Zogaj: Nëse Topi s'merr votat duhet zgjidhje e re

TIRANË-Rezultati që do të dalë nga votimi i katërt për zgjedhjen e Presidentit në Parlament, do të përcaktojë edhe qëndrimin e mëtejshëm të maxhorancës. Një nga deputetët e djathtë, që është shprehur në mënyrë të qartë kundër zgjedhjeve të parakohshme, Preç Zogaj, theksoi dje se maxhoranca mund të votojë për President të Republikës kandidatin Neritan Ceka, në rast se kandidati demokrat, Bamir Topi nuk do të mund të mbledhë votat e duhura për postin e kreut të shtetit.

Zogaj tha dje se, votimi i katërt në Kuvend do të jetë treguesi më i mirë i mbështetësve që kanë dy kandidatët e mbetur tashmë në garë. "Unë mendoj se, nëse nuk arrijmë me Bamir Topin, ne si mazhorancë duhet të jemi të hapur me njëri-tjetrin dhe të shohim mundësinë tjetër. Zgjedhja e Presidentit qëndron si interes mbi çdo karrierë. Në raundin e katërt të shikojmë zhvillimet, të shikojmë se çdo të ndodhë, sepse gjithnjë procesi ka të papritura, do të jemi në sallë 84 vetë, apo do të jemi 90",- tha Zogaj, duke shprehur në këtë mënyrë edhe skepticizmin rreth asaj që pritet të ndodhë pas dy ditësh në Kuvend. Por deputeti i PD-së, Zogaj, që njihet edhe si një nga figurat më të moderuara të maxhorancës së djathtë, shtoi se forcat politike duhet t'i shmangin me çdo kusht zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas tij, nëse me të vërtetë do të shkohet në zgjedhje të parakohshme, kjo do të jetë një kosto e jashtëzakonshme për vendin, në të gjitha aspektet. Duke u ndalur tek një nga zhvillimet kryesore që pasoi zhvillimin e votimit të tretë, skualifikimin nga gara të ish-kryeministrit Fatos Nano, Zogaj tha se ishte rruga kushtetuese që e nxori jashtë garës.

Por, sipas tij, edhe rruga që Nano zgjodhi për t'u përfshirë në këtë proces, ka ndikuar jo pak në eliminimin e tij nga gara. "Ai u eliminua në rrugë kushtetuese. Vetë Nano, ishte i pari që provokoi garën. Kemi qenë për rrugën konsensuale dhe jemi investuar për gjetjen e një Presidenti konsensual. Ndërsa Nano, sapo u arrit konsensusi shpalli garën. Kështu që, ai u eliminua nga rruga që përqafoi vetë",- tha Zogaj. (shekulli)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors