Shkoder -Fundviti i 2007-ës do të shënojë fillimin e punimeve për ndërtimin e superstradës Shkodër-Hani i Hotit, për të cilën ishte premtuar që prej 7 vjetësh. Ky një aks rrugor me rëndësi strategjike jo vetëm për rajonin e veriut, por për mbarë vendin tonë, pasi lidh Shqipërinë me të gjithë Evropën me rrugë tokësore.
Lajmi është bërë me dije dje, gjatë një takimi të zhvilluar në Prefekturën e Shkodrës, ku ishin të pranishëm përfaqësues të pushteteve vendore nga ku do të kalojë superstrada si dhe specialistë italianë që kanë marrë përsipër hartimin e projektit. Gjithashtu, merrnin pjesë dhe përfaqësues të firmës “Sintagma & SWS”, e cila ka fituar tenderin për kryerjen e punimeve.
Në këtë takim, të iniciuar nga prefekti Maxhid Cungu, është bërë prezantimi për herë të parë i gjurmës, i projekt-idesë për segmentin rrugor Shkodër-Hani i Hotit. Gjatë fjalës së tij, Cungu ka deklaruar se projekti për ndërtimin e kësaj superstrade është nga më të rëndësishmit dhe do të shënojë një zhvillim më të madh të rajonit verior të vendit tonë. Ka qenë interesimi i qeverisë shqiptare, i cili ka gjetur mbështetjen e qeverisë italiane për të mundësuar financimin e këtij aksi rrugor.
21.7 milionë euro kredi (ndihmë) si dhe 150 mijë euro grant, janë shumat që duhen për të bërë rehabilitimin e 35 km rrugë nga qyteti i Shkodrës deri në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Ndërkohë, arkitekti Carlo Lambiase, përfaqësues i Cooperacione Italiana, që është edhe financuesi i superstradës, ka paraqitur detaje në lidhje me projektin. Për herë të parë në një aks rrugor në Shqipëri, hartuesit e projektit do të jenë edhe supervizorët e saj.
Puna për hartimin e projektit ka nisur që në fillim të muajit korrik. Pas paraqitjes për herë të parë të gjurmës nga ku është menduar që të kalojë kjo rrugë, hartuesit e projektit kanë vënë në lëvizje drejtuesit e njësive vendore që të marrin të gjitha masat, që të bëjnë vërejtjet e duhura, sugjerimet e tyre, me qëllim që të arrihet një projekt përfundimtar më i mirë i mundshëm dhe me kosto sa më të ulët.
Ndërkaq, specialistët italianë u kanë kërkuar drejtuesve lokalë të Shkodrës që të mos jepen leje ndërtimi dhe të mos lejohet ngritja e objekteve të ndryshme në të dy anët e rrugës ku do të kalojë superstrada. Kjo, pasi do të ketë probleme me kompensimin e pronarëve të tyre, çka do të thotë shtimin e shpenzimeve dhe rritjen e kostos së rrugës.(gazeta shqiptare)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment