BURREL- Një sherr i rrallë ka ndodhur në ambientet e burgut të Burrelit por këtë herë të burgosurit nuk kanë qenë protagonistë por thjesht spektatorë.
Shefi i policisë së burgut dhe disa nga vartësit e tij kanë rrahur në mënyrë barbare furnitorin e magazinës së burgut. Shaban Lleshi, shefi i policisë, ka urdhëruar vartësit e tij që të nxjerrin jashtë burgut furnitorin Skënder Hysa. Kur ky i fundit nuk ka pranuar që të dalë ka nisur edhe një seri e gjatë shkelmash e grushtash që kanë lënë me dëmtime të shumta Hysën. E gjithë skena është parë nga të burgosur dhe banorë të pallateve përreth të cilët kanë mbetur të shokuar nga mënyra barbare se si një grup policësh kishte shtrirë përdhe dhe rrihte një person tjetër. Në lidhje me këtë ngjarje kanë nisur edhe hetimet e prokurorisë lokale.
Sherri
Pasditen e së martës, banorët e pallateve pranë burgut të Burrelit dhe të burgosurit janë vërsulur tek dritaret teksa kanë dëgjuar një debat me zë të lartë që po zhvillohej midis disa personave brenda në burg. Ata janë habitur kur kanë parë policët që të rrihnin një person, të cilin e kishin shtrirë përdhe. Burime nga personeli i burgut shpjeguan pas ngjarjes se gjithçka ka nisur kur furnitori i magazinës së burgut, Skënder Hysa, është gjendur në mjediset e burgut për t'iu drejtuar vendit të punës. Ndërkohë që aty është urdhëruar nga shefi i sigurisë, Shaban Lleshi, që furnitori të nxirrej jashtë mjediseve të burgut. Katër policë të sigurisë së burgut i janë afruar për të nxjerrë Hysën jashtë burgut por ai nuk ka pranuar. Në këtë mënyrë ka nisur debati ku ka pasur sharje e fyerje nga të dyja palët. Punonjësit e policisë e kanë kapur furnitorin me forcë dhe e kanë tërhequr drejt derës së burgut. Rreth 15 metra larg saj, midis vendit ku qëndron zjarrfikësja dhe një lokali privat, ka filluar përleshja e dhunshme që ka degjeneruar në grushte e shkelma. Furnitori ka pësuar dëmtime të rënda ndaj menjëherë është dërguar në spitalin civil të qytetit.
Motivi
Burimet nga brenda burgut se punonjësi i administratës si furnitor Skënder Hysa i ka kërkuar shefit të sigurisë, Shaban Lleshi, që të pinë një kafe, por me sa duket gjithçka ka shërbyer si shenjë acarimi në mes tyre. Lleshi ka kërkuar që furnitori të nxirret jashtë ambienteve të burgut dhe për këtë ka urdhëruar disa policë të sigurisë së burgut. Kësisoj ka filluar shamata dhe zënkat dhe më pas është ushtruar dhunë nga punonjësit e policisë mbi furnitorin Hysa. Këtë e dëshmojnë dhe qytetarët teksa kanë parë katër persona, të veshur me uniformë policie dhe të armatosur duke shtrirë përtokë furnitorin e burgut dhe goditur disa herë atë. Kreu i prokurorisë së Burrelit, Arben Dyli, konfirmoi se për ngjarjen në burg ka marrë disa persona në pyetje si dhe po mbledh dëshmi të qytetarëve dhe prova materiale, ndërkohë që pritet të merret në pyetje dhe vetë shefi i sigurisë së burgut, Shaban Lleshi. Mjekët që kanë pritur të rrahurin në spital pohuan se Hysa ka pësuar hematoma dhe enjtje të shumta nga goditjet e marra në trup, në kokë dhe në shpinë. Më e keqja, sipas mjekëve, mund të rezultojë që i dëmtuari të ketë humbur dëgjimin në njërin vesh.
Drejtoria e Burgjeve: Magazinieri ishte i pirë
Pas ngjarjes në fjalë ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila e ka konsideruar ngjarjen si banale. "Shkaku i konfliktit të ndodhur midis punonjësve të burgut të sigurisë së lartë të Burrelit është pakënaqësia e magazinierit të këtij burgu me shefin e policisë. Magazinieri i burgut, ka kërkuar nga ana e Shaban Lleshit ngritjen në detyrë, pajisjen me një zyrë pune dhe kushte më komode. Ndërkohë që shefi i policisë burgut nuk ka lidhje me emërtesat që vendosen në detyrë punonjësit e burgut apo gardianët. Po kështu magazinieri ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike dhe ka përdorur shprehje banale ndaj shefit të rendit të burgut, ku mëpas situata ka dalë edhe jashtë kontrollit, duke përfunduar në përleshje. Për këtë problem tashmë po hetohet nga ana jonë", -thanë dje përfaqësueit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. (Shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment