Vlorë- Pas zjarrit të pak ditëve më parë, të tjera vatra zjarri kanë vënë mbrëmjen e djeshme në rrezik Llogaranë. Flakët janë shfaqur në Dukat, të cilat të favorizuara edhe nga era kanë përparuar me shpejtësi, duke përpirë kullota të tëra në këtë zonë. Aq sa sipas ekspertëve, vihet në rrezik Llogaraja, nëse flakët përparojnë në këtë mënyrë.
Sipas specialistëve që mbërritën në vendin e ngjarjes, janë vënë re 4 vatra zjarri, ndërkohë që ndërhyrja për shuarjen e tyre ka qenë e pamundur. Shkak është bërë terreni shumë i vështirë, që ka penguar automjetet e zjarrfikëseve të mbërrijnë në vatrat e zjarrit.
Angazhimi ka qenë shumë i madh, aq sa është kërkuar ndërhyrje e menjëhershme nga ministria, së cilës i është kërkuar të vërë në dispozicion një helikopter."Në vend nuk futen dot mjete të larta, pasi rruga është shumë e keqe",- bëjnë me dije specialistët, sipas të cilëve zjarri mund të shuhet vetëm nga ajri. Së bashku me policinë, në vend kanë shkuar edhe 30 forca të ndërhyrjes së shpejtë. Madje vullnetarët kanë nisur sipër edhe mushka të ngarkuara me ujë për shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave të para, dëmi është i konsiderueshëm, por ende nuk dihet saktësisht sipërfaqja e shkrumbuar. Mësohet se shkak është bërë djegia e pjesëve të mbetura të kullotave nga vetë fshatarët, por, më pas zjarret e vëna kanë dalë jashtë kontrollit dhe kanë përfshirë sipërfaqe të tëra. (shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment