Këngëtari i mirënjohur turk, Tarkan shfaqi në Shkup koncertin e tij përballë fansave që e mirëpritën me duartrokitje dhe që e shoqëruan duke kënduar përgjatë rreth dy orëve.
Koncerti i pop-star-it turk me famë botërore ishte mjaft energjik dhe dinamik, teksa gjendja emocionale ndryshonte herë pas here, kur ai kalonte nga një këngë e qetë dhe plot ndjenjë, tek një tjetër ritmike.
Tarkan e cilësoi ardhjen në kryeqytetin e Maqedonisë si realizimin e kërkesave të shumë miqve të tij për të performuar këtu.
Përpara gazetarëve që e pritën në aeroportin e Shkupit, ai zbuloi edhe karakteristikat e muzikës së tij.
“Unë jam lindur në një ambient të përzierë dhe me plot ngjyra, Turqi, Gjermani, duke dëgjuar muzikën amerikane, muzikën turke, muzikën gjermane. Të gjitha llojet e muzikës në botë. Dhe kjo gjë më ka influencuar në shumë mënyra të ndryshme. Muzika ime është si një ylber, në një farë mënyre. Ngjyra të ndryshme, nga kultura dhe vende të ndryshme. Por edhe sot e kësaj dite nuk mund ta besoj që këngët turke janë bërë kaq të suksesshme në gjithë ato vende. Është e pabesueshme”, tha Tarkan.
Ndërsa duke folur për planet e së ardhmes ai përmendi punën për bërjen e një albumi në turqisht.
“Por tani jam duke punuar për albumin tim në turqisht me 12 ose 13 këngë të reja. Album shumë dinamik, shumë i freskët dhe shumë origjinal. Më mungon që të këndoj në turqisht pas një kohe të gjatë. Jam shumë i lumtur për këtë”, shton Tarkani.
Tarkan është njëri nga këngëtarët e paktë europianë që ka arritur suksese në botën muzikore të tre kontinenteve, pa pasur nevojë që të këndojë në anglisht.
Ai është me prejardhje nga Turqia, i lindur dhe rritur në Gjermani, ka kryer studimet në Shtetet e Bashkuara, ndërsa gëzon një famë botërore me këngët e tij.
(bbc)
0 Comments:
Post a Comment