Mbërriti në Milano të premten pasdite nga Afrika e Jugut, ku mori pjesë në festën e organizuar për 89 vjetorin e Nelson Mandelës. Pak minuta në hotel dhe menjëherë përpara fotografëve. Të shtunën e kaloi të gjithë kohën për të regjistruar spotin publicitar së bashku me Inzagin.
Dje u nis për një tjetër udhëtim. Tani Pele vrapon më shumë se në kohën kur ishte futbollist: një mijë angazhimet në të gjithë botën e bëjnë të ndihet ende i ri; një mijë e dyqind e tëtëdhjetë e një golat e shënuar e bëjnë një legjendë. Një legjendë që flet për gjithçka.
Pele, ç’do t’i këshillonit Kakasë, që kërkohet nga Reali i Madridit?
“Unë kam luajtur për 20 vite me Santosin, i kam qendruar besnik edhe pse në atë kohë pata oferta shumë të mira pikërisht nga Reali i Madridit dhe Juventusi. Vendosa të qendroja aty ku u rrita, ku u bëra një kampion, ku njerëzit më donin, ku isha i lumtur, ku ndihesha mirë me veten time. Paratë nuk janë gjithçka: banale, por shumë e vërtetë. Nuk dua të mësoj Kakanë si të sillet, por vetëm të kthejë kokën prapa: te Milani më duket i lumtur, pse të ndryshojë ambient?”.
Milani fillon nesër (sot) grumbullimin: në sezonin e ardhshëm Ronaldo kërkon të rikthehet nr.1 në botë. A do t’ia arrijë?
“Nësë është mirë fizikisht, besoj se po. Problemi i tij i vetëm është fiziku. Duhet të stërvitet me vazhdimësi dhe më duket se te Milani ka gjetur ambientin e duhur dhe stiumjt për t’u rikthyer i madh. Besoj se Ronaldo nuk është i nevojshëm vetëm për Milanin, por edhe për Kakanë”.
Ndoshta edhe për Brazilin.
“Ka nisur epoka e Dungës, një epokë ndryshe nga ato të mëparshmet. Fitorja në Kupën e Amerikës kundër një Argjentine në letër superiore është shumë domethënëse, pasi tregon vlerat e ndryshimit që po pëson futbolli brazilian, që triumfoi pa asnjë yll, dhe vlerat e trajnerit. Dunga po bën një punë shumë të mirë sidomos për të ardhmen: suksesi në Kupën e Amerikës është fryt i një programimi, që mund të ketë kulmin në Kupën e Botës 2010”.
A ju pëlqen Brazili me stil italian?
“Ka ndryshuar mentaliteti, të gjithë janë të përqendruar te kolektiviteti dhe më pak tek individualitetet: vështirësia më e madhe është zgjedhja e lojtarëve, pasi tashmë mendohet më shumë dobishmëria taktike dhe jo vetëm cilësitë teknike”.
Edhe Adriano synon të rikthehet te Seleçao.
“Ai është një golashënues i madh, jo një kampion që driblon dhe i bën tifozët të çmenden pas tij. E ka kuptuar se ka gabuar në muajt e fundit: kjo do të thotë se po del nga tuneli. Nëse do të stërvitet mirë, do të kthehet i madh”.
Ç’mendim keni për futbollin italian, që del nga një sezon me triumfe dhe polemika?
“Nuk e kuptoj ku janë problemet, ose më mirë, sipas meje nuk ka të tillë. Italia është kampione e Botës me kombëtaren dhe kampione e Europës me Milanin. Polemikat kalojnë, sukseset mbeten. Dhe më duket se situata po normalizohet. Jam shumë i lumtur që Juventusi u rikthye menjëherë në Serinë A: është e mrekullueshme vëmendja që i kushtohet kësaj skuadre jashtë kufijve të Italisë, ndiqet kudo dhe ka miliona tifozë. Kampionati i ri do të jetë shumë i bukur, pa asnjë favorite dhe me shumë skuadra të mëdha”.
Si e gjykoni vendimin e Totit për të braktisur fanellën e kaltërt?
“Besoj se u treguar shumë inteligjent që u largua në momentin që ndodhet ende në nivele shumë të larta. Më mirë të bësh vetë një hap prapa, se sa të presësh momentin kur trajneri nuk të konsideron më të nevojshëm. Toti është një lojtar i madh, e ka ndierë brenda vetes se ishte momenti për t’u larguar nga kombëtarja dhe t’i dedikohet vetëm Romës dhe e mori vendimin. Unë u largova nga kombëtarja në 1972 dhe një vit më vonë u shpalla golashënuesi më i mirë i kampionatit”.
Ju u përpoqët t’i mësonit futbollin amerikanëve. Tani po e provon Bekami. Do t’ia arrijë?
“Është shumë e vështirë të luash në kampionatin amerikan dhe besoj se Dejvidi e di mirë këtë. Promovimi që do t’i bëjë ai ‘soccer’-it do të jetë i rëndësishëm, por amerikanët vrapojnë shumë, markojnë shumë ashpër dhe të detyrojnë të japësh gjithmonë maksimumin. Nuk do të jenë pushime për të, përkundrazi një betejë e vërtetë”.
Ç’mendim keni për Platininë si president i UEFA-s?
