Tirana do të bëjë të pamundërën për të kaluar turin e parë të Ligës së Kampioneve, kur të mërkurën do të përballet në “Qemal Stafa” me Domzhalen, kampionen në fuqi të Sllovenisë, ndaj së cilës humbi takimin e parë në transfertrë (1-0, gol i Jankoviç).
Trajneri Starova, i cili mbeti i pakënaqur nga paraqitja e bardhebluve në Domzhale, punoi shumë gjatë javës në aspektin fizik, që ishte dhe defekti kryesor i lojtarëve, që u pasqyrua edhe në lojën e varfër dhe të ngadaltë të mesfushës dhe vijës sulmuese.
Domzhale, në fakt vjen më e “lodhur” në kryqytetin shqiptar pasi të shtunën zhvilloi edhe ndeshjen hapëse të kampionatit slloven ku barazoi 1-1 me HIT Goricën (kundërshtarin e Tiranës të dy sezoneve më parë), rezultat që pa dyshim do të dëshironte ta përsëriste edhe në Tiranë, që do të thoshte edhe një kualifikim të tyre historik në debutimin e tyre të parë në Ligën e Kampioneve.
Trajneri Sulejman Starova, i cili arriti të bëjë të pavlefshëm fitoren 2-0 të Hit Goricës në Slloveni me një fitore të pastër 3-0 në Tiranë, beson sërish në përmbysjen e rezultatit, edhe pse tri golashënuesit bardhëblu që shkaktuan edhe eliminimimin e Goricës: Rraklli, Dabulla dhe Salihi nuk janë më pjesë e Tiranës. Kualitetet e 23-herë kampioneve, të cilët kanë në gjirin e tyre pesë lojtarë të ekipit kombëtar, të krijojnë së paku në letër përshtypjen se do të jetë Tirana, ajo që do të përballet në turin e dytë me Dinamon e Zagrebit, kampionen e Kroacisë. Optimimizi nuk është vetëm “pjesë” e Starovës, por dhe kapitenit të Tiranës, Devi Muka, një lojtar më eksperiencë të madhe ndërkombëtare si me Tiranën ashtu dhe me Kombëtaren.
“Tirana di të përmbysë rezultatet dhe nuk është hera e parë”, - deklaroi Muka, autor i katër golave në Ligën e Kampioneve, tre prej të cilëve hungarezëve të Ferencvaroshtit “Në krahasim me përmbysjet në edicionet e kaluara, humbja 0-1 me Domzhalen është më minimalja. Personalisht do të bëj të pamundurën që ekipi të kaloj në turin tjetër, sepse Domzhale nuk është një ekip shumë më i fortë sesa ne”, pohoi Muka, ndërsa ia vlen të theksojmë se Domzhale fitoi pak ditë më parë edhe Superkupën e Sllovenisë. Por Muka, autor edhe i një goli sezonin e kaluar kur Tirana morri pjesë në Kupën UEFA, nuk është i vetmi që e dëshiron kualifikimin.
Edhe Indrit Fortuzi, i cili shënoi së bashku me Devi Mukën në fitoren në transfertë me bjellorusët e FK Homel, në turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve 2004-2005. “Zogu”, i rikthyer në “shtëpi” pas aventurës greke me Iraklisit, bëri një paraqitje mesatare në Domzhale. Fortuzi premtoi se do të shënonte në ndeshjen e parë të humbur (0-1), dhe ndoshta golin e shumëpritur mund ta ketë ruajtur për të kënaqur ultrasit e “Tirona Fanatiks”.
0 Comments:
Post a Comment