Kriza, BSH: Jo më shumë se 4% inflacion


Kriza energjitike nëse zgjatet tej vjeshtës, pritet të sjellë goditje të rëndë në ekonomi. Deklarata bëhet nga ana e Bankës së Shqipërisë, ku sqarohet se ende nuk janë dhënë efektet e plota të kësaj krize të thellë energjitike.

Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së në mbledhjen e tij të radhës veçoi situatën e vështirë energjetike që po kalon vendi, pasojat e të cilës do të varen ndjeshëm edhe nga kohëzgjatja e saj. "Intensiteti dhe shtrirja e pasojave të drejtpërdrejta, si dhe e atyre të raundit të dytë, do të jenë subjekt i kohëzgjatjes së saj, veçanërisht në rastin kur ajo do të kalojë kufijtë e parashikuar dhe të faktorizuar nga agjentët ekonomikë", - ka bërë të ditur BSH.

Sipas këtij parashikimi, jemi ende në periudhën ku efektet e kësaj krize energjitike nuk kanë filluar të përcillen në ekonomi dhe BSH parashikon që muajt në vazhdim të mbartin koston për ekonominë.

Inflacioni jo më shumë se 4%

Në përgjigje të kristalizimit të mundshëm të këtyre rreziqeve, Banka e Shqipërisë bën të ditur se mbetet e vendosur të ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme për të mbajtur të pandryshuara pritjet inflacioniste, të ankoruara në nivelin objektiv 3 për qind, me një zonë tolerance plus/minus 1 pikë përqindje. Deklarata e autoritetit qendror monetar lë të kuptohet se nëse situata në sektorin e energjisë nuk përmirësohet, atëherë ky institucion pritet të marrë masa të tjera shtrënguese për të penguar një rritje të mundshme të inflacionit. Politikat monetare shtrënguese janë të pranishme në situata të tilla ku ka presion për rritje çmimesh.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka analizuar edhe zhvillimet e pritshme në çmimet e konsumit. Analiza e balancës së rreziqeve, si dhe parashikimet për inflacionin në 12 muajt në vijim, japin sinjale të qarta për një gjallërim të presioneve inflacioniste në të ardhmen. Ndërveprimi i faktorëve të ndryshëm të lidhur si me ofertën, ashtu dhe me kërkesën, mbart rrezikun potencial për të ndikuar negativisht, veçanërisht, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin. Ndërsa për muajin korrik, inflacioni vjetor rezultoi 2.1 për qind, ecuria në rritje e normës vjetore të inflacionit bazë gjatë dy muajve të fundit, sinjalizon praninë e presioneve të gjeneruar nga krahu i kërkesës, të cilave u janë shtuar edhe presionet nga krahu i ofertës.

Zbehet kërkesa e privatëve për para

Zhvillimet në treguesit monetarë, në muajin qershor, kanë regjistruarritme më të ngadalta rritjeje se në muajt e parë të vitit. Pakësimi i pretendimeve neto ndaj qeverisë dhe ngadalësimi i rritjes së kërkesës së sektorit privat për mjete monetare kanë qenë faktorët përcaktues të rritjeve më të ulëta të vitit për treguesit monetarë, në këtë periudhë. Teprica e kredisë për ekonominë, me rritje vjetore prej 53.6 për qind, arriti në 25 për qind të PBB-së së programuar për vitin 2007-të. Vëmendja e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë u ndal edhe në cilësinë e portofolit të kredisë, duke insistuar edhe njëherë në nevojën për adoptimin e praktikave më të kujdesshme kredituese nga ana e sistemit bankar.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors