TIRANË- Bamir Topi shprehet i sigurt se votimi i sotëm në Parlament do ta nxjerrë atë fitues të garës së zhvilluar deri më tani, pra Presidentit të Republikës. I ftuar në emisionin "Opinion", Topi ka deklaruar se, PD-ja ka bërë të gjitha llogaritjet që, me një probabilitet shumë të lartë, fitorja e garës presidenciale do t'i buzëqeshë asaj dhe atij. "Ne kemi bërë të gjitha kalkulimet që fitorja do të jetë me një probabilitet shumë të lartë që ditën e nesërme.
Në këtë botë gjithçka diskutohet me probabilitet. Nuk mund të diskutohet kurrë me absolutizëm, por me një probabilitet shumë të lartë nesër ne do të arrijmë që të zgjidhim këtë problem, i cili për fat të keq është ndërlikuar në mënyrë artificiale",- është shprehur Topi. Duke sqaruar këtë siguri për marrjen e 84 votave në raundin e sotëm, Bamir Topi ka sqaruar se, nga informacionet që ai zotëronte, përveç deputetëve të mazhorancës, votimin e sotëm do të jetë në pranishëm edhe deputetë të majtë, të cilët ai i konsideroi si deputetë me përgjegjësi para votuesve dhe detyrimeve kushtetuese. Megjithatë nënkryetari i PD-së ka deklaruar se, ai nuk do tërhiqet nga konkurrimi edhe nëse raundi i katërt nuk do të rezultojë i suksesshëm. Nënkryetari i PD-së ka sqaruar se, në momentin kur nisën negociatat mes partive për gjetjen e një presidentit konsensual, ai "hapi krahun", por tashmë që procesi është futur në linjë kushtetuese, ai u shpreh i vendosur për ta çuar garën deri në fund. Madje, Topi u shpreh i bindur, se për të çuar këtë garë deri në fund, ai ka mbështetjen e gjithë grupit parlamentar të PD-së, i cili sipas tij është fokusuar te opsioni i fitores dhe jo i tërheqjes.
Topi ka shprehur bindjen se Shqipëria nuk do të përballet me zgjedhjet e parakohshme, megjithatë ai theksoi faktin se, çdo kush që "do të provokonte në mënyrë artificiale kalimin në zgjedhje do merrte mbi vete një risk më të lartë për t'u vënë me shpatulla pas muri në zgjedhjet e ardhshme". I pyetur mbi projektin e tij nëse do të zgjidhet President, Bamir Topi tha se, prioritet i tij do të jetë reformimi i sistemit të drejtësisë, në kuadër të së cilit kryeprokurori aktual, Thedhori Sollaku duhet të largohet, pasi mandati i prokurorit të Përgjithshëm do të kufizohet. Lidhur me kandidaturën e Fatos Nanos, nënkryetari i PD-së shprehu bindjen se, ai nuk kishte shanse të votohej President dhe këtë e kishte deklaruar vetë Kryeministri Sali Berisha dhe eksponentë të tjerë të PD-së. (shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment