Shqipëria, mes vendeve që kanë furnizuar me armë Sudanin, Ugandën dhe Republikën Demokratike të Kongos
Një automatik kallashnikov gjendet lehtësisht për 12-20 dollarë në vendet në konflikt të Afrikës
Trekëndëshi i egër territorial, ku takohen kufinjtë e Sudanit, Ugandës dhe Republikës Demokratike të Kongos zyrtarisht është në paqe, për herë të parë në dy dekada.
Tre luftëra civile ndërmjet viteve 1983 dhe 2005 në Sudanin jugor, Ugandën veriore dhe në Kongo e kanë bërë këtë rajon më të paqëndrueshmin në botë. Megjithatë, pakti është i brishtë, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes tre vendeve, ndërsa situata mund të përshkruhet si "paqe e dhunshme" për shkak të qarkullimit të armëve të lehta.Armët kanë vërshuar në rajon më shumë sesa vitet në konflikt. Lëvizjet e rebelëve në Sudan, Uganda dhe Kongo shpeshherë mbështeten nga qeveritëfqinje, të furnizuara me armë që vijnë nga vende aq të ndryshme si Shqipëria, Izraeli, Afrika e Jugut, Ukraina, Britania dhe Etiopia. Askush nuk e di sesa armë të lehta gjenden në duart e grupeve guerile, grupeve kriminale apo civilëve të zakonshëm.
Kallashnikovi mund të sigurohet lehtë në tregun e Sudanit jugor për 12-20 dollarë, e në disa raste, të shkëmbehet për një pulë. Komisioni i Drejtësisë dhe Paqes, i mbështetur nga dioqeza e Kishës Katolike në Arua, në jug të Ugandës sapo ka filluar një fushatë kundërshtimit të armëve dhe trafikimit të tyre në kufinjtë mes Ugandës, Sudanit dhe Republikës Demokratike të Kongos. "Ne e njohim rrezikun e armëve dhe nuk ekziston një shtetas nga Uganda, Sudani apo Kongo që të mos ketë humbur ndonjë të afërm prej armëve",-thotë David Okello, i cili punon për këtë Komision. "Kërcënimi është real, megjithëse shumë njerëz e pranojnë atë. Është si virusi HIV". Në fakt, sipas statistikave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, armët e lehta janë vrasësi i dytë më i madh në Afrikë, që shkakton më shumë vdekje sesa turberkulozi apo HIV/AIDS. Ato cilësohen si armët e shkatërrimit në masë për Afrikën, pasi janë gjithkund të gjendura dhe shumë të lira. "Shumë njerëz e nënvlerësojnë kërcënimin që vjen prej armëve ilegale. Statistikat e krimit në veri të Ugandës tregojnë se vrasjet apo pengmarrjet janë të zakonshme dhe jemi duke folur vetëm për raste të regjistruara",-shton ai.
***
Raporti i mësipërm tregon se 50-60 për qind e armëve që përdoren në Kongo janë kallashnikovë të prodhuar në Rusi dhe të trafikuar nga furnitorë prej ish-Bashkimit Sovjetik apo edhe Evropës Juglindore. "Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, republikat sovjetike, më së shumti Ukraina, po edhe vende të bllokut lindor, i shitën armët e tyre. Marrëveshje të tilla shpesh janë bërë më të lehta prej ndërmjetësve, të cilat kanë kompani që veprojnë në shumë shtete",-thuhet në raportin e mësipërm. Përveç shteteve të ish-Bllokut Lindor, ku bën pjesë edhe Shqipëria,shumë armë besohet se vijnë nga Gjermania, Franca, Britania apo Afrika e Jugut. Përg: a.bogdani
MEICO lidhi kontratë me Armeninë, por Azerbajxhani protestoi
Konflikti ndërkombëtar pas kontratës me Armeninë
TIRANË- Një konflikt ndërkombëtar për një ngarkesë armësh të nisur drejt Armenisë dhe një tjetër raport që pohon se kallashnikovët shqiptarë gjenden lehtësisht në Uganda. Megjithëse vendi ynë ka ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare që ndalojnë tregtinë e armëve me shtete në konflikt, ende është e paqartë se si dhe ku i shet armët MEICO. Vetëm pak javë më parë, Azerbajxhani ka nisur një notë-proteste në adresë të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, çka solli edhe kthimin në Shqipëri të 60 kontenierëve me armë dhe artileri ajrore,për të cilat kompania shtetërore MEICO kishte lidhur një kontratë me Armeninë. Si në këtë rast, ashtu edhe në raste të tjera kur është përfolur se armët shqiptare përfundojnë në Afrikë, nga MEICO nuk ka ardhur asnjë sqarim për opinionin publik, duke hedhur më shumë hije dyshimi për mënyrën sesi funksionon kjo kompani.
Ngarkesa me armë, e nisur drejt Armenisë është bllokuar pak javë më parë në Turqi. Fill pas këtij lajmi, zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes deklaruan se do të kërkonin një rrugë të dytë për t'i dërguar armët në destinacion, por ndërkohë një mori reagimesh në shtypin azerbajxhanas e detyruan palën shqiptare të tërhiqej. Pas notë-protestës së Azerbajxhanit, ministri Basha e siguroi këtë të fundit që armët do të ktheheshin në Shqipëri, ndërsa kontrata me Armeninë do të anulohej. Turqia, një prej përkrahësve më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe reformave të saj drejt anëtarësimit në NATO ka qenë e interesuar drejtpërdrejt në çështjen e tregtisë së armëve me Armeninë dhe duket se ka ushtruar ndikimin e saj, që Shqipëria të tërhiqej nga biznesi i armëve dhe municioneve. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment