TIRANË- Ndërsa zgjedhja e Presidentit të Republikës ka hyrë në pikën kritike, një tjetër zyrtar i vendeve të Bashkimit Evropian kërkon nga politika shqiptare që të gjejë konsensusin, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të parakohshme. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Fraser Wilson tha dje se, nëse Shqipëria do të shkojë në zgjedhje të parakohshme do të ketë pengesa të shuma në reformat e ndërmarra.
Por, sipas tij, edhe pas zgjedhjeve sërish do të duhet të zgjidhet Presidenti i vendit, duke qenë një rrezik i mundshëm për të pasur një krizë tjetër. Diplomati anglez nënvizoi se nuk mund të shkohet në zgjedhje, pa realizuar një reformë elektorale. "Edhe nëse do të bëhen zgjedhje të parakohshme, ato do të bëhen diku nga shtatori. Pra, do të shkaktojnë pengesa në reforma dhe do të na duhet sërish që të shkojmë në një proces për zgjedhjen e Presidentit dhe ekziston rreziku për një krizë të mëtejshme. Mendoj se shumica e njerëzve do të donin ta shmangnin këtë. Edhe nga pikëpamja jonë, ne do ta inkurajojmë këtë qëndrim; ne do ta inkurajojmë politikën, që kjo të mos ndodhë. Reformat në këtë vend janë shumë të rëndësishme. Të shkosh në zgjedhje pa reformë elektorale, kjo nuk është gjë e mirë, besoj se politikanët duhet të ulen dhe të gjejnë konsensus të çfarëdolloji; kjo është e rëndësishme",- tha ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Wilson.
Për zgjedhjen e kreut të shtetit, kanë mbetur pa u zhvilluar edhe dy raunde votimi në Kuvend. Ndërkohë në garë janë dy kandidatët, Bamir Topi dhe Neritan Ceka. Por pavarësisht qëndrimit të prerë të zyrtarëve ndërkombëtarë, që politika të gjejë gjuhën e përbashkët me qëllim shmangien e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zhvillimet politike të ditëve të fundit nuk kanë nxjerrë në dritë ndonjë rezultat konkret për të arritur tek konsensusi. Sipas deklarimeve të fundit, që vijnë nga dy kampet politike, gjithçka do të jetë në varësi të rezultateve që do të dalin nga votimi i katërt që zhvillohet nesër në Kuvend. Pra, sipas gjasave, raundi i pestë do të zgjidhë krizën politike në vend. (shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment