Hapet tenderi për hidrocentralin 1 milionë euro

Në një kohë që vendi është duke u përballur më një krizë të thellë energjetike, që sipas ministrit të Ekonomisë do vazhdojë të paktën deri në pranverën e ardhshme, kryeministri Berisha nuk ka thënë asnjë fjalë gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë dhe në daljet e tij publike, për këtë gjendje të mjerueshme, që paraqet një panoramë të vendit sikur të ishte para një shekulli. Duke e vlerësuar tejet të rëndësishëm prodhimin e energjisë në vend, Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin për hapjen e tenderit, për dhënien me koncesion të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll.

Duke vlerësuar projektin e paraqitur nga kompania e njohur austriake "EVN" për kaskadën e Devollit, Kryeministri theksoi se kjo kompani ka hartuar një projekt për ndërtimin e një serie hidrocentralesh në tërë gjatësinë e lumit Devoll. Në projektet e këtyre hidrocentraleve parashikohen të ndërtohen tunele, me një gjatësi të marrë së bashku rreth 50 kilometra. Investimi për këtë projekt shkon rreth 1 miliardë euro. Projekti garanton një shfrytëzim maksimal të potencialit ujor të këtij lumi, një respektim maksimal të luginës në të cilin ai rrjedh. Grupi i oponencës, i ngritur pranë Ministrisë së Ekonomisë, ka shqyrtuar për muaj të tërë projektin e kompanisë për lumin Devoll dhe e vlerëson atë një projekt unik në llojin e tij. Gjithashtu, kryeministri Berisha tha se edhe kompani të tjera të mëdha botërore po tregojnë një interes të madh në rritje, për burime të tjera ujore të vendit. Veçanërisht, Vjosa është më shumë në vëmendjen e tyre. Kryeministri shprehu besimin se gjatë muajve në vijim do të hapet tenderi edhe për këtë projekt.

Tenderi

Sipas këtij vendimi të miratuar dje nga qeveria, autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien me koncesion, të formës "BOT" (Ndërtim, Operim dhe Transferim) të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll, nga kuota 805-100 m mbi nivelin e detit, përfshirë edhe ndërtimin e Hidrocentralit të Banjës, është Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Gjatë mbledhjes së djeshme, Berisha ka bërë të ditur se e favorizuar në marrjen me koncesion të hidrocentralit që do të ndërtohet mbi lumin Devoll, është kompania "EVN". Qeveria ka miratuar edhe bonusin prej 10 për qind të pikëve, për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar), që i jepet shoqërisë "EVN", sh.a.

Tender edhe për Hidrocentralin "Egnatia-Shushicë"

Qeveria ka miratuar gjatë ditës së djeshme edhe hapjen e garës për një hidrocentral tjetër. Edhe për këtë hidrocentral, autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore do të jetë Ministria e Ekonomisë. Forma e dhënies me koncesion do të jetë e formës "BOT" (Ndërtim, Operim dhe Transferim) për Hidrocentralin "Egnatia-Shushicë". Edhe për këtë hidrocentral qeveria ka piketuar një kompani të preferuar, e cila ka marrë edhe bonusin. Në mbledhjen e djeshme është miratuar bonusi prej 10 për qind i pikëve, për rezultatin teknik dhe financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar), që i jepet shoqërisë "Vëllezërit TOLA", sh.p.k. (shekulli)

0 Comments:

Post a Comment

Termat e Perdorimit
web site hit counterHits free web counterVisitors