TIRANË- Të paktën tre zjarre janë indetifikuar ditën e djeshme në kryeqytet, me gjasë të shkaktuar nga temperaturat e larta, ku në njërin prej tyre policia ka qenë e detyruar të evakuojë banorët e disa prej shtëpive të rrezikuara. Ditën e djeshme, rreth orës 13.00, hapësirat e kodrave të Yrshekut në komunën e Kasharit janë përfshirë nga një zjarr masiv i cili ka prekur një sipërfaqe të madhe toke.
Policia e Tiranës bëri të ditur se menjëherë pasi është sinjalizuar për zjarrin ka nisur drejt Yrshekut forca të shumta policore të cilat kanë bërë evakuimin e banorëve si dhe marrjen e masave për izolimin e flakëve. Në të njëjtën kohë, atje janë nisur edhe disa zjarrfikëse të cilat kanë bërë çmos për shuarjen e plotë të flakëve megjithëse kanë vuajtur edhe nga mungesa e ujit.
Ata kanë penguar që zjarri të mos shkonte deri aty sa mund të rrezikonte edhe jetën e banorëve të fshatrave përreth. Nga hetimet e para policia pohoi se shkak i rënies së zjarrit dyshohet të jenë temperaturat e larta por nuk përjashtohen edhe gabimet njerëzore të cilat mund të kenë shkaktuar edhe zjarrvënien. Njëkohësisht gjatë ditës së djeshme policia e Tiranës bëri të ditur se në territorin e Tiranës janë lokalizuar edhe dy raste të tjera zjarri të cilat megjithëse nuk kanë pasur përmasat e atij të Yrshekut kanë shkaktuar disa dëme materiale.
Dy zjarret janë pikasur në Tufinë edhe në Kamëz, ku disa sipërfaqe toke kanë marrë flakë si pasojë e djegies pa kujdes të mbeturinave. Vëmendja më e madhe është përqendruar në Kamëz pasi vatra e zjarrit është lokalizuar pranë antenave të kompanive celulare që operojnë në vend. Temperaturat e larta të pranishme prej disa ditësh në vendin tonë janë kthyer në motivin kryesor për rënien e zjarreve të fuqishme dhe policia e zjarrfikësit kërkojnë që qytetarët të tregojnë më shumë kujdes. (shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment