TIRANË- Do të jetë 152 numri i punonjësve që do t'i shtohen Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nga 1 qershori 2007 deri në 1 korrik të po këtij vitit.
y është një ndër vendimet që është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, një vendim paksa jo i zakontë, pasi periudha për të cilën shtohet ky numër punonjësish, ndonëse një periudhë njëmujore, tashmë ka kaluar. Me anë të vendimit të djeshëm, qeveria ka miratuar shtimin e 152 punonjësve vetëm për muajin qershor në Ministrinë e Energjetikës, në një kohë që sot gjendemi në muajin korrik.
Në vendimin që ka miratuar mbledhjen e djeshme, qeveria ka sqaruar se, shtimi i 152 punonjësve në fjalë është bërë për Policinë Elektrike, një institucion nën varësinë e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Por, të paktën në pjesën e vendimit që është botuar në sitin zyrtar të Kryeministrisë, qeveria dhe ministria përkatëse, nuk bëjnë të ditura arsyet se pse për një periudhë të shkurtër prej një muaji janë shtuar 152 punonjës. Ky numër punonjësish përbën një shifër jo të vogël për një institucion siç është Policia Elektrike. Megjithatë, të paktën, nisur nga periudha kur është bërë kjo shtesë punonjësish buxhetorë për Policinë Elektrike, mund të arrihet në konkluzionin se shtesa e tyre ka të bëjë me një aksion që ka ndërmarrë prej kohësh Korporata Energjetike Shqiptare, për shkëputjen e lidhjeve abuzive të energjisë nga konsumatorët.
Propozimi i këtij vendimi është bërë nga ministri i Financave, Ridvan Bode, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit "Për buxhetin e shtetit, të vitit 2007". Ndërkaq, për zbatimin e tij qeveria ka ngarkuar dy ministri, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Kjo nuk është hera e parë që Këshilli i Ministrave merr vendime të tilla, për shtesa në numrin e punonjësve në institucione të ndryshme shtetërore, si në Ministrinë e Punëve të Brendshme apo në ministri të tjera.(shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment