Dinamo miqësore në Tetovë kundër Shkëndijës

Në kontingjentin e skuadrës Shkëndija’79 të martën pritet të “aterojnë” tre lojtarë nga Franca. Sipas sekretarit të përgjithshëm të Shkëndijës, Hasan Tahiri dy nga lojtarët francez janë mesfushorë, kurse një luan si sulmues.

“Tre futbollistët janë nga Franca. Presim që gjatë ditës së martë ata të arrijnë në klubin tonë. Kryesia e klubit është e mendimit se skuadrës i nevojiten edhe ca përforcime dhe për këto arsye jemi përcaktuar që këta lojtarë të vijnë tek ne”, është shprehur Tahiri. Ndërkohë ai thotë se të enjten Shkëndija do të takohet me Rabotniçkin në Shkup, në një ndeshje kontrolluese. “Ndeshja me Rabotniçkin do të luhet në stadiumin e vjetër të Shkupit, të enjten nga ora 20:00, pra nën dritat e reflektorëve. Kurse më 28 korrik prej orës 17:30 minuta luajmë me Dinamon e Tiranës. Ndërsa nga fundi i muajit do të udhëtojmë për në Krushino ose Mavrovë, ku do të qëndrojmë deri pak para fillimit të kampionatit”, ka njoftuar Tahiri, duke shtuar se nga e mërkura prej orës 17:30 minuta me përgatitje do të filloj edhe ekipi i Shkëndija “B”.



Bashkimi pëson humbjen e dytë

Bashkimi ka pësuar edhe një humbje në ndeshjen kontrolluese, kësaj radhe nga Turnova, anëtare e Ligës së Dytë të Maqedonisë.

Skuadra e Bashkimit në këtë ndeshje është paraqitur me formacionin e dytë, gjegjësisht me të rinjtë e shkollës së futbollit Bashkimi që kanë kaluar në ekipin e parë të skuadrës. “Në ndeshjen ndaj Turnovës ne u paraqitëm me formacionin e dytë të skuadrës, gjegjësisht me të rinjtë e shkollës së futbollit. Edhe pse me të rinj ne zhvilluam një lojë të mirë sidomos në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë sikur u lodhën lojtarët dhe humbën përqendrimin me çka edhe pësuam dy gola ka fundi i ndeshjes”, tha Florim Ymeri, ndihmës trajner i Bashkimit. Bashkimi ka pësuar humbje me rezultat 2:1, edhe pse skuadra kumanovare ka udhëhequr gjatë këtij takimi. Golin për Bashkimin e ka shënuar Armend Halimi. Edhe përkundër humbjes stafi teknik i Bashkimit ka mbetur i kënaqur me një ndeshje të tillë kontrolluese, ngase siç potencon Ymeri, të gjithë lojtarët kanë kërkuar konceptin e lojës dhe njëkohësisht kanë dhënë maksimumin dhe në anën tjetër skuadra e Turnovës këtë kampionat jo vetëm që është përforcuar por edhe ka ambicie për në Ligën e Parë të Maqedonisë. Bashkimi gjatë kësaj jave do të ketë edhe një ndeshje me Dritën e Bogovinës.



Renova - Shkumbini 1-1

Skuadra e Renovës në ndeshjen e tretë kontrolluese ka luajtur baraz 1:1 me skuadrën e kampionatit shqiptar, Shkumbini. Gjatë këtij takimi Renova ka pasur më shumë lojë dhe përveç golit të shënuar kanë krijuar edhe disa raste të mira shënimi, ndërsa Toleski ka huqur edhe penalltinë. “Ishim shumë më të mirë sesa Shkumbini. Unë shënova një gol në minutën e 64-të, kurse lëshuam disa raste të mira shënimi. Madje edhe penalltinë nuk e realizuam, e huqi sulmuesi Toleski. Ndërsa nga fundi i takimit ekipi kundërshtarë arriti ta barazojë në 1:1”, u shpreh mesfushori Vullnedt Emini. Ai thotë se në Ohër po stërviten nga dy herë në ditë dhe gjatë dy ditëve të ardhshme i presin edhe dy ndeshje miqësore. “Të martën prej orës 18:00 luajmë me Ohrin, kurse të mërkurën kemi ndeshjen tjetër me Pelisterin”, shpjegon Emini, i cili tha se tani po ndjehet më mirë, ngase lëndimi tashmë i përket të së kaluarës. “Jam shumë mirë. Nuk kam probleme me lëndimet, të shpresoj se gjithçka do të jetë në rregull dhe të filloj mbarë sezonin e ri të futbollit”, tha në fund Emini.

Toleski stërvitet me Renovën

Sulmuesi Goce Toleski, i cili sezonin e kaluar ka luajtur në Gjermani te skuadra e Burghausen është duke stërvitur me skuadrën e Renovës. Nëse nuk gjen ndonjë angazhim jashtë Maqedonisë, ka mundësi që në sezonin e ri të luaj për Renovën.



Mesfushori i Renovës pranë kalimit në Greuther Furth

Mesfushori i majtë i Renovës, Agron Memedi ka disa ditë që është duke u stërvitur me ekipin gjerman të Ligës së Dytë, Greuther Furth. Testimi i tij pritet të bëhet të martën në ndeshjen kontrolluese kundër skuadrës FC “Kehl”. “Kam disa ditë që jam duke u stërvitur me ekipin e Greuther Furth. Në përgjithësi jam i kënaqur me kushtet stërvitore, kurse të martën prej orës 18:30 minuta e kam një ndeshje kontrolli me skuadrën e FC ‘Kehl’. Deri të enjten shpresoj se do të përfundojnë bisedimiet dhe unë të bëhem pjesë e kësaj skuadre”, është shprehur përmes celularit 26 vjeçari Memedi. Ai deri tani është pëlqyer nga trajneri italian, Bruno Llabadia, ish-futbollist i disa ekipeve të Bundesligës gjermane. “Në drejtimin e trajnerit italian Bruno Labbadia jam duke i zhvilluar seancat stërvitore, të cilat jam duke i përballuar mjaftë mirë. Tani për tani ata kanë një vlerësim të mirë për mua, por dëshirojnë që të më testojnë edhe në ndeshje kontrolluese”, shpjegoi Memedi. Nëse realizohet transferimi i Memedit te Greuther Furth, atëherë do të ishte një sukses i madh për lojtarët shqiptarë nga Maqedonia, pasi më herët në Bundeligën ll është transferuar Artim Pollozhani te TuS Koblenz. (Albania-Sport)

Kthehu Mbrapa

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors