Kukës-Dhjetëra hektarë me pyje po vazhdojnë të digjen në tre rrethet e qarkut të Kukësit, ku masivet e pishave shekullore në malin e Gjallicës dhe në luginën e Valbonës në Tropojë janë drejt zhdukjes. Ndërhyrja është thuajse e pamundur, jo vetëm për shkak të terrenit të vështirë, por edhe mjeteve në dispozicion, që sipas specialistëve janë të papërfillshme. Djegia e masiveve me pisha në malin e Gjallicës, përveç dëmit ekologjik dhe ekonomik, bëhet shkas për rënien e orteqeve, duke rrezikuar seriozisht jetën e banorëve të fshatit Shtiqën.
Ndërkohë që djegia e pyjeve në luginën e Valbonës shkatërron edhe potencialet turistike të kësaj lugine.
Përhapja
Burime nga prefektura e Kukësit kanë bërë të ditur se po vazhdojnë të digjen rreth 15 hektarë me pishë në malin e Gjallicës dhe rreth 55 hektarë me pishë e ah e dushk në bjeshkët e Arrënit. Masive të mëdha të pyjeve të dushkut po vazhdojnë të digjen edhe në zonën e Kalimashit dhe Shëmrisë në rrethin e Kukësit e Hasit kufi me Kosovën, ku flakët e zjarrit kanë ardhur nga matanë kufirit.
Sipas të dhënave të deritanishme, zjarret kanë shkatërruar masive të tëra pyjore në pyjet e rrethit të Kukësit, Pukës e Mirditës. Rënia e tyre përsëritet me këto përmasa pas 7 vjetësh. Krahas prerjeve pa kriter të pyjeve pas viteve 90-të, rënia e zjarreve në pyje, më e përhapur ka qenë në korrikun e vitit 2000, ku 32 vatra zjarri për dy javë rresht kanë shkatërruar 400 hektarë me pyje të ahut, pishës e dushkut në masivet pyjore të Gjallicës, Munellës, Zepës, Rrunës, Koretnikut dhe pyjeve të dushkut në rrethin e Hasit. Krahas dëmit ekonomik, djegia e këtyre masiveve pyjore ka shkaktuar një katastrofë ekologjike duke dëmtuar florën, faunën dhe biodiversitetin, shoqëruar edhe me rrëshqitje toke, rënie orteqesh gjatë dimrit dhe ndotje ambienti.
Nuk ka mjete
Megjithëse zjarret kanë përfshirë anekënd tre rrethet e qarkut të Kukësit, qeveria nuk e ka parë të arsyeshme të shpallë gjendjen e emergjencës. Zyrtarë të Shërbimit të Mbrojtjes ndaj Zjarrit në prefekturën e Kukësit thonë se është ndërhyrë në zonat ku ka rënë zjarri, por ka qenë e pamundur shuarja e tij, pasi zonat ku ka rënë, shtrihen në terrene tepër të vështira siç është rasti i malit të Gjallicës. Sipas drejtorit të Shërbimit Pyjor në Kukës, Fatmir Gjana, është tentuar të ndërhyhet për shuarjen e zjarrit në shpatet e malit të Gjallicës, por ka qenë thuajse e pamundur, për shkak të terrenit tepër të vështirë. Ndërkohë që flakët e zjarrit ishin të përmasave të mëdha në kushtet e temperaturave të larta të paregjistruara ndonjë herë në këtë mal. Drejtori i Shërbimit Pyjor të Tropojës bën fjalë për mungesë fondesh për ndërhyrjet në shuarjen e zjarreve. Por zyrtarët e prefekturës së Kukësit e kanë hedhur poshtë pretendimin e drejtorit të shërbimit pyjor të Tropojës, ku sipas këtyre zyrtarëve qeveria ditët e fundit ka nxjerrë një vendim të posaçëm ku mbështet financiarisht me fonde këto ndërmarrje për shuarjen e zjarreve. (shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment