Bllokimi i lejeve, ndërtimi në kolaps


Sipas të dhënave zyrtare nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe Institutit të Statistikave, viti 2007-të mund të quhet dhe viti i krizës për sektorin që jep tashmë më pak se 9.5 % të produktit të brendshëm bruto, nga 12.5-13 për qind që zinte dy vite më parë. Rënia e shitjeve në një krahasim vjetor për pjesën e parë të vitit 2007-të me atë të vitit 2006-të shkon në 31%, ndërsa në bazë tremujore rënia e shitjeve është rreth 40%.

Bllokimi për më shumë se një vit i lejeve të ndërtimit dhe dhënia tre herë më pak e lejeve për të ndërtuar në vitin 2006-të krahasuar me vitin 2005-të, janë edhe faktorët kryesorë që kanë çuar sektorin e ndërtimit drejt një gjendje tepër të vështirë. Situata e vështirë në të cilën është futur sektori më vital i ekonomisë, pranohet edhe nga përfaqësuesi i shoqatës së ndërtuesve, Luigj Aleksi, i cili bën të ditur se “ndërtimi është sektori më vital i ekonomisë ku paguhen rreth 5 miliardë lekë taksa në vit, ose thënë ndryshe 20% e taksave që mbledh buxheti nga biznesi.

Duke pasur parasysh edhe efektin negativ në numrin e të punësuarve dhe në të gjithë ekonominë në vijimësi, atëherë duhet që kjo situatë të zhbllokohet sa më shpejt”, - tha Aleksi. Sipas specialistëve të kësaj fushe, gjendja e vështirë që po kalon sektori i ndërtimit gjatë vitit 2006-të dhe 2007-të, pritet që t’i mbartë efektet edhe në dy vitet në vazhdim.

Ligji që bllokoi lejet e ndërtimit

Që prej fundit të vitit 2006-të, Bashkia Tiranë nuk ka një Këshill të Rregullimit të Territorit, sepse Gjykata Kushtetuese shpalli antikushtetuese nenet e Ligjit “Për Urbanistikën”, që përcaktonin përbërjen e saj. U mendua se situata do të zgjidhej me amendimet përkatëse në ligj, por këto ndryshime u bënë shkas për një konflikt të ri. Projektligji i përgatitur nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve u kundërshtua ashpër si nga Bashkia Tiranë, ashtu dhe nga Shoqata e Ndërtuesve. Ndonëse qeveria e kaloi ligjin në kuvend, Bashkia Tiranë e ka çuar përsëri çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Argumenti kryesor i Bashkisë, që mbështetet edhe nga ndërtuesit, është që për Tiranën nuk mund të vendosen standarde të ndryshme ligjore nga njësitë e tjera administrative.

KRRT-ja. Qeveria, me ndryshimet në ligj, ka vendosur që në përbërje të KRRT-së së Tiranës të vazhdojë të jetë një përfaqësues i MPPTT-së dhe vendimet të merren me 2/3 e votave. Këshilli i Rregullimit të Territorit sipas këtij ligji përbëhet nga 9 anëtarë prej të cilëve 5 anëtarë do t'i përkasin PS-së dhe 4 anëtarë PD-së, por ndërkaq drafti parashikon formulën me 2/3 e anëtarëve, çka do të thotë që vendimet do të miratohen me 6 vota. Në njësitë e tjera vendore KRRT përbëhet vetëm nga përfaqësues të pushtetit vendor dhe vendimet merren me shumicën e thjeshtë të votave.

Shitjet bien 40%, ndërtimi humbet miliona euro

Pjesa e parë e këtij viti ka konfirmuar se ndërtimi është përfshirë nga një krizë e thellë që zanafillën e ka tek mungesa e lejeve. Sipas të dhënave zyrtare nga ana e Bankës së Shqipërisë dhe Institutit të Statistikave viti 2007-të mund të quhet dhe viti i krizës për sektorin që jep tashmë më pak se 9.5 % të produktit të brendshëm bruto nga 12.5-13 për qind që zinte dy vite më parë. Rënia e shitjeve në një krahasim vjetor për pjesën e parë të vitit 2007-të me atë të vitit 2006-të shkon në 31%, ndërsa në bazë tremujore rënia e shitjeve është rreth 40%.

Çmimet rriten me 20%

Nuk është tashmë një fenomen i panjohur rritja e çmimeve në këto nivele për këtë sektor. Sipas Agjencive Imobiliare rritja për pjesën e parë të vitit është 20-25%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe Banka e Shqipërisë nga ana e saj bën të ditur se për tre muajt e parë të këtij viti, rritja në çmime shkon në rreth 17%. Sipas Bankës së Shqipërisë rritja në çmime vjen në pjesën më të madhe për shkak të raporteve kërkesë/ofertë. Kështu, sipas analizave të këtij institucioni, vetëm 3% është rritja në çmimet e banesave që ka ardhur për shkak të kostove, ndërsa pjesa tjetër vjen për shkak të një kërkese më të madhe në ndërtim se oferta. Oferta e këtij sektori, në ndryshim nga degë të tjera të ekonomisë është e ngurtë dhe varet në radhë të parë nga lejet e ndërtimit.

