat operative të policisë tregonin për hashash që mbillet e kultivohet në Vlorë dhe pasi bëhet gati niset për në Greqi duke kaluar nëpërmjet Maqedonisë. Kështu hetuesit kanë bërë gati planin e veprimit dhe kanë qëndruar në pritje të mbërritjes së trafikantëve të lëndës narkotike. Sapo ka kaluar ora 01.00 e mëngjesit të djeshëm një veturë tip “Audi” me targa “VL 38 36 C” ka kaluar me shpejtësi të madhe e ndjekur nga pas nga një tjetër makinë, tip “BMË” me targa “FR 50 40 F”, përpara një postblloku policie. Uniformat blu i kanë bërë shenjë që të ndalojë por ai kanë vazhduar udhën. Menjëherë në ndjekje të tyre janë vënë forcat e policisë dhe disa minuta më pas një prej makinave ka pësuar aksident. “Audi” me targa “VL 38 36 C” ka dalë jashtë rrugës vetëm pak metra larg fshatit Lin dhe ka përfunduar në kanal. Drejtuesi i saj, ka përfituar nga errësira e natës dhe është larguar me vrap duke i shpëtuar policisë. Ndërkohë disa minuta më pas është bërë bllokimi i makinës së dytë, në të cilën ndodheshin shtetasit Dritan Çuni, 25 vjeç dhe Eugen Hyseni, 22 vjeç. Kontrolli i ushtruar nga policia në makinën që ka përfunduar në kanal ka zbuluar 91 pako me lëndë narkotike hashash. Ndërkohë në makinën e dytë nuk është gjetur asnjë sasi droge. “Nga hetimet paraprake ka rezultuar se dypersonat janë arrestuar në flagrancë duke trafikuar 91 pako ose 77.7 kg lëndë narkotike e dyshuar si hashash. Dy shtetasit e arrestuar kanë qenë duke udhëtuar me makinën tip Audi me targa Vl 3836 C, e cila i paraprinte makinës BMW me targa Fr 6040 C, në të cilën ndodhej edhe lënda narkotike”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë së shtetit. Sipas tyre, personi i tretë, i larguar është identifikuar dhe është shpallur në kërkim nga forcat e policisë. Në momentin e arrestimit policia ka sekuestruar sasinë prej 77.7 kg lëndë narkotike, dy automjete si dhe një sasi valute te huaj. Materialet hetimore për këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, e cila është duke hetuar në lidhje me persona të tjerë të implikuar në këtë rrjet trafiku.

NDJEKJA

Shoferi i drogës u arratis nga mali
Burimet e policisë lokale pohuan dje për “Shekullin” se drejtuesi i mjetit ka zbritur nga makina dhe me shpejtësi është larguar në drejtim të malit. Policia me forca të shumta është vënë në ndjekje të tij në një aksion që drejtohej vetë nga shefi i komisariatit të Pogradecit, Rakip Hoxha por pa rezultat. Ata kanë vënë në përdorim edhe qentë me erë por nuk kanë mundur të gjejnë shoferin e drogës. Burime nga grupi i policëve që ka marrë pjesë në ndjekje pohuan dje se sipas gjurmës së qenit të kufirit, shoferi i makinës ka ecur përgjatë malit, në një rrugë dytësore më pas ka dalë në rrugën kryesore tek vend i quajtur kthesa e Panajotit. Ndërkohë gjatë kontrollit në makinë është gjetur patenta dhe disa dokumente të tij, të cilat kanë zbuluar edhe emrin. Nga ana e policisë shqiptare është njoftuar edhe shteti fqinj i Maqedonisë mbi karakteristikat e autorit.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors