Minatorët, një prej grevistëve, urgjent në spital

BULQIZË- Përkeqësohet gjendja shëndetësore e njërit prej minatorëve të Bulqizës. Bajram Duka, është dërguar në urgjencën e spitalit vendor pasi i ka rënë të fikët në mjediset ku zhvillohet greva. Ai ka kaluar një jetë të vështirë në minierë dhe vuan nga sëmundja që i kanë shkaktuar dhe shtatë operacione në trup, por që ka qenë ndër të parët që ka hyrë në grevën e urisë duke shprehur se "tashmë përveç jetës nuk kam çfarë humb më". Dje me këtë grevë janë solidarizuar edhe sindikatat homologe italiane.

Carlo Coli, përfaqësues i tri sindikatave homologe të Konfederatës sindikaliste të punëtorëve italianë është solidarizuar me grevën e minatorëve të Bulqizës, kërkesat dhe protestat e tyre të vijueshme për pagë më të lartë dhe kushte më të mira pune. Në ditën e gjashtë të grevës sërish nuk ka asnjë reagim nga ana e shtetit shqiptar. Pas braktisjes së negociatave me ministrin Ruli nga ana e përfaqësuesve të grevës, minatorët janë kthyer sërisht në shtëpitë e tyre.

Në ditën e gjashtë të grevës së urisë, minatorët e Bulqizës duket se kanë sensibilizuar dhe opinionin sindikalist ndërkombëtar. Vdekja tragjike e dy minatorëve në këtë minierë për shkak të kushteve të sigurisë së pa garantuar brenda në thellësitë e nëntokës si dhe greva e zgjatur e 660 minatorëve që kulmoi me grevën e urisë, ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve.

Në mitingun e radhës të protestës, krahas kryetarit të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, K. Nikolli, ka qenë dhe Carlo Coli, përfaqësues i tri sindikatave homologe të Konfederatës sindikaliste të punëtorëve italianë. Ai ka ngushëlluar minatorët dhe familjet e minatorëve Fadil Canit dhe Nexhbedin Marku, të cilët vdiqën tragjikisht në thellësitë e kësaj miniere nga shpërthimi i minave.

Në lidhje me grevën kanë folur dhe autoritete të larta evropiane të organizimit sindikalist, kryesisht nga Federata Sindikale e Minierave dhe Energjisë Europiane me qendër në Bruksel, që operojnë në emër të 25 milionë sindikalistëve nga 24 shtete evropiane. Ata e kanë përkrahur grevën e sindikatës së minatorëve të Bulqizës dhe e informojnë kryeministrin Berisha rreth saj duke i kërkuar që të ndërhyjë energjikisht në zgjidhjen e këtij problemi të madh, ndërkohë ata po informojnë dhe Komisionin Ekonomik dhe Social në Këshillin e Europës për atë që po ngjet në Bulqizë.

Ndërkohë, gjendja shëndetësore e grevistëve të urisë është përkeqësuar tejet shumë, madje sot njëri prej grevistëve është dërguar me urgjencë në spital. Dhjetëra minatorë dhe banorë të qytetit e kanë shoqëruar të sëmurin e vënë në ambulancë deri tek dera e spitalit. Edhe atje minatorët grevistë, janë treguar të ashpër me kryebashkiakun e Bulqizës, i cili sipas grevistëve është prononcuar negativisht për grevën e tyre duke qenë vëllai i drejtorit të minierës.

Disa prej grevistëve dhe minatorë të tjerë, kanë përmendur faktin se mbi ta ushtrohet presion nga një "klikë" uzurpuese e minierës, ose siç thonë ata "50 të fortët" që e mbajnë peng këtë minierë dhe mjerimin tonë gjithashtu. Vetë kreu i Konfederatës, Nikolli, i ka kërkuar prokurorisë shqiptare të hetojë rreth asaj që ka ndodhur me keqmenaxhimet dhe abuzimet në këtë minierë dhe përgjithësisht në aktivitetin prodhues të kromit e mineraleve të tjerë në vend si pasuri e vyer kombëtare.

Vetëm në Bulqizë fitimi i kompanisë koncesionare në çdo muaj shkon tek 850 mijë euro por sërish rrogat nuk paguhen. Nikolli pohoi se dje ka pasur një bisedë telefonike me pronarin e kompanisë koncensionare, i cili pas incidentit të grevistëve me ministrin Ruli, dhe humbjeve që po pëson kompania nga kjo grevë e gjatë, duke e parë se qeveria "po e lë në baltë" ka premtuar se do do të hyjë ditën e sotme në negociata me grevistët dhe drejtuesit sindikalistë.

Shekulli

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors