Sulmuesi shqiptar nga Maqedonia që luan për NK “Domzhale”
Sulmuesi shqiptar nga Tetova Pllumb Jusufi (19 vjeç) që luan për kampionët e Sllovenisë, Domzhale është optimist se skuadra e tij do të mundë ta eliminojë kampionen e Shqipërisë, Tiranën, në ndeshjen kthyese kualifikuese të Ligës së Kampionëve.
Numri 99 i sllovenëve thotë se Domzhalen në kryqytetin shqiptar, Tiranë e pret një përballje mjaft e vështirë, pasi avantazhi minimal (1:0) nga ndeshja e parë nuk është shumë i favorshëm për sllovenët.
“Në Tiranë na pret një ndeshje shumë e vështirë, pasi në shtëpinë tonë lëshuam rastin që të shënojmë më shumë se një gol. Patëm shanset tona të cilat nuk ia dolëm t’i realizojmë dhe tani na pret një udhëtim jo i lehtë. Do të përpiqemi të mos pranojmë gol, po e përsërisë, është një ndeshje e vështirë, ngase Tirana është një skuadër e mirë dhe do të ketë ndihmën e shikuesve të saj. Pastaj në radhët e saja kishte disa lojtarë cilësorë si, Duro, Muka e të tjerë. Megjithatë përkundër të gjitha këtyre jam i mendimit se kemi forcë për ta eliminuar skuadrën shqiptare dhe të kualifikohemi në rrethin e dytë kualifikues”, është shprehur ekskluzivisht për “Lajm”, sulmuesi Jusufi. Ai thotë se Domzhale në ndeshjen e kthimit do të jetë me formacionin më të mirë, pasi do të kthehet edhe sulmuesi kroat Dario Zamora. “Në Tiranë do të udhëtojmë të kompletuar. Nuk kemi asnjë lojtarë të dëmtuar, ndërsa në përbërjen tonë do të kthehet kroati Dario Zamora. Ai do të jetë përforcim i madh për sulmin tonë. Ne do ta zhvillojmë lojën që do të na përgjigjej, por edhe nëse eliminohemi nga Tirana nuk do të ishte ndonjë befasi”, komentoi Jusufi. Ndeshja Tirana - Domzhale do të luhet të mërkurën në “Qemal Stafa” dhe do të fillojë nga ora 20:00. Fituesi i kësaj ndeshje takohet me kampionen e Kroacisë, Dinamo Zagreb në xhiron e dytë kualifikuese.
Jusufi: Është kënaqësi të luaj për Shqipërinë
Në pyetjen, nëse Oto Bariq, i cili ka ndjekur nga afër ndeshjen e parë, do t’i bënte një ofertë Jusufit për të veshur fanellën kuqezi, ai është përgjigjur pozitivisht. “Do të ishte kënaqësi të luaja për Shqipërinë, por së pari duhet të konsultohem me prindin dhe menaxherin tim. Duhet shikuar mundësitë sesi mund të luaj për Shqipërinë. Si i vogël kam pasur dëshirë të luaj për kombëtaren kuqezi. Unë i kam kaluar të gjitha grupmoshat e Kroacisë, së fundi kam luajtur edhe për U-19”, tha Jusufi.
Skeda personale
Emri dhe mbiemri: Pllumb Jusufi
Numri në fanellë: 99
Vendi që luan: sulmues
Datëlindja: 10.02.1988, Tetovë (Maqedoni)
Shtetësia: kroate
Gjatësia/ pesha/ nr. i këpucëve 1,75 m / 69 kg / 42
Klubet e mëparshme: NK Dinamo (Kroaci, 2000/2006)
FC Bonifika 2007. Në Domzhale nga korriku 2007
Golat për U-19: 42/18
Sukseset: Golashënuesi më i mirë i Ligës së të rinjve 2002, 2003, 2005
Lojtari më i mirë i Ligës së të rinjve 2003, 2004
0 Comments:
Post a Comment