Kushtetuesja, vendimi për Nano, para 24 korrikut

TIRANË-Gjykata Kushtetuese në mënyrë të beftë ka marrë në shqyrtim kërkesën e ish-kryeministrit Fatos Nano për të shpallur të pavlefshme dy votimet e para për Presidentin e Republikës në Kuvend. Ndryshe nga çështjet e tjera, kjo gjykatë për shkak edhe se kërkesa në fjalë lidhet direkt me afate të shkurtra kohore, ka vendosur që ta marrë në shqyrtim me procedura të përshpejtuara. Vetëm një ditë pasi kërkesa u depozitua në gjykatë, trupi gjykues është mbledhur dje dhe ka vendosur që të lërë për një kohë më të vonë shqyrtimin e çështjes së legalizimeve dhe të marrë në shqyrtim pretendimin e ish-kryesocialistit i cili i konsideron si antikushtetuese dy raundet e para për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm prej 84 deputetësh.

Kështu burime pranë kësaj gjykate kanë konfirmuar se në mbledhje është vendosur që çështjes në fjalë ti jepet përparësi në shqyrtim për shkak se vendimi që do të merret duhet të jetë në koordinim me veprimet politike për çështjen e presidentit. Pra do të synohet që vendimi të dalë në një kohë të arsyeshme, para se të kenë skaduar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri, afate që shkojnë deri në datën 24 korrik, kjo për shkak se një vendim i saj nuk do të kishte fuqi prapavepruese. Fillimisht pritet të merret në shqyrtim pika e parë e kësaj kërkese që ka të bëj me pezullimin e procesit të zgjedhjes së presidentit, deri në një vendim përfundimtar për objektin kryesor të çështjes. Ndërkohë një vendim i Gjykatës Kushtetuese, mund të marrë një vlerë pozitive për gjithë procesin e zgjedhjes së presidentit, në rast se Kuvendi nuk do të ketë arritur të zgjedhe një president deri në këtë kohë. Pra një vendim qoftë për pezullimin e procesit apo dhe shpallja si antikushtetuese i dy raundeve të para të votimit dhe detyrim i Kuvendit për të zhvilluar dhe dy raunde të tjera përtej datës 24 korrik, mund ti jape kohë partive politike për të gjetur një tjetër zgjidhje konsensuale, duke evituar zgjedhjet e parakohshme.

Kështu burime nga të dyja krahët e politikës nuk e përjashtojnë dhe një zgjidhje të tillë, megjithëse kanë pak besim se çështja mund të shqyrtohej brenda raundit të pestë. Por një zgjidhje e tillë do të kishte dhe një të keqe tjetër të madhe sepse do të rifuste Nanon përsëri në garë. Ndërkohë që deputeti i PBDNJ, Spiro Peçi ka dhënë pak shpresa se gjykata do të japë një vendim përpara datës 24 korrik. Sipas tij, së pari gjykata duhet të japë një vlerësim nëse Nano ka të drejtë që të ankimoj në mënyrë individuale një çështje të tillë. "Gjithsesi koha në të cilën është bërë kjo kërkesë, ditët që ka në dispozicion efektivisht kuvendi për të bërë edhe raundin e katërt dhe të pestë të votimeve mendoj se nuk do të sjelli ndonjë zhvillim të ri sepse nga praktikat e deritanishme dhe nga koha e mjaftueshme që i duhet gjykatës kushtetuese për të shqyrtuar një çështje është e pamjaftueshme koha që ka në dispozicion, dhe çdo vendim i dhënë pas datës 24 nuk mund të ketë efekte në kuptimin që të ketë zhvillime të reja", - tha Peçi. Por sipas tij në rast se në datën 24 ne do të kemi një president, Gjykata Kushtetuese edhe sikur të konsiderojë të pavlefshme dy votimet e para, vështirë se mund të japë vendim që të delegjitimojë zgjedhjen e Presidentit dhe vendi të vejë në zgjedhje të parakohshme.

Peçi: Vendimi pas 24 Korrikut nuk ka fuqi prapavepruese

Deputeti i pavarur, Spiro Peçi shprehet se ankimimi në Gjykatën Kushtetuese i dy raundeve të para nga ish-kryeministri Fatos Nano, nuk ka asnjë vlerë për ecurinë e mëtejshme të procesit të zgjedhjes së presidentit të Republikës. Sipas tij, koha që i mbetet në dispozicion kësaj gjykate për të shqyrtuar këtë çështje, nuk mjafton për të pasur një vendim para skadimit të afatit kushtetues. Prandaj sipas tij çdo vendim pas datës 24 korrik nuk do të kishte asnjë vlerë, pasi nuk mund të kishte fuqi prapavepruese. "Koha në të cilën është bërë kjo kërkesë, ditët që ka në dispozicion efektivisht kuvendi për të bërë edhe raundin e katërt dhe të pestë të votimeve mendoj se nuk do të sjelli ndonjë zhvillim të ri sepse nga praktikat e deritanishme dhe nga koha e mjaftueshme që i duhet gjykatës kushtetuese për të shqyrtuar një çështje është e pamjaftueshme koha që ka në dispozicion, dhe çdo vendim i dhënë pas datës 24 nuk mund të ketë efekte", - tha Peçi. (shekulli)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors