GRAMSH- Armatimet dhe municionet e vjetra ushtarake vazhdojnë që të shkaktojnë viktima në të gjithë Shqipërinë. Një 17- vjeçar nga fshati Shën Mëri i Gramshit ka gjetur vdekjen dje teksa po çmontonte një predhë tokë- tokë. Një gabim i vogël dhe mbushja e predhës ka shpërthyer duke lënë të vdekur në vend 17- vjeçarin.
Hysen Brahimi së bashku me babanë dhe një fqinjin e tyre kishin kohë që ushtronin këtë "profesion" duke zbërthyer predha e duke i shitur më pas për skrap. Babai i tij, Mylazim Brahimi, dhe fqinji i tyre Ledio Nasufi, për fat të mirë kanë shpëtuar vetëm me dëmtime të shumta në trup por pa rrezik për jetën. Ky i fundit është transportuar me helikopter në spitalin ushtarak në kryeqytet ku po merr ende ndihmën mjekësore.
Çmontimi i predhave të vjetra të ushtrisë është kthyer në biznes në fshatin Shën Mëri të Gramshit. Dhjetëra fshatarë kanë kohë që të vetmen mënyrë jetese kanë zbrazjen e predhave të luftës dhe shitjen e pjesëve të tyre për skrap. Rreziku që vjen nga to është shumë i madh por banorët e zonës duhet të shpien bukën e përditshme në shtëpi. Ata shkojnë çdo ditë në vendin e quajtur Përroi i Brahimasit, kundodhet një poligon i miratuar nga Ministria e Mbrojtjes. Atje bëhen shpërthime të municioneve të mbetura nga ushtria. Veç mbetjeve të municioneve ka edhe predha të paplasura me mbushje por pa djegore. Të gjitha familjet e fshatit marrin pjesë e mbetje predhash por edhe ato janë ende të mbushura me barut e tritol i hapin dhe i boshatisin. Janë vetë fshatarët ata që i kthejnë këto predha në të padëmshme e më pas pjesët e hekurta i transportojnë e i shesin për skrap. Me këtë punë merreshin familjet Brahimi e Nasufi. Në një varfëri ekstreme, djemtë e vegjël të familjes shkonin çdo ditë duke u përballur me rrezikun për të nxjerrë të paktën një kilogram skrap nga poligoni. Askush nuk e kishte marrë parasysh rrezikun që i kanosej, as të rriturit por as adoleshentët. Në një ditë pune kur 17- vjeçari kishte sjellë në shtëpi një predhë pa fitil ata janë përpjekur ta boshatisin por pasojat kanë qënë ekstreme për djalin 17 vjeç. Hysen Brahimi kishte edhe dy vëllezër të tjerë një prej të cilëve në Greqi ndërsa së bashku me të atin punonin që të siguronin sado pak të ardhura për familjen me anë të predhave.
***
Ajo që nuk pritej ndodhi rreth orës 15.00 të ditës së djeshme. Hysen Brahimi 17 vjeç dhe babai i tij Mylazimi, së ashku me fqinjin e tyre Ledio Nasufikishin nisur punën për nxjerrjen e skrapit. Ata kanë hapur një predhë me mbushje por pa djegore për t'i hequr barutin në shtëpinë e tyre. Në atë moment predha ka shpërthyer dhe për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme Hysen Brahimi.
Ciflat e predhës kanë dëmtuar rëndë 19- vjeçarin Ledio Nasufi dhe babanë e viktimës, 45- vjeçarin Mylazim Brahimi. E gjithë skena e shpërthimit është parë nga djali i vogël i familjes Brahimi, i cili ka qënë në oborr duke luajtur në momentin e shpërthimit. Për 17- vjeçarin nuk ka patur asnjë mundësi shpëtimi pasi ciflat e predhës ia kanë ndarë trupin në shumë pjesë. Por shpërthimi i fuqishëm është dëgjuar nga të gjithë banorët e fshatit, të cilët kanë dërguar me makinë dy të plagosurit në spitalin e Gramshit. Pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekët e Gramshit nuk kanë dhënë siguri për 19- vjeçarin Nasufi.
Ata kanë kontaktuar me eprorët në Ministrinë e Shëndetësisë, të cilët kanë dëguar urgjent një helikopter në qytetin e Gramshit. Me këtë mjet është bërë transportimi për në spitalin ushtarak në kryeqytet i 19- vjeçarit Ledio Nasufi. Ndërkohë 45- vjeçari Hysen Brahimi i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin e Gramshit por mësohet se gjëndja e tij është ende e rëndë. Edhe për këtë është kërkuar transportimi për në kryeqytet ku mund të marrë ndihmë më të specializuar.
Ekspertët në Shën Mëri, mbledhin predhat e mbetura
GRAMSH- Ekspertë nga Ministria e Mbrojtjes kanë mbërritur në Gramsh pas ngjarjes së ndodhur. Pasi janë njohur me detajet në komisariat ata janë nisur në fshatin Shën Mëri ku edhe ka ndodhur ngjarja tragjike. Ekspertët kanë analizuar municionet e pashpërthyera dhe kanë bërë grumbullimin e mbetjeve të predhave. Ata kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet që sollën pasoja tragjike për jetën e njerëzve. Paraprakisht mësohet se banorët nuk respektonin masat e marra nga ushtria për rrezikun që kanosej nga predhat duke rrezikuar jetën e tyre me nxjerrjen e armatimeve ende të pashpërthyera nga poligoni.
Gjithsesi pritet që rezultatet e ekspertizës jo vetëm nga policia por edhe nga Ministria e Mbrojtjes të zbardhin të gjitha rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja e rëndë. Aktualisht, pothuajse të gjitha familjet e fshatit Shën Mëri, kanë municione në shtëpitë e tyre dhe pasi i boshatisin predhat i dërgojnë për skrap. Ngjarja tragjike ka tronditur jo vetëm dy familjet e dëmtuara por të gjithë fshatin, i cili fle me predhat. B.Nergjoni
PRECEDENTI
Shpërthimi i predhave në Dhemblan, dy viktima
Më gjashtë maj të vitit të kaluar një tjetër shpërthim i predhave të vjetra të ushtrisë ka tronditur jugun e Shqipërisë. Depoja më e madhe e armatimeve të ushtrisë, e vendosur në fshatin Dhemblan të Tepelenës ka shpërthyer duke shkaktuar vdekjen e dy personave. Edhe në këtë rast ushtarakë dhe banorë të fshatit po punonin në çmontimin e predhave të vjetra.
Gabimi i njërit prej ushtarakëve ka shkaktuar një katastrofë të vërtetë. Fillimisht ushtarakët dhe banorët e zonës kanë çmontuar pjesët përbërëse të predhave dhe më kryesisht u kanë hequr atyre fundin dhe kanë ndarë veç barutin e tritolin dhe veç predhën. Në këtë mënyrë ushtarakët kanë mbledhur një makinë ushtrie me barut si dhe kanë ndarë veç rreth gjashtë tonë me tritol.
Shpërthimi i predhës arriti deri tek kamioni mebarut, i cili ka marrë flakë menjëherë duke shpërthyer në të gjithë zonën përreth. Pas barutit ka shpërthyer edhe sasia e tritolit duke bërë që për 18 orë me radhë të gjitha predhat që ndodheshin aty pranë të hidheshin në erë. Predhat kanë fluturuar deri në gjashtë kilometra larg e më pas kanë rënë si gurë në shtëpitë e banorëve. Për fat të mirë nuk pati viktima.
Rreziku më i madh në këtë rast ishin gjashtë depo me predha, të cilat ndodheshin në mal, shumë pranë vendit të ngjarjes. Në rast se zjarri do të kishte arritur tek këto tunele atëherë e gjithë zona do të ishte rrafshuar.
Shekulli
0 Comments:
Post a Comment