Tirana do të synojë sot në “Qemal Stafa” kundër Domzhales (20:30) kalimin për herë të dhjetë në turin e dytë në kupat europiane dhe të dytën ndaj një skuadre sllovene, pas asaj të Hit Goricës.
Bardheblutë, që për herë të parë kaluan irlandezoveriorët e Linfildit (1-0, 1-2) në edicionin 1982-1983 të Kupës së Kampioneve (formati i atëhershëm i Ligës së Kampioneve), e kanë realizuar 6 herë kalimin e turit të parë në Ligën e Kampioneve, 2 herë në Kupën e Kupave dhe një herë në Kupën UEFA. Skuadra vlonjate, Flamurtari, vazhdon të mbetet skuadra shqiptare që ka kaluar më shumë ture (2) në një pjesëmarrje në kupat europiane.
Traditë 25-vjeçare
Bardheblutë në gjithë këto vitet e fundit e kanë kaluar një tur në Kupat e Europës duke krijuar jo vetëm traditë në historinë modeste të futbollit shqiptar, por dhe besimin te skuadra rekordmene shqiptare. Kalimi për herë të parë i një turi ndodhi për Tiranën para 25 vjetësh, kur Tirana eliminoi Linfidlin irlandezo-verior. Por, që nga sezoni i vitit 2003, kur Tirana kaloi skuadrën gjeorgjiane të Dinamos së Tbilisit në Ligën e Kampioneve nga seria e penalltive (dy ndeshjet përfunduan më të njëjtin rezultat 3-0, 0-3) e deri te ballafaqimi i fundit në Kupën e UEFA (edicioni 2006-2007) kur eliminoi kroatët e Varteks Varazhdinit (2-1, 1-1), 23 herë kampionia e Shqipërisë e konsideron si një objektiv minimal kalimin e turit të parë dhe një dështim të madh eliminimin. I këtij mendimi nuk është vetëm opinioni sportiv shqiptar, por edhe i “kuartetit” të donatorëve (Papuli, Ngjela, Halili e Nuri) që derdhin gjatë një sezoni për klubin më të pasur një shumë të përafërt me 1 milion dollarë.
“Kuqezinjtë” bardheblu
Tirana përbën edhe “ingranazhin” më të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare me 5 lojtarë kuqezinj (Duro, Muka, Dede, Hidi dhe Xhafa), pa përmendur edhe një listë të “vjetër” si Blendi Nallbani e Indrit Fortuzi. Humbja minimale në transfertë me Domzhalen (1-0) ka ndikuar pozitivisht në atmosferën e bardhebluve dhe të gjithë lojtarët e saj kryesorë kanë shprehur një mendim të përbashkët: Tirana kualifikohet. Klodian Duro, mesfushori me përvojë i Tiranës dhe Kombëtares, shprehet i qartë. “Edhe pse ndeshja me Domzhalen është e vështirë, në fund të fundit janë kampionë të Sllovenisë, do ta dijmë ta mposhtim”.
27-vjeçari, i cili ka veshur fanella të ekipeve turke, gjermane por edhe të katër ekipeve më të mira të Shqipërisë (Elbasani, Vllaznia, Partizani e Tirana), vlerësoi kundërshtarin në një pikë shumë të rëndësishme për një skuadër: “Domzhale u shfaq si një skuadër e pjekur taktikisht”. Edhe Nevil Dede, “mbrojtësi i hekurt”, është në të njëjtën linjë: “Domzhale është një ekip që luan futboll të thjeshtë dhe praktik”. Por, mesazhi i të dyve është i njëjti: Tirana kalon në turin tjetër. “Duhet të
jemi të mobilizuar. Vetëm po të luajmë duke zbatuar me
përpikmëri detyrat taktike dhe të japim maksimumin në fushë, kam besim se mund t’ia dalim mbanë për t’u kualifikuar”, - pohoi Dede për shtypin.
Këshillat e Starovës
Trajneri Starova, i vlerësuar si dhe një nga më të mirët në tregun vendas, e ka dhënë këshillën e tij: “Tirana kalon nëse jo vetëm sulmuesit, por të gjithë lojtarët nuk shpërdorojnë rastet që do të krijojë ekipi”. Goleadori më i mirë bardheblu në Europë, Indrit Fortuzi (10 gola), së bashku me debutuesin Orjand Abazaj (vetëm një ndeshje ndërkombëtare) nuk prodhuan asnjë rrezik në portën e Domzhales, që nga ana e saj jo vetëm realizoi me mesfushorin Jankoviç një gol të jashtëzakonshëm nga 30 metra, por dhe pati një mori rastesh për të dyfishuar rezultatin. Fortuzi pothuaj gjithnjë ka qenë deciziv me skuadrën në ndeshje ndërkombëtare dhe disa prej kualifikimeve janë produkt i klasit të tij.
Nëntë turet e kaluara
LIGA E KAMPIONEVE
1982-1983
Tirana-Linfild (Irl.Veriut) 1-0 1-2
1988-1989
Tirana-Hamrun Spartans (Maltë) 2-0 1-2
1989-1990
Tirana-Sliema Uanderers (Maltë) 5-0 0-1
2003-2004
Tirana-Dinamo Tb. (Gjeorgji) 3-0 0-3 (4-2, pen.)
2004-2005
Tirana-Gomel (Bjellorusi) 0-1 2-0
2005-2006
Tirana-NK Gorica (Slloveni) 3-0 0-2
KUPA E KUPAVE
1986-1987
Tirana-Dinamo Bukuresht (Rumani) 1-0 2-1
1994-1995
Tirana-Fandok Bobruisk (Bjellorusi) 3-0 1-4
KUPA UEFA
2006-2007
Tirana-Varteks (Kroaci) 2-0 1-1
(Albania-Sport)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment