Tenton te vriste veten për 60 mijë lekë borxh

BERAT- Nuk kishte më asnjë mundësi për të paguar borxhin prej 600 mijë lekësh të vjetra dhe në kushtet e dëshpërimit ka tentuar që të vrasë veten. Kjo është historia e një 44- vjeçari nga fshati Vokopolë i Beratit. Miltiadh Dyshniku ka tentuar t'i japë fund vetes duke gëlltitur një sasi pesticidi bujqësor.

Ai nuk kishte para për t'i dhënë borxhin mikut të tij dhe ka parë si të vetmen zgjidhje vetëvrasjen duke lënë jetimë tre fëmijët e vegjël. Për fat të mirë, 44- vjeçari është gjetur nga familjarët e tij në gjendje të rëndë dhe menjëherë është dërguar në spital. Ndihma e parë mjekësore i ka shpëtuar jetën Miltiadh Dyshnikut, i cili në orët e pasdites ka dalë nga gjendja e rëndë.

Burimet zyrtare të policisë së Beratit pohuan se në urgjencën e spitalit ka mbërritur një shtetas që paraqiste simptomat e helmimit. Menjëherë atje kanë shkuar ekspertët e policisë, të cilët pasi kanë kryer veprimet e para kanë mësuar se personi i helmuar ishte shtetasi Miltiadh Dyshniku. Prej disa kohësh ai i kishte marrë një shumë prej 60 mijë lekësh të reja një mikut të tij nga fshati Bistrivicë i Beratit. Me këto para kishte mbajtur familjen dhe tre fëmijët e mitur për disa muaj por gjatë kësaj kohe ai nuk kishte gjetur dot punë.

Pasi ishte përpjekur më kot për të gjetur paratë që të shlyente borxhin, 44- vjeçari ka rënë në gjendje depresioni. Dëshpërimi për kushtet e këqija ekonomike e ka detyruar atë që të planifikojë vetëvrasjen. Pasi ka marrë një sasi pesticidi bujqësor, ai ka hyrë në shtëpi dhe e ka gëlltitur atë. Pak minuta më pas, familjarët e kanë gjetur në gjendje shumë të rënduar.

Menjëherë ata e kanë hipur në makinë dhe e kanë transportuar për në spitalin rajonal të Beratit ku ka marrë edhe ndihmën e parë mjekësore. Burime nga spitali pohuan dje se sasia e pesticidit që kishte konsumuar 44- vjeçari nga fshati Vokopolë ishte më se e mjaftueshme për t'i marrë jetën por vetëm fati i mirë dhe ndërhyrja në kohë e mjekëve e kanë ndaluar këtë gjë. Në orët e pasdites 44- vjeçari Miltiadh Dyshniku është përmendur dhe i ka shpjeguar hetuesve se gjithçka e kishte kryer prej varfërisë. Ai nuk kishte asnjë mundësi për të paguar borxhin por edhe për të siguruar bukën e përditshme të familjes.

Kjo pasi 44- vjeçari nuk ka mundësi të punojë. "Paratë, 600 mijë lekë të vjetra, ia kam marrë borxh mikut tim Xhevair Paja nga fshati Bistrivicë e rrethit të Beratit. Këto para duhet t'ia kisha kthyer kohë më parë por nuk kam mundësi",- ka pohuar përpara hetuesve 44- vjeçari. Më pas janë marë në pyetje edhe familjarët e tij si dhe persona të tjerë dhe kur policia është siguruar se bëhej fjalë për një tentativë vetëvrasjeje i ka mbyllur hetimet.
Shekulli - Koha Shqiptare - Albanian Times

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors