Kakavije, prishen kompjuterat grekë, sërish rradhë pritjeje


Mëngjesi i së premtes në doganën e Kakavijes ka shënuar sërish rradhë pritjeje për emigrantët shqiptarë që pas përfundimit të pushimeve verore nxitojnë të kthehen në vendet e tyre të punës në shtetin fqinjë, Greqi. Një defekt në sistemin kompjuterik në doganën greke të Kakavijes ka bërë që emigrantët shqiptarë të presin për gati dy orë nën diellin përvëlues të gushtit.

Sipas zëdhënësit të policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai " në orën 08.00 pala greke ka njoftuar për bllokimin e punës në doganë si shkak i një defekti teknik në sistemin kompjuterik". Ndërprerja e punës nga pala greke ka shkaktuar bllokimin e lëvizjes së këmbësorëve dhe automjeteve në të dyja anët e kufirit shqiptaro-grek.

Duke qenë se ky ka qenë një rast i përsëritur pasi mbasditen e së enjtes puna në doganën greke të Kakavijes u bllokua për 8 orë rresht, menjeherë pas marjes së njoftimit Drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër, Shpëtim Baçi ka komunikuar me përfaqsues të policisë së Epirit ( Greqi) si dhe konsullin shqiptar në Janinë Eshref Shehu për zhbllokimin e situatës.

"U kërkova homologëve grekë të policisë së Epirit dhe konsullit Shehu për të ndikuar në rregullimin sa më shpejtë që të ishte e mundur të defektit në sistemin kompjuterik të doganës greke dhe fillimin e punës në këtë pikë", thotë drejtori i Policisë së Gjirokastrës. Gjatë kësaj kohe për shkak të bllokimit të punës në doganën greke rradha e pritjes së automjeteve në tokën shqiptare ka arritur në 1 kilometër. Policia e Gjirokastrës ka marrë të gjitha masat për t'iu ardhur në ndihmë emigrantëve të bllokuar në rradhë duke shpërndarë ujë dhe kruasanë për fëmijë.

Ndërkohë në ndihmë të emigrantëve ka qëndruar edhe një autoambulancë me një ekip mjekësh të spitalit të Gjirokastrës për t'iu ardhur atyre në ndihmë në rast emergjence shëndetsore. Ndërkohë rreth orës 09.10 pala greke ka rregulluar defektin teknik në sistemin kompjuterik duke bërë të mundur edhe rrifillimin e punës dhe kthimin e normalitetit të lëvizjes së këmbësorëve dhe automjeteve në të dyja anët e kufirit shiptaro-grek.
Gjatë mëngjesit të së premtes nëpërmjet doganës së Kakavijes kanë lënë pas tokën shqiptare për të udhëtuar në drejtim të Greqisë 5 347 emigrantë si dhe 1 244 automjete. (Biznesi)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors