TIRANË- Ftesa për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO është një vendim politik që do të merret në Samitin e Bukureshtit, i cili do të zhvillohet në muajin prill. Kështu është shprehur ministri gjerman i Mbrojtjes, Franc Jozef Jung pas takimit që zhvilloi dje me homologun shqiptar, Fatmir Mediu, duke theksuar se duhet më shumë punë në drejtësi dhe polici. Gjithashtu, Jung bëri të ditur se në shtator NATO do të bëjë një raport për hapat e zhvillimit të Shqipërisë drejt saj. "NATO në shtator do të bëjë një raport për hapat e zhvillimit të Shqipërisë.
Ftesa është një vendimi politik që mund të merret në prill, në samitin e Bukureshtit, por duhet më shumë punë në polici dhe drejtësi", -tha ministri gjerman, ndërsa ka vlerësuar reformat e Forcave të Armatosura, si një nga kriteret bazë për anëtarësimin në NATO.
Gjithashtu, ministri gjerman tha se për Gjermaninë, Ballkani është një rajon që paraqet interes të veçantë, në kuadër të së cilit bashkëpunimi me Shqipërinë përbën një rëndësi të madhe. Nga ana e tij, ministri Fatmir Mediu ka vënë në dukje nevojën e Shqipërisë për mbështetjen e Gjermanisë në rrugën drejt strukturave atlantike, duke plotësuar standardet dhe kriteret e kërkuara.
Po dje ministri gjerman ka zhvilluar një takim me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ku sipas njoftimit për shtyp të Kuvendit, ai ka shprehur bindjen se në samitin e ardhshëm, në prill të vitit 2008, Shqipëria do të marrë ftesën për anëtarësim në NATO. Ndërkaq, gjatë takimit me Kryeministrin Sali Berisha ministri Franc Jozef Jung ka nënvizuar përpjekjet pozitive që ka ndërmarrë Shqipëria për të marrë ftesën për anëtarësimin në NATO, në Samitin e Bukureshtit që do të zhvillohet në muajin prill të vitit të ardhshëm. Ministri gjerman ritheksoi mbështetjen e përpjekjeve të vendit tonë për sa i përket perspektivës euroatlantike. Nga ana e tij, Kryeministri Sali Berisha tha se e kishte siguruar ministrin Jung se qeveria shqiptare është e vendosur të marrë çdo vendim, çdo reformë në interes të arritjes së standardeve të anëtarësimit të vendit në NATO.(shekulli)
0 Comments:
Post a Comment