TIRANË- Një operacion i orëve të fundit i strukturave policore kundër krimit në Rinas ka çuar në pranga tre persona, mes të cilëve një doganier, ndërsa ndiqen në gjendje të lirë edhe dy punonjëse të doganës së aeroportit. Burime nga policia pohuan mbrëmë për "Shekullin" se operacioni ishte organizuar në orët e pasdites së djeshme nga policia kriminale e Rinasit, e cila kishte ndaluar me 107 orë dore dhe 2.2 kilogramë bizhuteri në flori kontrabandë Sami Reçin, 34 vjeç dhe Erjon Ndregjonin, 26 vjeç. Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është arrestuar edhe Refik Hasani, doganier në aeroport, i akuzuar se kishte mundësuar kalimin e mallrave kontrabandë.
Burime nga policia bënë të ditur për "Shekullin" se dy të arrestuarit ishin kapur jashtë aeroportit, pasi më parë kishin kaluar doganën dhe sistemin e kontrollit, pa paguar detyrimet për mallin. Policia saktësoi se personat po vinin nga Turqia me avionin e linjës "Turkish Airlines",ku mendohet se kanë marrë mallin, të cilin do e fusnin pa doganë në Shqipëri. Burime nga policia e Rinasit thanë se që më parë kishin marrëinformacion për këtë linjë të trafikut të bizhuterive dhe sendeve të tjera të florinjta dhe kishin pritur rastin për të arrestuar në flagrancë personat e përfshirë në këtë rrjet. Kështu, ndërsa Reçi kthehej dje për të disatën herë nga Turqia, është mbajtur në vëzhgim nga agjentët e antikrimit. Mësohet se pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se Reçi e bënte këtë rrugë dy herë në muaj. Këta e kanë ndaluar atë dhe bashkëpunëtorin e tij dhe pas një kontrolli të imtësishëm u kanë sekuestruar të gjithë mallin që kishin me vete.
***
Policia bëri me dije se dy personat kishin me vete 107 orë të lara në flori, të llojeve dhe modeleve të ndryshme si dhe 2.2 kilogramë flori në bizhuteri. Menjëherë pas arrestimit dhe marrjes në pyetje të të dyshuarve për kontrabandë, policia ka nisur hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorin e tyre në doganë. Hetimet i kanë çuar agjentët e antikrimit tek doganieri Refik Hasani dhe dy punonjëset e tjera të doganës Najada Pepa dhe Kozeta Koçi. Ndërkohë që i pari është arrestuar për shpërdorim të detyrës, Pepa dhe Koçi po hetohen në gjendje të lirë për të njëjtën akuzë, ndërsa ndaj tyre pritet të merren masa administrative. Policia e Rinasit ia ka kaluar këtë çështje kolegëve të luftës kundër krimit ekonomik në drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilët do të ndjekin në vazhdimësi hetimet mbi kontrabandën e floririt nga Turqia në Shqipëri. (Shekulli)
0 Comments:
Post a Comment