Drejtues të departamentit të thesarit në Ministrinë e ekonomisë dhe financave (MEF) në një konferencë për median theksuan se kontribut kryesor në krijimin e sufiçitit (tepricës së mjeteve) prej 114 milion euro gjatë periudhës janar-mars të këtij viti, kanë dhënë hyrjet në shumë prej 75 milionë euro, nga shitja e liçencës për operator të dytë të telefonisë mobile në vend. Gjatë prezantimit të tremujorit të parë të vitit 2007, sipas tyre, sufiçiti buxhetor i krijuar gjatë këtij tremujori ka arritur shumën e 114.13 milionë euro.
Drejtori i këtij departamenti Lulzim Ismajli tha se hyrjet e realizuara gjatë kësaj periudhe kohore, në buxhetin e Kosovës, arrijnë shumën e 249.48 milionë euro, që paraqesin 36.5% të planit vjetor. "Nëse këtë nivel të hyrjeve e krahasojmë me të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar, del se hyrjet e këtij tremujori, janë për 85.8% më të larta. Në këtë përqindje të lartë të ndryshimit të hyrjeve ndikim të theksuar kanë pasur hyrjet nga shitja e liçencës për telefoninë mobile," theksoi ai.
Ndërsa sa u përket shpenzimeve që janë bërë nga agjencitë buxhetore brenda kësaj periudhe kohore, z. Ismajli tha se shpenzimet e realizuara gjatë këtij tremujori arrijnë shumën e 135.3 milionë euro, që sipas tij paraqesin 18.3% të ndarjeve të tërësishme buxhetore.
Sipas tij, ndonëse shpenzimet e kësaj periudhe kohore, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë me të larta për 30.2%, ato përsëri janë nën nivelin e shpenzimeve që janë paraparë për këtë periudhë. Ai theksoi se organizatat buxhetore, gjatë kësaj periudhe kohore, i kanë rritur shpenzimet kapitale për 122.3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkaq, zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Sakip Imeri tha se kjo administratë, brenda këtij tremujori ka arritur që të grumbullojë të hyra në shumë prej 35.7 milionë euro. Sipas tij, hyrjet më të larta kanë ardhur nga vjelja e tatimit në vlerën e shtuar (TVSH) që sipas tij arrijnë shumën e 10.3 milionë euro. Bujar Shatri nga Shërbimi Doganor i Kosovës (SHDK) bëri të ditur se ky shërbim gjatë këtij tremujori ka arritur që në arkën e buxhetit të Kosovës të grumbullojë 108.6 milionë euro.
0 Comments:
Post a Comment