Ruli: Kriza energjetike, dimri më keq se vera

Qeveria ka zyrtarizuar tashmë krizën energjetike, edhe për 12 muajt në vazhdim. Ka qenë vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, që ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se vendin e pret një situatë më e keqe se kjo e tanishmja, në periudhën e dimrit.
"Mungesa e prurjeve në hidrocentrale, gjatë gjithë këtyre muajve, nuk mund të zëvendësohet me reshjet që mund të bien gjatë muajve të vjeshtës. Është një rekord që prej gati 80-vjetësh, nuk kemi patur një nivel të tillë prurjesh në Drin, prej 13 metrash kub në sekondë dhe faktikisht zgjidhja e vetme mbeten importet",- ka deklaruar gjatë ditës së djeshme, ministri Ruli.

Deklarata e djeshme e bërë nga ana e kreut të Ministrisë së Ekonomisë, ka zbehur përfundimisht shpresat se gjatë vitit të ardhshëm mund të kishte një zbutje të kufizimeve të zgjatura të energjisë, që kanë sjellë probleme të mëdha në jetën e qytetarëve, si edhe në të gjithë aktivitetin ekonomik të vendit. Sipas të gjitha parashikimeve dhe skenarëve, dimri i sivjetshëm do jetë më i vështiri i gjithë këtyre viteve dhe duke u bazuar në deklaratën e ministrit, pjesa më e madhe e vendit, do të jetë pjesën më të madhe të kohës në terr. Duke patur parasysh se, aktualisht, qytetet janë duke u përballur me 4-5 orë kufizime në ditë dhe fshatrat mbi 8 orë në ditë, atëherë dimri i "keq" nënkupton që terri do mbizotërojë në pjesën më të madhe të ditës dhe natës, në shtëpitë e shqiptarëve.

Kufizimet, dimri më keq se vera

Ky ka qenë edhe mesazhi që i ka dhënë ministri Ruli të gjithë shqiptarëve që po vuajnë në këto ditë të nxehta vere, mungesat e theksuara në energji. Ruli ka deklaruar se, "duhet të ketë një mirëkuptim nga të gjithë, pasi nuk mund të gjendet më shumë energji, nuk ka më mundësi për më shumë dhe duhet të mendojmë se, sido që të jetë, periudha e dimrit është më e vështirë se ajo e verës". Sipas kreut të Ministrisë së Ekonomisë, "importet shoqërohen me të gjitha problemet që kemi në rrjetin rajonal, si mbingarkesat e mëdha, pasi të gjitha vendet të cilat kanë vartësi më të vogël nga energjia hidro, si Greqia dhe Maqedonia, të cilat varen në masën 20-30% nga energjia hidro, kanë rritur në mënyrë të ndjeshme importet". Duke iu referuar sistemit të transmetimit në të gjithë rajonin, Ruli tha se probleme me furnizimin me energji ka patur ditët e fundit edhe në Maqedoni, si dhe në sistemin e transmetimit, në pjesën veriperëndimore të Greqisë dhe në pjesën e ishujve të këtij shteti, dhe të gjitha këto shkaktohen nga mbingarkesat e mëdha që sjellin flukset e importeve në rajon. Aktualisht, KESH ka arritur që të importojë prej 6 milionë kilovat orë në ditë, duke prodhuar edhe po kaq, në vend.

Zonat turistike, kufizime të reduktuara

Sipas Rulit, pavarësisht kësaj situate, "porositë më të fundit që i janë dhënë drejtuesve të KESH-it, është të sigurojnë një furnizim sa më normal, së pari, për zonat turistike, që të mos ta ndërpresim këtë aktivitet ekonomik gjatë kësaj periudhe, të mbahen në kujdes të veçantë ujësjellësit, të gjithë institucionet publike të rëndësisë së veçantë, spitalet, etj., ndërsa zonat e tjera dhe qytetet do t'i nënshtrohen kufizimeve". Gjithashtu në vëmendje, sipas ministrit, kanë qenë edhe ato zona ku biznesi është i përqendruar me aktivitete madhore, për të patur një furnizim sa më të mirë, por duke kërkuar që bizneset të mund të kalojnë një pjesë të aktivitetit edhe në orët e natës, për të mos ngarkuar periudhën e pikut.

Treguesit e energjisë

Prodhimi 6.8 milionë kWh
Importi 6.7 milionë kWh
Rënia 19 cm
Prurjet 18 m3/sek
Konsumi 13.5

Kodra: Qeveria njoftoi kolapsin energjetik

Sipas LSI, praktikisht vendi ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme, nga e cila nuk mundet ta nxjerrë kjo qeveri e papërgjegjshme. "Deklaratat për rritjen e çmimit të energjisë, pamundësinë e furnizimit apo pragun e kolapsit energjetik, sikurse deklaroi para disa orësh ministri i Energjisë, tregon se kjo qeveri është dorëzuar dhe nuk është në gjendje jo vetëm të menaxhojë situatën, por as nuk shikon ndonjë mundësi për nxjerrjen e vendit nga kriza. Kjo qeverisje e maxhorancës aktuale, në më pak se dy vjet, jo vetëm dështoi në të gjithë pretendimet dhe angazhimet programore, por e ka çuar vendin në mënyrë të vazhdueshme nga kriza në krizë, duke tronditur edhe stabilitetin makroekonomik të vendit",- ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme nënkryetarja e LSI, Filloreta Kodra. Sipas LSI, ndodhemi në një situatë me shumë të panjohura, të cilat ndikojnë në përkeqësimin maksimal të jetës së shqiptarëve, me mungesën e vazhdueshme të elementëve bazë: ujit dhe dritave. "Situata bëhet edhe më alarmante kur ndodhemi në pikun e sezonit turistik, i cili është propaganduar si "shumë e suksesshme" nga qeveria. Lëvizja Socialiste për Integrim u bën thirrje të gjithë forcave politike që, përpara çdo konsensusi, të japin kontributin dhe ekspertizën teknike pa paragjykime politike, për të zgjidhur krizën me të cilën po përballet vendi",- ka përfunduar Kodra.

Marrëveshja, ujë në oraret e dritave

Krahas krizës së dritave, vendi ndodhet në një krizë përsa i përket furnizimit me ujë të pijshëm të popullatës. Ujësjellësi ka lidhur një marrëveshje me KESH-in për të rakorduar së bashku oraret, në tentativën për të bërë sa më pak të dhimbshme krizën, të paktën për banorët e kryeqytetit. Në këtë mënyrë, furnizimi me ujë do të kryhet në të njëjtat orare kur do të ketë edhe drita. Dritat dhe uji që tani mungojnë gjatë një pjesë të mirë të ditës, do të vinë njëkohësisht në shtëpitë e qytetarëve. Të paktën në letër, kjo është zgjidhja që po tentohet t'i jepet krizës nga ana e ujësjellësit dhe KESH-it, të cilët kanë arritur një marrëveshje sipas së cilës, në oraret kur do të ketë furnizim me ujë të pijshëm të popullatës, nuk do të ketë kufizime të energjisë elektrike. Drejtori Teknik i Ujësjellësit, Ferdinand Petrela sqaron se në disa zona problematike të Tiranës, furnizimi me ujë do të jetë dy herë në ditë. Petrela ka bërë të ditur se "oraret do të jenë të këto: stacioni i pishinave, i cili furnizon qytetin e nxënësve, Selitën dhe një pjesë të Tiranës së Re, deri tek Dinamo, do të ketë ndërprerje vetëm dy orë, 18 me 20. Kombinati nuk do marrë ujë në orën 3, por në orën 15 në drekë.(shekulli)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors