Drejtori i Rrugëve, Ylli Gjoni: Kemi parapaguar 40 milionë euro për rrugën
Ende qeveria nuk e di koston e kësaj rruge, ndërsa punohet me projekte të pjesshme
"Ende nuk kemi një projekt përfundimtar dhe njëkohësisht, projekti është me vonesë krahasuar me kontratën e lidhur",- ka deklaruar Gjoni. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Rrugëve, duke mos patur një projekt përfundimtar, qeveria ende nuk e di se sa do t'u kushtojë shqiptarëve ky investim, në një kohë që vetëm kredi tregtare për këtë rrugë, deri tani qeveria ka marrë rreth 230 milionë euro.
Rruga Durrës-Morinë, e vlerësuar edhe si projekti më i madh që po vihet në zbatim gjatë këtyre 17 viteve, ende nuk ka një projekt përfundimtar. Por jo vetëm pjesa që ende nuk kanë filluar punimet, por edhe segmenti Rrëshen-Kalimash, në të cilin janë hedhur dhjetëra milionë euro, vazhdon të ndërtohet nëpërmjet projekteve të pjesshme dhe qeveria nuk ka një faturë për këto punime. Ka qenë vetë drejtori i përgjithshëm i Rrugëve, Ylli Gjoni, që i është përgjigjur pyetjes së deputetëve të opozitës, se ende nuk ka një projekt përfundimtar të kësaj rruge dhe konkretisht të segmentit Rrëshen-Kalimash. "Ende nuk kemi një projekt përfundimtar dhe njëkohësisht, projekti është me vonesë krahasuar me kontratën e lidhur",- ka deklaruar Gjoni. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Rrugëve, duke mos patur një projekt përfundimtar, qeveria ende nuk e di se sa do t'u kushtojë shqiptarëve ky investim, në një kohë që vetëm kredi tregtare për këtë rrugë, deri tani qeveria ka marrë rreth 230 milionë euro. E vetmja gjë që specialistët e Ministrisë së Transporteve dinë, është fondi që pritet t'i jepet firmave ndërtuese deri në fund të këtij viti, për pjesën Rrëshen-Kalimash. "Shuma e investimit, deri në fund të këtij viti, për segmentin Rrëshen-Kalimash kap vlerën e 155 milionë eurove, nga të cilat 60 milionë nga Buxheti Shtesë",- ka bërë të ditur Gjoni. Por, megjithëse ka bërë të ditur se kostoja totale e rrugës Durrës-Morinë mund të shkojë në 460 milionë euro, drejtori Gjoni mbetet ende i paqartë në deklaratë pasi, në një kohë që nuk dihet kostoja e një segmenti, si mund të nxirret kostoja e gjithë rrugës.
Gjoni: Paguam parapagim 40 milionë euro
Gjatë diskutim të projektit të rrugës Durrës-Kukës dhe pjesës më të rëndësishme të saj, Rrëshen-Kalimash, drejtori i përgjithshëm i Rrugëve deklaroi se, "deri tani janë dhënë 40 milionë euro parapagim. "Shkeljet e realizuara nga qeveria janë konfirmuar edhe nga Prokuroria, gjatë një hetimi të realizuar për tenderin dhe procedurat e prokurimit. Kështu, sipas hetimit të Prokurorisë, "shkelja më e madhe procedurale duket se është hasur në kontratën e nënshkruar, duke kaluar pagesat e parapagimit nga sa e parashikon ligji i prokurimeve publike. Në kontratën e nënshkruar me firmën fituese, qeveria ka pranuar të parapaguajë më shumë se 10%, ndryshe nga sa parashikon ligji. Nga verifikimet e kryera, është konstatuar se qeveria shqiptare ka parapaguar ndaj firmës "BECHTEL" rreth 27 % të shumës që parashikohet për ndërtim, ku ligji i prokurimeve e thotë qartë se nuk duhet paguar mbi 10% të shumës si parapagim".
Kontrata, në shkelje me ligjin
Sipas kontratës së nënshkruar, pagesa paraprake që është vënë në dispozicion të sipërmarrësit, ka qenë në dy derdhje: derdhja e parë, në shumën 20 milionë euro, në përputhje me nenin 8.1 (fillimi i punimeve) dhe derdhja e dytë, në shumën 20 milionë euro, brenda 5 muajve pas datës efektive. E, ndërsa 40 milionë eurot janë dhënë me dy këste, firma ende nuk kishte filluar punë. Segmenti rrugor ku janë hasur shkelje të shumta është ai Rrëshen-Kalimash, me një gjatësi rreth 60 km, ku përfshihet ndërtimi i tunelit me gjatës rreth 6 km. Kontrata e firmosur prej rreth 170 faqesh, mes qeverisë shqiptare, përfaqësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe konsorciumit "BECHTEL" dhe "ENKA" u nënshkrua më 15 shtator 2006.
Penalizim për firmat që nuk zbatojnë afatet
Drejtori Gjoni ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme në Komisionin e Ekonomisë se, të gjitha ato firma që nuk kanë zbatuar afatet në punët publike do të penalizohen. Gjoni, bëri edhe një pasqyrë të punimeve që po kryhen në disa segmente. Sipas tij, në segmentin Lushnje-Fier, punimet kanë avancuar në masën 35%, në segmentin Levan-Tepelenë, kanë nisur procedurat e tenderimit, për segmentin Bulqizë- Peshkopi, ka një projekt i cili është pjesor, segmenti Rrogozhinë -Lushnje, është bërë studimi i fizibilitetit dhe është ndërhyrë në disa nga rrugët dytësore. Gjithashtu, sipas tij, për segmentin Lushnje- Berat, janë dhënë fonde për sigurinë rrugore, etj., ndërsa për segmentin që lidh Qafë-Malin me Tropojën, financimi shkon 1 miliardë lekë, ose 10 milionë dollarë.
Buxheti shtesë, 89% shkon për rrugët
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, në Kuvend, miratoi dje në parim projektligjin, "Për Buxhetin e Shtetit 2007", lidhur me buxhetin shtesë, për investimet publike. Në Buxhetin Shtesë, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, përfiton 89 % të buxhetit, ose 11.4 miliardë lekë. Vendin kryesor në financim e zë programi "Rrjeti i Rrugëve Nacionale" me shumën 11.38 miliardë, ku 7.2 miliardë shkojnë për financimin e projektit rruga "Rrëshen-Kalimash". Pjesa tjetër e shumës së këtij programi financon projekte kryesisht për "Ndërtim dhe rehabilitime rrugësh", 2 miliardë lekë, "Sistemim-asfaltime", 351 milionë lekë; "Supervizion punimesh", 270 milionë lekë; "Siguria rrugore", 242 milionë lekë, etj. (shekulli)
0 Comments:
Post a Comment