Mungesa e votave, Topi terhiqet raundin e V

TIRANË- Bamir Topi do të tërhiqet nga gara për postin e kreut të shtetit në raundin e pestë. Kështu të paktën beson opozita, e cila duket se ka humbur shpresat se një gjë e tillë mund të ndodh para raundit të katërt të votimit.

Duke këmbëngulur se vetëm një tërheqje e tillë mund ti hapë rrugë zgjedhjes së një kandidati konsensual, koalicioni i majtë megjithëse jo në mënyrë institucionale, është i vendosur që të mos marrë pjesë sot në votimin e katërt për presidentin e Republikës. Ashtu si dhe forcat e tjera opozitare, të cilat janë shprehur këto ditë në vazhdimësi për mos përfshirjen në këtë proçes për sa kohë në garë mbetet kandidatura e Topit, dje këtij qëndrimi i është bashkuar edhe Partia Demokracia Sociale.

Kryetari i saj Paskal Milo ka bërë të qartë se PDS, nuk do të marrë pjesë në një proces të tillë, nëse mazhoranca nuk pranon kandidaturën e kryealeancistit Neritan Ceka si konsensuale. Megjithatë ai duket se është i sigurt se në momentet e fundit të skadimit të afateve kushtetuese, Topi do të tërhiqet nga gara për ti dhënë mundësi palëve që të gjejnë konsensusin dhe për të shmangur në këtë mënyrë zgjedhjet e parakohshme. "Opozita e ka bërë të qartë vendimin e vet ndonëse nuk ka pasur ndonjë pozicion zyrtar apo unik për këtë çështje. Tani edhe unë emër të PDS-së dua të nënvizoj edhe një herë mbështetjen për kandidaturën e z.Ceka kur z.Topi do të tërhiqet në seancën e pestë të votimit", - tha Milo. Ndërkohë pothuajse në këtë linjë qëndrimi duket se janë edhe socialistët, të cilët janë në pritje të një reflektimi nga ana e shumicës dhe kryesisht nga ana e kryeministrit Berisha.

Kështu deputeti i PS-së, Marko Bello ka shprehur besimin e plotë se Topi do të dijë që në momentin e fundit të bëj një zgjidhje të arsyeshme, siç është ajo e tërheqjes nga gara. "Mua më duket se nuk ka asnjë shans që zoti Topi të dalë për sa kohë opozita do të jetë jashtë parlamentit. Kështu që në raundin e pestë pa diskutim unë shpresoj shumë në integritetin moral që ka z.Topi për tu tërhequr dhe për ti hapur rrugë mbështetjes për z.Ceka, si një kandidaturë konsensuale dhe për të mos çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Kështu që mendoj se z.Topi do të tërhiqet në raundin e pestë", - tha Bello. Pavarësisht këtyre qëndrimeve publike, duket se palët në debat nuk kanë humbur shpresat për një kompromis edhe para raundit të katërt. Kështu burime nga e majta nuk përjashtojnë mundësinë që gjatë ditës së sotme të tentohet të arrihet diçka në drejtim të konsesusit.

PAD: Votat për Topin? Kurrë

TIRANË- Neritan Ceka nuk do të tërhiqet nga gara presidenciale as pas raundit të katërt. Një vendim të tillë e konfirmon deputeti tjetër i Partisë Aleanca demokratike, Piro Lutaj, i cili ka bërë të qartë dje se Ceka është futur në garë për të fituar. Ai ka hedhur poshtë çdo mundësi për tërheqjen e Cekës, edhe në rast se ai do të marrë në raundin e katërt më pak vota se një raund më parë. "Kandidati Neritan Ceka është futur në garë për të vazhduar garën si President i Republikës duke ndjekur me vëmendje reflektimin e gjithë maxhorancës por njëkohësisht edhe të ftesës për të marrë pjesë në votimin për të, pas reflektimit të maxhorancës të futet në votim dhe të marrë pjesë edhe opozita", - tha Lutaj. Ndërkohë që vet presidenti i kësaj force, Neritan Ceka në një nga prononcimet e tija disa ditë më parë la të kuptohej qartë se do të rishikonte pozicionin e tij në këtë garë nëse do të merrte më pak vota sesa mori në raundin e tretë. Por aleancistët shprehen se nuk do të votonin për Topin për çfarë do lloj arsye. I pyetur nëse dy deputetët e PAD-së do të votonin për Topin, Lutaj u përgjigj "kjo nuk do të ndodhi kurrë". Shekulli)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors