Tropoje- Zbulohet një laborator droge dhe i falsifikimit të dokumenteve zyrtare në qytetin Bajram Curri. Tre persona, njëri prej të cilëve mësues në gjimnazin “Asim Zeneli” të këtij qyteti, janë arrestuar pas një aksioni blic të forcave të Komisariatit të Policisë së Tropojës.
Burime nga dikasteri i Rendit bëjnë me dije, se laboratori ku u gjetën 500 gram lëndë narkotike (dyshohet të jetë e llojit heroinë) si dhe dokumente të ndryshme të falsifikuara, ndodhej në banesën e Besim Kërnajës, që mendohet të jetë dhe kreu i këtij grupi kriminal. Ky laborator u zbulua pas arrestimit në flagrancë të Ermir Kërnajës dhe Ferdinand Vukajt, për të cilët pohohet se u kapën teksa ishin përgatitur për të kryer një vrasje. Vetëm pak orë pas parandalimit të vrasjes si dhe të kapjes së dy të rinjve, përkatësisht 20 dhe 23 vjeç, uniformat blu kanë zbuluar laboratorin e drogës dhe kanë vënë në pranga të tretin e grupit, Besim Kërnaja.
PARANDALIMI I VRASJES
Në qytetin e Bajram Currit, prej kohësh flitej për një grup trafiku të drogës si dhe të falsifikimit të dokumenteve të rëndësishme si: pasaporta, diploma, certifikata, fletë-hyrje të ndryshme etj. Agjentë të policisë kriminale kishin kohë që ndiqnin informacionet në rrugë operative për aktivitetin kriminal të Besim e Ermir Kërnajës, si dhe të Ferdinand Vukajt. Ndërkaq, uniformat blu kishin siguruar të dhëna të sakta se këta tre persona do të kryenin dhe një vrasje të paralajmëruar. Operacioni për kapjen e këtij grupi kriminal ka filluar mbrëmjen e së mërkurës. Ermir Kërnaja dhe Ferdinand Vukaj, ishin duke udhëtuar me mjetin e tyre tip “Benz” me targa Z-BZ-54 me ngjyrë gri, kur janë ndaluar për kontroll. Sipas policisë, këta dy persona ishin nisur të kryenin një vrasje, motivet e së cilës priten të zbardhen në bashkëpunim edhe me prokurorinë e rrethit të Tropojës. Gjatë kontrollit, dy të rinjve iu është gjetur një armë automatike me 30 fishekë.
LABORATORI
Arrestimi i mësuesit të lëndës së Kimisë, Besim Kërnaja nga fshati Kërnajë i Tropojës dhe banues në qytetin e Bajram Currit, është bërë pas mesnatës së të mërkurës. 35-vjeçari ka shtangur, kur forcat e policisë kanë zbuluar laboratorin që ishte instaluar në banesën e tij. Përveçse 500 gramëve lëndë narkotike, në banesë janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe disa dokumente të falsifikuara, dy vula, një kompjuter, një skaner që përdorej për të falsifikuar dokumente të ndryshme si certifikata, pasaporta etj.(gazeta shqiptare)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment