Monedha vendëse lek ka pasur gjatë këtij sezoni pushimesh edhe mbiçmimin më të ulët të saj në vite.
Në fund të muajit korrik një euro këmbehej me rreth 121.7 lekë, ndërsa kursi mesatar ditor në fundin e kësaj jave ka pasur një nivel prej 122.7 lekë për një euro.
Mbiçmimi i pakët i lekut gjatë kësaj periudhe, ka filluar që të ndjehet që në vitin 2006-të, duke shkelur disi pritjet e aktorëve të tregut.
Në vitet që prej 2005-ës e më tej, monedha evropiane euro (apo monedhat e tjera evropiane para futjes së euros në treg) dhe dollari, pësonin një rënie të ndjeshme në kursin e këmbimit të lekut. Shkaqet janë të lidhura ngushtë me rritjen sezonale të ofertës së valutës në vend, që bën edhe zhvlerësimin e saj kundrejt lekut.
Sipas specialistëve të tregut financiar, një situatë e tillë ka qenë e pritshme gjatë këtij viti, pasi importi i energjisë me rreth 1 milionë euro dita, i nisur që në fund të vitit 2006-të e në vazhdim, bën që kërkesa për valutë në tregun e brendshëm të rritet dhe të balancojë në këtë mënyrë edhe ofertën e tepërt sezonale.
Nga ana tjetër janë shtuar zërat për blerje të mëdha valute në periudhën e pushimeve, nga ata të ashtuquajturit spekulatorë. Blerjet realizohen për një shitje të shpejtë pas pak javësh, duke sjellë edhe fitime të mëdha për këta tregtarë që në gjuhën e financave quhen spekulatorë. (Biznesi)
0 Comments:
Post a Comment