Petrit Lici: Si e shetiten ne '98 mes Lushnjes koken e prere te Tur Dajes

Enver Dondollakun e kam parë të mbante në dorë kokën e prerë të Tur Dajës, në qëndër të Lushnjës, te monumenti Toka Jonë. Bashkë me të ishin dhe disa persona të tjerë anëtarë të Bandës së Lushnjës”. Këto fjalë janë thënë dje në sallën e gjyqit nga ish-killeri Petrit Liçi, anëtar i Bandës së Lushnjës, që ka përfituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.

Liçi është thirrur dje nga prokuroria në cilësinë e dëshmitarit okular për të dhënë shpjegime në lidhje me ngjarjen e 21 tetorit 1998, që tronditi qytetin myzeqar. Nëpërmjet deklarimeve të tij, organi i akuzës synonte të provonte implikimin e të pandehurit Enver Boriçi në dhunimin e kufomës së Artur Dajës. Dëshmia e Liçit është dhënë në një sallë që mbahej nën masa të rrepta sigurie për të evituar çdo lloj tentative për të goditur dëshmitarin. Trupi gjykues nuk ka lejuar as praninë e gazetarëve në sallën e gjyqit gjatë kohës që Petrit Liçi ka dhënë deklarimet e tij. “Gazeta” ka mundur të sigurojë dëshminë që Liçi dha dje përpara të pandehurit Envet Boriçi. Dëshmitari ka përshkruar atë që ka parë ditën e ngjarjes si dhe ka bërë identifikimin e të pandehurit Enver Boriçi. Pavarsisht dëshmisë së personit që ka përfituar statusin e “të penduarit”, avokati mbrojtës i të pandehurit Boriçi deklaroi pas seancës, se deklarimet e Liçit ishin kontradiktore dhe nuk provonin fajësinë e klientit të tij.
Siguria
Për herë në parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, i penduari i drejtësisë Petrit Lici, rrëfeu me detaje për ngjarjen e tmerrshme që mitizoi bandën e Lushnjes, të drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur ndryshe me emrin Aldo Bare. I penduari Lici u shoqërua për në Gjykatë nën masa të rrepta sigurie. Makina e policisë në të cilën ndodhej Lici, mbërriti në oborrin e Gjykatës rreth orës 13.00 të ditës së djeshme. I penduari Lici, njeriu që bashkëpunoi me prokurorinë për të vënë me shpatulla pas murit anëtarët e Bandës së Lushnjës në të cilën bënte pjesë dhe vetë, qëndroi në ambjentet e brendshme të gjykatës i shoqëruar nga një kordon i përforcuar policësh derisa u çel seanca gjyqësore në ngarkim të të pandehurit Enver Borici. Ky i fundit është një prej anëtarëve të bandës famëkeqe që ka vepruar për vite të tëra në qytetin e Lushnjes, mbi supet e të cilit rëndon akuza e dhunimit të kufomës së Artur Dajës dhe pjesëmarrja në bandë të armatosur. Seanca zgjati për afro 50 minuta.
Dëshmia
“Ditën që ndodhi ngjarja kam qenë duke pirë kafe në një lokal pranë gjimnazit të qytetit. Aty kam marrë vesh se Tur Daja ishte vrarë dhe se disa persona, një pjesë të mirë të tyre unë i njihja, kishin dalë në qëndër të qytetit me kokën e prerë të tij. U bëra kureshtar dhe dola nga lokali për të shkuar në drejtim të qëndrës së qytetit. Pranë monumentit Toka Jonë kam parë Verin(Enver Dondollakun) që mbante në dorë, të kapur prej flokësh kokën e prerë të Tur Dajës. Pranë tij kam parë Leonard Priftin, Iliri Stërgun, Enver Boriçin dhe disa persona të tjerë që nuk i njoha. Rreth e rrotull sheshit ka qenë një grumbull i vogël qytetarësh që ndiqnin nga larg skenën. Unë kam qëndruar në shesh pak më shumë se një minutë dhe më pas u largova”, ka thënë para trupit gjykues Petrit Liçi. Ai është ndërprerë disa herë duke iu bërë pyetje saktësuese nga trupi gjykues, i pandehuri Enver Boriçi dhe avokati i tij Vladimir Meçi. Gjatë dëshmisë së tij Liçi është përpjekur tu përmbahet deklarimeve që ka bërë më parë në prokurori. Menjëherë pas seancës avokati i të pandehurit Boriçi, Vladimir Meçi deklaroi se “dëshmia e Liçit ishte kontradiktore dhe nuk provonte askund fajësinë e klientit të tij”. Në lidhje me akuzën e dhunimit të kufomës së Tur Dajës, avokati Meçi tha se “organi i akuzës nuk ka prova të drejtpërdrejta për të provuar këtë vepër penale, për më tepër edhe nëse kjo akuzë provohet ajo s’ka asnjë vlerë pasi ky krim tashmë është parashkruar”.
Pakti
Gjatë rrëfimit në gjykatë Liçi dëshmoi mbi motivin e vrasjes së Tur Dajës si dhe shkaqeve se si arriti Banda e Lushnjës ta shtinte në dorë kufomën e tij. “Mesa kam marrë vesh pas ngjarjes di që trupin e Tur Dajës e dorëzoi të vrarë dhe të futur në bagazhin e një autoveture shoku i tij Bledar Haxhiu. Haxhiu përveçse ishte mik i Tur Dajës ishte konfliktuar me njërin prej anëtarëve të bandës, Edjan Xhafën, madje e kishte plagosur atë. Duke e ndjerë rrezikun që i kanosej dhe për të mbyllur njëherë e mirë konfliktin me Bandën e Lushnjës ai bëri një pakt me Aldo Baren në shkëmbim të sigurisë së jetës së tij. Aldo Bare i premtoi Haxhiut se do të ndërhynte te Edjan Xhafa për ta mbyllur konfliktin me të, por më parë ai duhej të dorëzonte Tur Dajën” Në të vërtetë Bledar Haxhiu e dorëzoi Dajën të Banda e Lushnjës, por të vdekur jo të gjallë. Dhe për këtë fakt ai e pagoi më kokë, pasi një muaj më vonë u organizua një atentat ku mbeti i vrarë së bashku me Artan Sulçen. Kufoma e Tur Dajës u dhunua duke iu ndarë koka nga trupi. Trupi i viktimës u gjet i hedhur në erë me eksploziv në dalje të Lushnjës. (Gazeta Shqiptare)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors