Skuadrat shqiptare, të "dënuarat" e basteve

Kur Vllaznia u kualifikua në turin e dytë të Kupës Intertoto pas eliminimit të NK Zagreb, mediat kroate mbollën në treg dyshimet për rezultat të paravendosur, madje shuma e luajtur ishte aq e madhe (mbi 10 milionë euro) sa për ndeshjen e kthimit në Shkodër u shqetësua edhe vetë delegati i UEFA-s, i cili në bisedë e sipër për “lojë korrekte dhe të monitoruar” la të kuptohej se do të ishte më mirë që Vllaznia të humbiste takimin duke “djegur” fitimet e pritshme të palës kundërshtare.

Vllaznia fitoi takimin me kroatët, i eliminoi ata, por në median kroate u fol se NK Zagreb pagoi rreth 2 milionë euro borxhe.

Kjo për vlerën që posedon tregu i basteve on-line ku luhen miliona euro në të gjithë planetin.

Kombëtarja shqiptare e futbollit ngjiti shkallët në renditjen botërore (vendi 65-të në FIFA dhe i 31-ti në UEFA) duke përmirësuar imazhin ndërkombëtar. Për klubet shqiptare të futbollit nuk mund të thuhet se e gëzojnë këtë status përballë kundërshtarëve të tyre në kompeticonet ndërkombëtare të organizuara nga UEFA, si në Ligën e Kampioneve (Tirana), Kupën UEFA (Besa e Teuta) dhe Kupën Intertoto (Vllaznia).

Kompanitë më të mëdha të basteve janë dyshueset më të mëdha në efektshmërinë e formacioneve që vijnë nga Shqipëria.

Koeficientët e ulët që shoqërojnë skuadrat tona në sfidat e zonës europiane dëshmojnë besueshmërinë e pakët të ekspertëve të futbollit dhe staticienëve që i furnizojnë me të dhëna paraprake hartuesit e koeficientëve, të cilët vendosin koeficientë shumë të ulët.

A ka një bazë të dhënash mbi të cilat kompanitë e basteve vendosin edhe koeficientët e tyre? Në vështrim të parë kur shikon ndryshimin e theksuar të diferencave në koeficientët e ekipeve shqiptare me ato të huaja, të vjen keq për vlerësimin që i bëjnë ekipeve tona, por nga ana tjetër “ustallarët e parasë” janë njëkohësisht edhe njohëset më të mira të cilësisë së futbollit modest shqiptar. Në ndeshjen Trabzonspor-Vllaznia, fitorja e turqve (1) vlerësohej 1.21, ndërsa ajo e Vllaznisë (“2), dhjetë herë më shumë, 10.02. Në një kuptim dashamirësish kjo duket si një nënvlerësim i skajshëm i skuadrës më të vjetër shqiptare.

Edhe pse skuadra serbe Bezanija merrte pjesë për herë të parë në aktivitetet ndërkombëtare, fitorja e saj në turin e parë të Kupës UEFA vlerësohej nga kompanitë e basteve lehtësisht më e pritshme kundrejt fitueses së Kupës së Shqipërisë, Besës së Kavajës. “1”-shi i Bezanijës vlerësohej 1.38 në raport me 6.40 që ishte koeficienti i fitores së Besës. Ndeshja në të vërtetë përfundoi në barazim 2-2 (4.26 koeficienti).

Përpara se të luhej takimi tjetër i Kupës UEFA, Slaven Belupo-Teuta koeficientët ishin: “1”- shi, 1.34; barazimi, 4.48 ndërsa fitorja e Teutës (“2”-shi) kishte koeficientin 6.75. Skuadra shqiptare pësoi gjashtë gola, ndërkohë që takimi u mbyll 6-2. Dyshimi i parë në të “nxehtë” pas ndeshjes ishte i presidentit të Teutës. Hasanbelliu dyshoi se dikush mund të kishte luajtur ndeshjen.

Në jo pak raste, klubet shqiptare janë dyshuar për trukime rezultatesh, kur kanë humbur me rezultat të thellë apo në ndeshje që në 90 minuta prodhojnë një numër të konsiderueshëm golash. Humbjet befasuese me katër gola diferencë apo shenja “2”-sh nuk janë të rralla për ekipet shqiptare. Dinamo, pjesëmarrëse në Kupën UEFA në sezonin 2003-2004 dhe 2004-2005, pësoi dy humbje duke pësuar nga katër gola (me belgët e Lokerenit 0-4 dhe rumunët e Otelul Galati 1-4, që të dyja në Tiranë). Rezultate që kanë provokuar humbje disa milionëshe të kompanive të basteve. Dhe nisur nga fakti, në jo pak raste ndeshjet e skuadrave shqiptare nuk kuotohen. (albania-sport)


Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors