KLSH: Albtelekom, tenderi 10 mln euro, abuziv


azeta "Shekulli" denoncoi skandalin financiar që në nisjen e tij, duke shmangur një humbje prej miliona eurosh

Tenderi 10 milionë euro i shpallur nga kompania asokohe shtetërore "Albtelekom", është abuziv pasi ai realizohet në një kohë që shoqëria "Albtelekom" sh.a ishte në proces privatizimi. Raporti për këtë shkelje të rëndë financiare jepet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e tij për vitin 2006-të.

Sipas kronologjisë së ngjarjeve të këtij privatizimi (që u përfshi në një sërë skandalesh financiare me vlerë miliona euro), në kohën që u shpall tenderi për blerjen e 200 mijë portave ADSL, me vlerë 10 milionë euro, kompania "Albtelekom" i ishte shitur nga qeveria Nano turqve të Çalik, dhe ishte kthyer me një vendim të qeverisë Berisha pas ardhjes në pushtet. Por pas dy vjetësh, pikërisht para rreth 2 muajsh, qeveria Berisha ia shiti përsëri turqve këtë kompani, me një vlerë të njëjtë sa Nano, 120 milionë euro.

Por gjatë kësaj periudhe 2-vjeçare, kur kontrata po shqyrtohej edhe njëherë nga vlerësuesi "Deloitte & Touch", Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar, në një kontroll të tijin për vitin 2006-të, një sërë shkeljesh në tenderin 10 milionë dollarësh të njoftuar nga "Albtelekom". Sipas raportit të KLSH-së, "me vendimin nr. 48, datë 23.8.2006, Këshilli Mbikëqyrës i kompanisë ka autorizuar shoqërinë "Albtelekom" sh.a. të prokurojë blerjen për 200 000 porta ADSL, me një vlerë prej 10 milionë euro, sipas relacionit të Drejtorisë, si dhe fondi të sigurohet me kredi bankare. Për këtë investim, nga Drejtoria e "Albtelecom"-it është bërë kërkesë me shkresat nr. 6553, datë 19.9.2006 dhe nr. 8804, datë 27.11.2006 drejtuar Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve, Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe miratuar nga kjo e fundit me shkresën nr. 8646/1, datë 27.11.2006". Referuar raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ky vendim i marrë nga KM është abuziv dhe ka shkelje të mëdha financiare, pasi "vendimi i Këshillit Mbikëqyrës merret në një kohë që shoqëria "Albtelekom" është në proces privatizimi". Tenderi i mësipërm për të blerë 200 mijë porta ADSL (një numër ky tepër i madh për një kompani që u shit tek turqit e konsoriumit "Cetel", në përbërje të të cilit është edhe kompania"Çalik"),është zhvilluar në mesin e muajit mars të këtij viti, ndërsa kompania "Albtelekom" u shit tek turqit 2 muaj më vonë.

***

Shkeljet e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në shpalljen e tenderit janë të shumta. Kështu, "Albtelekom", sipas raportit të KLSH-së, i mungon studimi i tregut për llogaritjen e këtij fondi. Sipas specialistëve të fushës së telekomunikacioneve, "prova në fushën teknike, që flet qartë për mundësinë e abuzimeve në shifra të mëdha me këto para të qytetarëve shqiptarë, është fakti se "Albtelekom" praktikisht, nuk ka mundësi t'u ofrojë klientëve 200 mijë porta. Tenderi u zhvillua në muajin mars për këtë numër, pra 200 mijë porta, kur kapacitetet e kësaj kompanie në instalim dhe numër abonentësh nuk ishin më shumë se 50 mijë porta.

***

Shkelja e radhës e nxjerrë nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, është mungesa e çmimit të një porte. "Në tender nuk është i caktuar çmimi/njësi për 1 portë ADSL", sqaron raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sipas specialistëve të kësaj fushe, çmimi i tenderit të shpallur nga "Albtelekom" është 4 deri në 5 herë më i madh seç ishin vlerat e tregut për portat ADSL.

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors