Përfaqësuesit e opozitës akuzuan qeverinë dje në Parlament, për mungesë transparence gjatë nënshkrimit të kontratës për shitjen e "Albtelekomit".
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Ben Blushi, tha se kryeministri Berisha duhet të japë sqarime lidhur me shitjen e kompanisë shtetërore të telefonisë fikse "Albtelekom". Sipas tij, Berisha duhet të kërkojë ndjesë publike për akuzat që bëri ndaj ish-qeverisë socialiste, pasi nënshkroi të njëjtën kontratë, me të njëjtën kompani. "Kryeministri duhet të kërkojë ndjesë publike, për atë që ka bërë dhe çfarë nuk ka bërë lidhur me çështjen e "Albtelekomit". Të sqarohet, pse u shit me të njëjtën vlerë si në vitin 2005 dhe pse në këto dy vjet nuk është mbledhur asnjë lek",- tha Blushi. Ndërsa kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi tha se marrëveshja që ka ardhur për shqyrtim në seancë plenare nuk duhet ratifikuar.
Ai tha se qeveria është përfshirë në aferë korrupsioni, pasi ka ndryshuar kontratën e shitjes së "Albtelekomit". "Jemi kundër ratifikimit të marrëveshjes për shitjen e "Albtelekomit". Nënshkrimi i kontratës erdhi nga dobësia politike dhe nga politike e korrupsioni. Nëse ju merrni guximin të akuzoni Kryeministrin e mëparshëm dhe Kryeministrin e një vendi mik për korrupsion, atëherë kjo është për të ardhur keq. Kemi të bëjmë me një rast të paprecedent",- theksoi Gjinushi. Por ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli u është kundërpërgjigjur akuzave të deputetëve të opozitës, duke nënvizuar se qeveria ka vepruar me transparencë të plotë. Sipas tij, në kontratën përfundimtare të nënshkruar për shitjen e kompanisë "Albtelekom", u përmirësuan shkeljet që ishin bërë nga qeveria e kaluar në kontratën fillestare. "Tenderi i qeverisë socialiste kishte parregullsi, për shkak të të cilave Parlamenti nuk e ratifikoi kontratën.
Ndërkohë që transparenca jonë për privatizimin e "Albtelekomit" u bë në kohën e duhur. Në kontratën e parë "Albtelekom" ishte me probleme financiare, për shkak të borxheve që subjekte të tjera kishin ndaj "Albtelekom" dhe që nuk ishte bërë asnjë përpjekje për t'i arkëtuar. Në këto dy vjet u arkëtuan të gjitha borxhet",- tha Ruli. Edhe pas sqarimeve të bëra prej ministrit Ruli, deputeti socialist Fatmir Xhafaj tha se qeveria ka shkelur procedurat e privatizimit dhe të barazisë ne tender. Ndërkohë deputeti Erjon Braçe kërkoi që nisur nga akuzat e qeverisë aktuale, për shitjen e "Albtelekomit" dy vjet më parë nga ish-qeveria socialiste, duhet të ngrihej një komision hetimor. (shekulli)
Kthenu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment