Lajme shkurt nga vendi dhe bota
KOSOVE, BRITANI, SHBA. DEVOLL, AFGANISTAN. IRAK. TIRANE. PEKIN, IZRAEL, RUSI, UKRAINË. INDI, HUNGARI
13:14:00
KOSOVE. Kryetari i Partisë Reformiste ORA, Veton Surroi, gjatë një takimi të premten në Paris me shefin e diplomacisë franceze, Bernar Kushner, ka thënë se para Krishtlindjeve Kuvendi i Kosovës. duhet ta përmbushë obligimin e vet para popullit duke shpallur pavarësinë e Kosovës.
12:03:00
SHBA. Zëvendës-ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Rozmari DiKarlo, ka thënë se vendi i saj ka mbështetje të fuqishme dhe të gjerë për projektrezolutën për Kosovën, duke vlerësuar se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme.
10:49:00
BRITANI. Votuesit britanikë i dhanë kryeministrit Gordon Brown fitoren e parë elektorale, kur Partia e tij Laburiste mori dy vende në zgjedhjet plotësuese. Rezultatet ishin shkatërruese për Partinë Konservatore, e cila doli në vendin e tretë, pas Liberal Demokrates. Brown ka shënuar një rritje në sondazhe, që prej marrjes së pushtetit, duke premtuar ndryshime në politikën e rikthimit të besimit të publikut ndaj qeverisë së tij, të dëmtuar nga lufta në Irak.
10:44:00
DEVOLL. Një person i seksit mashkull, ende i paidentifikuar, është gjetur i masakruar mëngjesin e sotëm në qytetin e Bilishtit, në rrethana ende të panjohura. Sipas policise viktima që mendohet të jetë rreth moshës 40 vjeç u gjet në anë të stadiumit të qytetit të Bilishtit. Viktima mendohet të jetë masakruar gjatë natës duke u gdhirë dita e sotme. Policia shtoi se viktima ishte dëmtuar rëndë në pjesën e fytyrës.
10:15:00
AFGANISTAN. Afro 20 vullnetarë të krishterë koreanojugorë mendohet të jenë marrë peng në Afganistan nga rebelët talebanë, bëri të ditur sot një zyrtar i ministrisë së Jashtme koreanojugore. Ministria është ende duke konfirmuar raportin e pengmarrjes.
10:09:00
AFGANISTAN. Rebelët talebanë morën peng disa pasagjerë të një autobusi në Afganistan, përfshirë edhe një numër qytetarësh koreanë, deklaroi sot një shef lokal policie.'Autobuzi i linjës Kandahar-Kabul u sulmua në distriktin e Karabagut', deklaroi shefi i policisë, Kovaxha Mohamad Sadik. Nuk dihet ende numri i pasagjerëve të marrë peng.
10:07:00
IRAK. Tre ushtarë britanikë u vranë dje nga një sulm me mortaja kundër bazës së tyre në Basra, njoftoi Ministria britanike e Mbrojtjes. Ky incident e çon në 162 numrin e ushtarëve britanikë të vrarë në Irak, që nga pushtimi i vendit, në mars 2003.'Ushtarët u vranë pas një sulmi indirekt mortajash në Basra', njoftoi me anë të deklaratës së rastit ministria e sipërcituar.
10:05:00
TIRANE. Shqipëria ka fituar edhe dy vende të tjera në renditjen e përmuajshme të FIFA-s, duke u renditur në vendin e 67-të, teksa në qershor mbante vendin e 69-të
08:47:00
PEKIN, Përfunduan sot në Pekin bisedimet për programin bërthamor të Koresë së Veriut, por pa arritur në përcaktimin e një afati për denuklearizimin e plotë të vendit komunist. 'Gjashtë palët në bisedime, dy Koretë, Kina, SHBA, Japonia dhe Rusia do të ritakohen në shtator', deklaroi i dërguari kinez, Wu Dawei në përfundim të bisedimeve.
07:28:00
IZRAEL. Izraeli filloi sot lirimin e më shumë se 250 të burgosurve palestinezë nga burgu i Ketziotit, si gjest mbështetjeje për presidentin Mahmud Abas.
15:34:00
RUSI. Rusia nuk e ka ndërruar qëndrimin për çështjen e Kosovës, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij francez, Bernar Kushner.
14:47:00
KOSOVE. Kosova do të fitojë pavarësinë e saj nga Serbia në një mënyrë ose tjetrën pavarësisht kundërshtimeve të Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka thënë të enjten sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs.
14:46:00
IZRAEL. Presidenti izraelit, Shimon Peres u bëri sot thirrje liderëve sirianë dhe izraelitë të takohen dhe të rifillojnë bisedimet e pezulluara të paqes mes të dy vendeve. Laureati i çmimit Nobel për paqen i deklaroi një të dërguari kinez që po vizitonte Izraelin se "nëse Siria dëshiron paqe të vërtetë, nuk ka alternativë tjetër përveç negociatave të drejpërdrejta me ne", thuhej në një deklaratë të zyrës së presidentit.
13:55:00
RUSI. Ambasadori britanik Tony Brenton mbërriti sot në Ministrinë e Jashtme ruse, pak kohë përpara një konference të planifikuar shtypi lidhur me marrëdhëniet britaniko-ruse, njoftoi një gazetar i agjencisë Reuters. Britania ka qenë në pritje të përgjigjes së Rusisë ndaj vendimit të saj për dëbimin e katër diplomatëve rusë nga Londra.
12:50:00
RUSI. Nje kryebashkiak rus i cili eshte gati te kandidoje per postin e presidentit te vendit eshte arrestuar nga policia nen akuzen pre korrupsion. Aleksander Donskoi, kryebashkiak i qytetit skajor verior rus, Arkangels, u arrestua pas një hetimi të gjatë. Donskoi akuzohet se ka përdorur 157 200 dollarë për të paguar truprojat e tij për ruajtjen e pjesëtarëve të familjes.
10:59:00
INDI. Të paktën 20 persona humbën jetën dhe disa të tjerë mbetën në ambientet e brendshme, pas shembjes së një ndërtese në kryeqytetin financiar indian, njoftoi sot policia, ndërkohë që ekipet e shpëtimit po përdorin buldozerët për të nxjerrë të mbijetuar të mundshëm. Ndërtesa prej shtatë katesh në periferinë veriore të Mumbait u shemb dje në mbrëmje.
10:55:00
UKRAINË. Gjashtë persona u vranë dhe 46 të tjerë u plagosën, pas përmbysjes së një autobusi, që udhëtonte drejt rajonit të Krimesë në Ukrainë. Mes të plagosurve ishin 11 fëmijë, bëri të ditur Ministria e Gjendjeve të Jashtëzakonshme në Kiev për agjencinë Reuters. Shkaku i aksidentit u shkaktua nga një problem në sistemin e frenimit, njoftoi një zëdhënës i ministrisë.
10:07:00
HUNGARI. Gjashtë turistë rumunë humbën jetën kur autobusi i tyre u përplas me një kamion-trailer në juglindje të Hungarisë sot në mëngjes, njoftoi agjencia hungareze e lajmeve MTI. Ajo bëri të ditur se kamioni, drejtuesi i të cilit humbi jetën në aksident devijoi në krahun e gabuar të rrugës dhe u përplas me autobusin që u rrëzua në një rrugë hekurudhore aty pranë.
09:19:00
IRAK. Katër ushtarë amerikanë dhe përkthyesi i tyre u vranë pas shpërthimit të një bombe në Bagdad, njoftoi sot ushtria amerikane. Ajo shtoi se sulmi ndodhi në lindje të kryeqytetit.
09:14:00
SHBA. Një shpërthim përfshiu Manhatanin duke krijuar re të mëdha tymi dhe panik te kalimtarët, njoftoi një dëshmitar. Televizioni amerikan, ABC shtoi se shpërthimi ishte shkaktuar nga një transformator. Sipas Shërbimit amerikan të Sigurisë Kombëtare ''nuk kemi të bëjmë me një veprim me prapavijë terroriste''
0 Comments:
Post a Comment