“Të mirë: jam një tifoz dhe mendoj se po punon shumë mirë. Fitoi në zgjedhje të vështira, është një ish-lojtar me ide brilante dhe një person inteligjent”.
Ndërkohë, Maradona vazhdon betejën e tij me jetën”.
“Diego e di që jam gjithnjë në krah të tij. Çfarëdo që t’i duhet, unë do të jem i gatshëm për ta ndihmuar”.
Të gjithë presin Milan-Boka Juniors në finalen e Botërorit për klube: cila do të ishte favorite?
“Është e vështirë të luash kundër argjentinasve, do të vendosin e episodet, pra mendoj se është një sfidë pa favoritë”.
Milani dëshiron një mes Drogbasë, Etosë, Patos, Ronaldinjos dhe Shevçenkos? Ju cilin sugjeroni?
“Janë të gjithë të zotët, por nuk e di nëse Milanit i duhet një sulmues. Është Inzagi, i jashtëzakonshëm; është Ronaldo, që nëse është mirë është nr.1; është Xhilardino, i ri dhe i fortë; dhe natyrisht është Kaka”.
A është Pato me të vërtetë një fenomen?
“Pato është një lojtar i mirë, por nuk është ende një kampion. Sipas meje është më mirë të presë përpara se të shpërnbulet në Europë. Shikoni Robinjon: iu desh goxha kohë për të treguar aftësitë e tij te Reali, pasi erdhi kur ishte ende një fëmijë. Është shpejt për të thënë se ç’lloj lojtari do të bëhet Pato: ka potencial, por është ende shumë i ri”.
A ka ndonjë brazilian për të cilin jeni gati të vini bast?
“Markos Aurelio, sulmuesi i Santosit, i datëlindjes 1984. erdhi te Santosi në janar, dhe dha kontributin e tij në fitimin e titullit paulista. Në 18 muaj ka shënuar 40 gola: më kujton Romarion, është premtues”.
“Inzagin e dua te Santosi”
Një tavolinë gjysmë ovale, një juri e kujdesshme e kryesuar nga Pele dhe një kandidat për t’u vëzhguar. “Ju si quheni?”. “Pipo Inzagi”. “Çfarë dini të bëni?” “Gola”. “Si?”. “Në çdo mënyrë”. Nis prova, topat vijnë nga të gjitha anët dhe Pipo bën atë që bën në përsosmëri prej 15 vitesh: shënon. Një, dy, tre herë. Dhjetë, njëzet, njëqind. Numri në tabelë rritet, rritet, rritet, arrin në kuotën 999 dhe më pas...Më pas duhet ndjekur spoti në televizion, i cili do të nisë të transmetohet javët e ardhshme, por përveç Inzagit personazh do të jetë edhe Zlatan Ibrahimoviç.
URIMET – Gjatë xhirimeve ka shumë pak kohë për pushim. Inzagi nis punë pak pas orës 9 të mëngjesit dhe pas një pushimi të shkurtër në drekë, qendron përpara kamerave deri në 7 të mbrëmjes. Pipo është i zoti, gjithnjë i gatshëm të veprojë dhe buzëqesh. Regjistrimi i spotit është i vështirë thuajse sa një seancë stërvitore, pasi Inzagi duhet të gjuajë me kokë, me këmbë, me gjoks me qindra herë. Kur vjen Pele, Pipo e sheh me admirim: “Duket shumë mirë: ai është një mit. Një që ka shënuar kaq shumë vetëm mund ta duartrokasësh”. Përqafimi mes dy kampionëve është shumë i bukur dhe i sinqertë. Pele e tepron paksa: “Pipo, kam menduar shumë herë se do të ishte fantastike nëse do të luaje për Santosin. Me ty në qendër të sulmit do të fitonim pesë tituj rradhazi. Nuk ka mbrojtës që të të ndalojnë dhe jo vetëm në Brazil: ti gjithmonë arrin të shënosh. Mendohu dhe më telefono”. Pipo buzëqesh, duket i emocionuar, gati i habitur nga fjalët e Pelesë. Numri një i të gjitha kohërave që e fton të luajë në skuadrën e tij: vera magjike e Inzagit duket se nuk do të mbarojë kurrë.
Curriculumi i një kampioni
Pele është shembulli i besnikërisë. Nga 1956 deri në 1974 ka luajtur për Santosin, skuadra me të cilën bëri debutimin si profesionist dhe me të cilën ka fituar pjesën më të madhe të trofeve. Ai dhe Maradona konsiderohen si lojtarët më të mirë në historinë e futbollit. Emri i tij i vërtetë është Edson Arantes do Nascimento, ka lindur në Tres Koraçoes, Brazil, më 23 tetor 1940, dhe thirret “O Rei” (Mbreti). Ka fituar tre herë Kupën e Botës (Suedi 1958, Kili 1962 dhe Meksikë 1970), një Kupë Interkontinentale (1969), 2 Kupa Libertadores (1962 dhe 1963), 6 kampionatë brazilianë dhe 10 kampionatë të shtetit të San Paolos, si dhe një kampionat amerikan (me Kozmosin, 1977). Ka shënuar 1281 gola në karrierë. Pas tërheqjes nga futbolli është angazhuar në politikë dhe ka qenë edhe ministër i sportit në Brazil në mesin e viteve ’90.
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment