MIRDITË- Forcat speciale nga Tirana dhe policia e Mirditës kanë arrestuar dje katër anëtarët e një bande kriminale, e cila ka vrarë shtatë vjet më parë një punonjës policie e ka plagosur rëndë tre policë të tjerë. Hetimet e kryera nga Prokuroria për krimet e Rënda janë konkretizuar dje me operacionin e koduar "Shkozeti", i cili solli arrestimin e anëtarëve të bandës të cilët janë Tom Ndrec Syziu, Bardhok Ndrec Syziu, Arjan Gjergj Reçi dhe Tonin Nikoll Gjoka. Kreu i këtij grupi, shtetasi me inicialet Gj.N, ka mundur t'i shpëtojë policisë duke u fshehur në një mal.
Banda i ka ngritur shtatë vjet më parë një pritë grupit të gatshëm të policisë së Mirditës dhe ka hapur zjarr me breshëri duke lënë të vdekur policin Gjon Paçuku. Kjo organizatë dyshohet edhe për një sërë krimesh të tjera të rënda të kryera nga viti 1996 deri në vitin 2002.
Vrasja
Ka qenë ora 02.00 e mëngjesit e 28 qershorit të vitit 2000, kur njëri prej rojeve private të një parkingu në ambientet e ish-SMT-së lajmëron zyrën e oficerit të rojës së policisë, se kishte mundur që të shquante disa silueta të rinjsh që po tentonin të vidhnin pjesë nga automjet e parkuara brenda murit rrethues. I menjëhershëm ishte reagimi i grupit të gatshëm, në përbërje të të cilit ishte edhe polici Gjon Paçuku. Duke menduar se kishin të bënin me vjedhës ordinerë, policët kanë parkuar furgonin përballë portës së parkingut. Por në të vërtetë gjithçka ishte një pritë e organizuar më së miri. Të shfaqur për momentin si hajdutë pasqyrash apo sinjalesh, kishin mundur që të "ftonin" në grackë policët për të derdhur një arsenal të shumtë armësh ndaj tyre. Pas kësaj pjesëtarët e bandës largohen të qetë mes pallateve të punëtorëve, ndërsa furgoni i policisë rikthehet në drejtim të spitalit me goma të shpuara nga plumbat dhe policin Gjon Paçuku të vdekur. Nga breshëria e plumbave kanë mbetur të plagosur edhe efektivat e policisë Nikoll Marku, Bardhosh Jaku e Ndue Çupi, të gjithë efektiva të Komisariatit të Mirditës.
Arrestimi
Pas ngjarjes, policia e Mirditës kreu hetimet e para por ato u mbyllën e u lanë pezull për disa vite. Prokuroria për Krimet e Rënda ka rihapur sërish këtë çështje dhe në bashkëpunim me ekspertët e policisë ka mundur që të identifikoje anëtarët e bandës. Ata janë shtetasit Tom Ndrec Syziu, Bardhok Ndrec Syziu, Arjan Gjergj Reçi dhe Tonin Nikoll Gjoka, për të cilët policia ka dhënë një vendndodhje të saktë. Ndërkohë, një person tjetër me inicialet Gj.N, i cili është konsideruar edhe si kreu i organizatës, nuk është gjetur. Ai dyshohet se i është fshehur policisë duke qëndruar në mal. Për katër të dyshuarit e parë prokuroria ka nisur një procedurë të gjatë përgjimesh dhe ndjekjesh deri sa siguroi të gjitha provat për fajësinë e tyre. Duke ditur rrezikshmërinë shoqërore të të arrestuarve, operacioni i kapjes së tyre është organizuar nga forcat speciale nga Tirana. Ato kanë mbërritur me shpejtësi në Mirditë dhe pa njoftuar askënd janë nisur për të të kryer arrestimet. "Gjatë kontrollit të banesave të vëllezërve Syziu, përveç armatimit dhe municioneve, u gjet dheu sekuestrua në cilesinë e provës edhe një automjet - furgon me targa "MR 032 A", i cili është përdorur në ngjarjen e vrasjes së punonjësit të policisë Gjon Paçuku", -tha dje zv/ministri i Brendshëm, Genti Strazimiri. Sipas tij, të arrestuarit akuzohen për veprat penale vrasje për shkak të cilësive të veçanta, vjedhje me armë në bashkëpunim, vrasje për shkak të cilësive të veçanta, e mbetur në tentative.
TË ARRESTUARIT
Tom Ndrec Syziu, i datëlindjes 06.04.1969, lindur dhe banues në Malaj të rrethit Mirditë. Person me precedentë kriminalë
Bardhok Ndrec Syziu, i datëlindjes 06.09.1971, lindur dhe banues në Malaj të rrethit Mirditë. Person me precedentë kriminalë
Arjan Gjergj Reci, i datëlindjes 19.09.1975, lindur dhe banues në qytetin e Rrëshenit. Person me precedentë kriminalë
Tonin Nikoll Gjoka, i datëlindjes 18.04.1970, lindur në Malaj të rrethit Mirditë dhe banues në Fier, person me precedentë kriminale
Strazimiri: Banda ka kryer dhjetëra krime në 6 vjet
TIRANË- Në përfundim të operacionit të djeshëm zv/ministri i Brendshëm, Genti Strazimiri, sqaroi përpara mediave edhe krimet e tjera të kësaj bande. Sipas tij, veprimtaria kriminale e kësaj bande shtrihet prej fundit të vitit 1996 deri në vitin 2002, ku ndër më të rëndat janë vrasja e punonjësit të policisë Gjon Paçuku dhe plagosja e rënde e tre punonjësve të tjerë të policisë Nikoll Marku, Bardhosh Jaku e Ndue Çupi. "Nga hetimet paraprake rezulton se kësaj bande i atribuohen një listë e gjatë ngjarjesh të rënda të ndodhura kryesisht gjatë viteve 1997-1998 në Mirditë, Lurë, Reps si dhe në aksin rrugor Burrel-Mirditë, e pikërisht në vendin e quajtur Tuneli i Shkopetit. Me kapjen e anëtarëve të kësaj bande do të zbardhen edhe një sërë ngjarjesh të vjetra të ndodhura në këtë zonë",- tha dje zv/ministri i Brendshëm, Genti Strazimiri. (shekulli)
0 Comments:
Post a Comment