Çmimet e trojeve, pronarët kërkojnë 40% të pallatit

Pjesa e madhe që kërkojnë pronarët e truallit vlerësohet nga ndërtuesit si faktor në rritjen e çmimeve

Sipas ndërtuesve, situata do të shoqërohet me pasoja të rënda për sektorin e ndërtimit dhe për ekonominë në përgjithësi. Sipas tyre, “mungesa e lejeve ka ulur aktivitetin e ndërtimit dhe shumë firma po punojnë me kapacitet minimal. Kjo rrezikon të thellojë plagën e papunësisë dhe të fryjë më tej çmimet e apartamenteve në Tiranë për shkak të ngrirjes së ofertës”.

Për të ndërtuar një pallat në një nga zonat me kërkesë të lartë për ndërtime, ndërtuesve i duhet që t’i japin pronarit të truallit deri në 45% të ndërtimit të përfunduar. Sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi, ky është një nga faktorët shtesë që po ndikon në rritjen e kostove në ndërtim dhe njëkohësisht edhe të çmimeve. “Pushteti qendror dhe ai lokal duhet të ndërhyjnë në këtë treg që po zhvillohet jo në mënyrë normale, duke dhënë për ndërtime troje me një kosto më të lirë dhe njëkohësisht një ndihmesë të rëndësishme edhe në zgjidhjen e problemeve të madha të strehimit”, - sqaron Aleksi.Megjithatë ndërtuesit vënë theksin tek lejet e ndërtimit si problemi kryesor i agravimit të situatës. Sipas ndërtuesve, situata do të shoqërohet me pasoja të rënda për sektorin e ndërtimit dhe për ekonominë në përgjithësi. Sipas tyre, “mungesa e lejeve ka ulur aktivitetin e ndërtimit dhe shumë firma po punojnë me kapacitet minimal. Kjo rrezikon të thellojë plagën e papunësisë dhe të fryjë më tej çmimet e apartamenteve në Tiranë për shkak të ngrirjes së ofertës”.

Premtimi, në shtator lejet e para për 2007-ën

Sipas përfaqësuesit të Shoqatës së Ndërtuesve, Luigj Aleksi, nga ana e qeverisë dhe bashkive është premtuar që Këshillat e Rregullimit të Territorit do të mblidhen në shtator dhe do të shqyrtojnë projektet për ndërtime të paraqitura nga ana e bizneseve.

” Ne kërkojmë nga ana qeverisë dhe bashkive në të gjithë vendin që ta shikojnë miratimin e lejeve të ndërtimit si një proces teknik, dhe jo si një duel politik midis palëve. Këto këshilla duhet të jenë tryeza ekspertësh ku të diskutohen dhe zgjidhen projektet më të mira, në mënyrë që ky sektor të punojë me kapacitete dhe cilësi të lartë”, - tha Aleksi.

BSH: Kërkesë e lartë në ndërtim

Niveli i lartë i kërkesës dhe oferta e kufizuar në lejet e ndërtimit, janë pasqyruar në çmimet e larta të banesave. Ky është edhe përkufizimi që i bëhet konjukturës së tregut në këtë sektor që duket se është në ditët e tij më të vështira nga ana e Bankës së Shqipërisë. Edhe sipas ndërtuesve, në këtë sektor vazhdon që të ketë një kërkesë të lartë për ambiente tregtare dhe për banesa. Sipas tyre, liberalizimi i lejeve të ndërtimit do sjellë një normalizim të konjukturës së çmimeve, të cilat aktualisht kanë një trend më të lartë rritje se sektorët e tjerë të ekonomisë.

Ndërtimi dy vjet në rënie

Nëse viti 2006-të ishte rënia e madhe në ndërtim, viti 2007-të duket se do të sjellë të dhëna edhe më negative. Sipas të dhënave gjatë vitit 2006-të, në Tiranë dhe në Durrës industria e ndërtimit ka pësuar një rënie prej 40%. Një situate e tillë është e pritshme në një kohë që gjatë vitit 2006-të vetëm në Tiranë numri i lejeve të ndërtimit ka rënë 3 herë, në krahasim me vitin 2005-ë. Ndërsa për 2007-ën, siç e përmendëm edhe më lart, nuk është dhënë asnjë leje deri tani. Edhe pesha e sektorit të ndërtimit në pjesën që ai zë në produktin e brendshëm bruto, për vitin 2007-të vlerësohet që të jetë 9.5% nga 25% që ishte në vitin 2004. (Biznesi)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors