Për të dytin vit radhazi kursimet e shqiptarëve vazhdojnë të bien, duke treguar përkeqësim të portofolave familjarë.
Vitet 2005-2006 kanë tregues disa pikë më të ulët se vitet pararendëse. Rezultati është bërë nga INSTAT-i që ka bërë krahasimin në harkun kohor të viteve 1996-2006. Brenda këtyre 10 viteve Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) është rritur gati dyfish, nga 351 milionë lekë të reja të vitit 1996 në rreth 899 milionë lekë të reja në vitin 2006, me një kurbë që ka ardhur gjithnjë në rritje vit pas viti.
Por nuk ka ndodhur kështu me kursimet private të llogaritura në përqindje nga PBB-së. Në shifra ato kanë rënë në dy vitet e fundit në nivelin e vitit 1996. Konkretisht, në vitin e lulëzimit të firmave piramidale kursimet private në përqindje ndaj PBB-së ishin në nivelin e 15,4 për qind. Në vitin 2005 kjo shifër ishte 15.9 për qind, ndërsa në vitin 2006 ishte 16.7 për qind. Nivelin më të ulët këto kursime e kishin në vitin e rënies së firmave piramidale (1997) dhe dy vite më pas, me shifrat përkatëse, 12.5, 12 dhe sërish 12.5 për qind. Në vitet 2000-2001 ato u rritën në 21,9 për qind dhe 25.4 për qind, për të rënë sërish, por gjithsesi jo në nivelet e viteve 2005-2006.
Ndërkohë kursimet private të shqiptarëve brenda dhjetëvjeçarit të fundit janë trefishuar. Nëse më 1996 ato ishin në nivelin e 54 milionë lekëve të reja, në vitin 2006 ato ishin në 150 milionë lekë të reja. Por edhe brenda kësaj kohe me luhatje të mëdha. Niveli i vitit 2006 është afërsisht i njëjtë më atë të vitit 2001, për të ardhur me ulje të ndjeshme në vitin 2002 në shifrën 109 milionë lekë të reja dhe për tu ringritur në kuotën e vitit 2001 në vitin 2004 me 148 milionë lekë të reja.
0 Comments:
Post a Comment