SHKODËR-Policia e Shkodrës ka zbuluar dje një vrasje të vjetër mbetur pa autor dhe ka prangosur autorin e saj. Sipas policisë, nga veprimet që ajo ka kryer në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit të Shkodrës, është bërë dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më 24 dhjetor të vitit 1999.
Në këtë kohë, në lagjen "Ahmet Haxhija" mbeti i plagosur rëndë shtetasi Mustafë Ademaj, i cili pas disa muajsh vdiq në spital. Sipas policisë, viktima ishte krejt aksidentale, pasi ishte kalimtar i rastit në momentin që autori kishte objektiv një tjetër person që kalonte fare pranë viktimës. Për shumë vite me radhë, ngjarja mbeti pa autor e për pasojë hetimet mbetën në vend.
U deshën shumë vite, që prokuroria së bashku me policinë të arrijnë deri në gjurmë të autorit të vërtetë të krimit të kryer, që la viktimë një kalimtar të rastit. Sipas policisë, autor i ngjarjes së vjetër është shtetasi Kujtim Halili, 50-vjeç. Ai u ndalua dje nga polica me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, plagosjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje. Mësohet se Kujtim Halili, ka pasur konflikt me një shtetas tjetër, S. Mujoshi dhe ka qëlluar drejt tij për ta vrarë. Mustafë Ademaj ka qenë kalimtar i rastësishëm, i cili është plagosur rëndë pa qenë ai objekt i sulmit. Dosja hetimore e kësaj ngjarjeje ka qenë e pezulluar dhe pa autor, ndërsa rihapja e saj në bashkëpunim me prokurorinë ka sjellë dokumentimin ligjor të ngjarjes. Brenda pak kohësh, kjo është dosja e dytë e rihapur në Shkodër, që hedh dritë mbi ngjarje të vjetra të mbetura të pazbardhura e pa autor. Ndërkohë që pas kësaj, kapen edhe autorët.(Shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment