Kriza pa zgjidhje, vihet në punë TEC-i i Fierit


Vendimet e shumta të marra nga qeveria në këto muaj krize energjie, nuk kanë mundur që të sjellin asgjë të re për orët e gjata të territ që kanë mbërthyer vendin.

Pas një vere tepër të vështirë, me mungesa të theksuara të energjisë edhe të ujit, vendin, sipas gjasave, e njëjta situatë pritet që ta shoqërojë edhe gjatë dimrit. Qeveria duket e pafuqishme për të ndryshuar këtë situatë, ndërsa Kryeministri Berisha edhe gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë i ka paraprirë me fjalën e tij një dimri të vështirë për sa i përket furnizimit me energji.

Qeveria "harron" koncesion për TEC-in e Fierit

Situata ende pa zgjidhje e energjisë elektrike, ka çoroditur qeverinë në vendimet e saj. Tec-i i Fierit i llogaritur pak muaj më parë për t'u dhënë me koncesion, për vetë faktin se nuk paraqiste më interes për t'u vënë në punë, është paraqitur dje si një nga mundësitë për të përfituar pak më shumë orë dritë. Ky koncesion u parashikua që të realizohej me strategjinë 1 euro, që ende nuk ka dhënë ndonjë rezultat në realitet.

TEC-i i Fierit, më shumë ndotje se energji

Kriza energjitike e vitit të kaluar e detyroi KESH-in që të vërë në punë TEC-in e Fierit që tashmë mbetet një vepër tejet e amortizuar. Megjithatë duket se edhe në këto kushte termocentrali që tashmë prodhon më shumë ndotje se energji, ka ndihmuar një pjesë të mirë të qytetit të Fierit gjatë ditëve të krizës që po kalojmë. Gjatë krizës së vitit 2006-të, ky termocentral ka punuar në pjesën më të madhe të kohës me rreth 30% të kapacitetit duke lëshuar në ajër dhe një sasi tepër të madhe ndotjesh. Ndërsa KESH-i bën të ditur se me vënien në punë gjatë muajve në vazhdim, me anë të këtij TEC-i pritet që të prodhohet 900 mijë kilovat orë energji në ditë. Një sasi e tillë energjie mbetet e konsiderueshme, në kushtet që KESH-i, maksimumi i energjisë që ka importuar në këto dy muaj krize ka qenë 7-8 milionë kilovatorë në ditë.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors