TIRANË- Zv/kryetari i LSI, njëkohësisht historiani dhe diplomati i njohur, Pëllumb Xhufi pritet që të jetë kandidatura e tretë në votimin e shtunës në Kuvend.
Zyrtarizimi i Xhufit nuk është bërë ende, por burime nga e partitë e majta thanë dje, se ajo është shumë afër plotësimit të procedurës kushtetuese. Për zyrtarizimin e kandidaturës së Xhufit mësohet se pritet "Ok"-i përfundimtar nga krerët e opozitës, e veçanërisht nga Rama.
Negociatat
Kreu i LSI, Ilir Meta ka pasur dje një axhendë të ngjeshur takimesh me përfaqësues të maxhorancës dhe me vetë kandidatin e tyre për deputet, Bamir Topi. Por, kreu i LSI është parë për një kohë jo të shkurtër edhe me deputetin e PD-së, Astrit Patozi. Me të dy bashkëbiseduesit, Meta, sipas burimeve, ka folur për zhvillimet e pritshme të së shtunës, ku kandidatura e Xhufit mund të votohet përkrah asaj të Topit dhe Nanos.
Duke propozuar një kandidaturë të tretë, e majta së pari arrin që të nxjerrë nga loja ish-kryeministrin, Nano. Në raundin e tretë, votimi për President, me futjen në lojë të Xhufit, sipas të gjithave gjasave do të nxjerrë në vend të parë Topin, në të dytin Xhufin dhe në të tretin Nanon. Ky i fundit, sipas Kushtetutës, skualifikohet për në raundin e katërt dhe në garë mbeten dy të parët. Në këtë moment, duket se të majtët shpresojnë për një kompromis me maxhorancën, pasi asnjë nga kandidatët nuk arrin të kapë 84 vota pa mbështetjen e palës tjetër.
Meta, mësohet se gjatë ditës së djeshme është përpjekur që të gjejë mbështetjen e Partisë Demokratike për këtë variant. Në funksion të këtij qëllimi ai ka zhvilluar negociata me nënkryetarin demokrat, Bamir Topi, i cili është njëkohësisht dhe një nga kandidatët në garë, si dhe me një pjesë të mirë të deputetëve demokratë. Negociata, duket se nuk ka qenë pa rezultat, pasi një skemë e tillë i intereson edhe të djathtëve.
Futja e zv/kryetarit të LSI në garë vjen në një moment, ku zgjedhjet e parakohshme po trokasin dhe kur për to nuk është e interesuar asnjëra palë. Tryeza e përmbysur e bisedimeve, vendimi i opozitës për të mos marrë pjesë në seancë dhe ecja me shpejtësi drejt votimit të tretë, pas të cilit nuk mund të ketë më kandidatë të rinj, mund të kenë si epilog vetëm zgjedhjet e parakohshme. (shekulli)
Kthehu Mbrapa
0 Comments:
Post a Comment